Ligji për pronësinë Industriale forcon bazën ligjore për mbrojtjen e treguesve gjeografikë...

Ligji për pronësinë Industriale forcon bazën ligjore për mbrojtjen e treguesve gjeografikë në Shqipëri

665
0

Treguesit gjeografikë janë objekt shumë i rëndësishëm i Pronësisë Industriale. Tregues gjeografik është emri i një vendi, lokaliteti ose rajoni që shërben për të përcaktuar produktet që e kanë origjinën në atë vend, cilësia, reputacioni dhe karakteristikat e të cilit janë atribut i kësaj origjine gjeografike.

Shqipëria është një vend i pasur në biodiversitet falë kushteve të ndryshme klimaterike në zona të ndryshme të Shqipërisë. Të gjithëve na pëlqen të udhëtojmë për të vizituar Shqipërinë, sepse e dimë që përveç pamjeve të mrekullueshme panoramike, na ofrohen edhe produkte karakteristike të zonave ku ato janë prodhuar të cilat shpesh herë janë krejt unike në llojin e tyre.

Këto produkte mund të jenë një resurs ekonomik i rëndësishëm dhe mbrojtja e tyre ndikon zhvillimin në zonat rurale, si dhe nxit eksportin e produkteve shqiptare në tregun e huaj, duke i bërë ato të njohura në botë.

Në ligjin e ri për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9947, datë 07.07.2008 “Për Pronësinë Industriale”, të ndryshuar është parashikuar në mënyrë të veçantë forcimi i bazës ligjore për mbrojtjen e treguesve gjeografikë në Shqipëri duke përcaktuar kriteret e sakta proceduriale për regjistrimin e këtyre produkteve.

Gjithashtu shumë i rëndësishëm është fakti që në Strategjinë Kombëtare mbi Pronësinë Intelektuale 2016-2020, parashikohet anëtarësimi i Shqipërisë në marrëveshjen e Lisbonës duke mundësuar regjistrimin ndërkombëtar të treguesve gjeografikë. Kjo marrëveshje bën më të lehtë regjistrimin e produkteve tipike shqiptare në vendet e huaja si dhe futjen e produkteve të huaja në tregun shqiptar të garantuara për llojin dhe cilësinë e tyre.