“Mbetemi vend me rrezik të ulët, sepse …” – ministrja Manastirliu tregon...

“Mbetemi vend me rrezik të ulët, sepse …” – ministrja Manastirliu tregon masat e marra kundër virusit vdekjeprurës

445
0

 

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka mbledhur sot Task-Forcën e institucioneve të shëndetësisë dhe ekspertëve për të koordinuar masat për koronaviurusin vdekjeprurës.

 

Manastirliu bën me dije se ka kërkuar rritjen e masave për të mos lejuar ardhjen e tij në Shqipëri, ndërsa theksoi se ne jemi vend me nivel rrezikshmërie shumë të ulët, sepse ne nuk kemi linjë direkte nga Kina.

 

“Kam kërkuar disa ditë më parë me një urdhër të posaçëm të merren masat paraprake për rritjen e survejancës dhe të identifikohet niveli i rrezikut për vendin tonë, sipas përhapjes së virusit te ri. Nga raportimi i fundit që kam nga strukturat tona të shëndetit publik: Shqipëria mbetet vend me rrezik të ulët përsa i takon depërtimit të koronavirusit të ri, sepse nuk kemi linjë direkte nga Kina”, tha Manastirliu.

 

Megjithatë, Manastirliu theksoi se Shqipëria po merr masat paraprake, për mbrojtjen ndaj këtij virusi.

 

“Fakti që në 24 orët e fundit OBSH ka konfirmuar transmetimin e virusit nga njeriu te njeriu, edhe pse duhet theksuar se nuk ka shpallur emergjencë ndërkombëtare por vetëm emergjencë në Kinë për momentin, ne po përgatitemi me masa të shtuara në strukturat tona dhe dua të theksoj se kemi gati planet e emergjencës për reagimin ndaj infeksioneve virale, sipas shkallës së rrezikshmërisë”, u shpreh ministrja.

 

Më tej, Manastirliut bëri të ditura disa nga masat e marra, teksa tha se Instituti i Shëndetit Publik ka përforcuar survejancën e infeksioneve të rënda respiratore akute në bashkëpunim me të gjitha spitalet e vendit, është përgatitur përkufizimi i rastit, udhëzimet për survejancën, hetimin epidemiologjik dhe menaxhimin e rasteve në përputhje me Rregulloren Ndërkombëtare të Shëndetit.