Lirohet 2800 m2 plazh i zaptuar në Lezhë, procedohen 7 persona, mes...

Lirohet 2800 m2 plazh i zaptuar në Lezhë, procedohen 7 persona, mes tyre ish-drejtori i Taksave (VIDEO)

399
0

Vijon operacioni “Plazh i lirë”, ndërsa policia bën me dije se janë liruar 2800 m2 plazh i zaptuar në mënyrë të paligjshme në Lezhë.

 

Ndërkaq, janë proceduar 7 përfaqësues ligjor subjektesh për veprat penale ” Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave”.

 

Gjithashtu, janë referuar materiale hetimore shtesë për shtetasin A.N. me detyrë ish – Drejtor i Taksave dhe Tarifave Vendore pranë Bashkisë Lezhë.

 

Njoftimi i plotë:

 

Lirohen rreth 2800 m2 plazh i zaptuar në mënyrë të paligjshme.

 

Sekuestrohen 542 shezlongë dhe 271 çadra të vendosura në mënyrë të paligjshme, në hapësirat publike.

 

Procedohen 7 përfaqësues ligjor subjektesh për veprat penale ” Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave”.

 

Gjithashtu, janë referuar materiale hetimore shtesë për shtetasin A.N. me detyrë ish – Drejtor i Taksave dhe Tarifave Vendore pranë Bashkisë Lezhë, i proceduar dhe  më parë, pasi ka lejuar këto subjekte të ushtronin aktivitetet në mënyrë të kundërligjshme.

 

Në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e posaçëm të masave “Për parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e informalitetit, evazionit fiskal në turizëm, ndërtim, hidrokarbure, mallra të akcizës dhe krimeve të tjera mjedisore”,  shërbimet policore të Komisariatit të Policisë Lezhë në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, kanë ushtruar kontrolle në subjekte që ushtrojnë aktivitet biznesi, në zonën e bregdetit në plazh në Kune, Shëngjin.

 

Si rezultat, janë konstatuar 7 subjekte që ushtronin aktivitet të kundërligjshëm në shfrytëzimin e hapësirës publike (rërës), pa paguar detyrimet financiare, si dhe pa u pajisur me kontratë qiraje për përdorim nga Bashkia Lezhë.

 

Në përfundim të veprimeve hetimore, janë proceduar penalisht shtetasit G.F., F.K, M.N., E.Ll., Gj.J., E.C. dhe P.Z. për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagim i taksave”.

 

Operacioni po vijon çdo ditë, me shtrirje në të gjithë zonat bregdetare, në territorin e Qarkut Lezhë.