ANYN, CRCA dhe ACE kërkojnë ndryshimin e Ligjit të Rinisë përgatitur nga qeveria!
Tiranë, 3 Korrik 2019 – Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri, CRCA/ECPAT Shqipëri dhe Koalicioni për Arsimin në Shqipëri, Linja Kombëtare e Këshillimit për Fëmijë ALO 116, Child and Youth Policy Hub, kërkuan sot përpara deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë ndryshimin e të Ligjit të Rinisë të paraqitur nga Qeveria shqiptare. Organizatat ishin ftuar në një seancë dëgjimore në Komisionin Parlamentar të Intergimit Europian, i cili po udhëheq përpjekjet për përmirësimin e Projekt-Ligjit të Rinisë në Shqipëri së bashku me atë të Edukimit.
CRCA/ECPAT Shqipëri, ANYN dhe ACE, prej kohësh kanë ngritur shqetësimet e tyre serioze se projekt Ligji për Rininë, i propozuar disa kohë më parë nga Qeveria Shqiptare është në mospërputhje të plotë me Kushtetutën e Shqipërisë dhe aktet ndërkombëtare të nënshkruara nga vendi ynë. Projekt-Ligji jo vetëm që “zhduk” Kartën Rinore, por lë në harresë dhe pa asnjë shërbim dhe mbështetje mbi 600.000 të rinj e të reja në Shqipëri.
Përpara deputetëve të Komisionit të Integrimit, përfaqësuesit e organizatave argumentuan të gjitha mangësitë dhe dobësitë që paraqet projetkt-ligji i paraqitur nga Qeveria.
Drejtori i CRCA/ECPAT Shqipëri, Altin Hazizaj, pas përfundimit të seancës dëgjimore, theksoi se “Projekt- Ligji i propozuar nga Qeveria nuk i përgjigjet në asnjë nen, nevojave, zhvillimit dhe pritshmërisë së rinisë shqiptare. Ky projekt-ligj, mund të jetë për këdo grupim tjetër shoqëror, por vetëm për rininë shqiptare nuk është. Ne kërkojmë nga deputetët një reflektim të plotë për mospërputhjet që përmban ky projekt-ligj, duke i kërkuar atyre të mos e miratojnë atë, pa bërë ndryshimet e propozuara nga CRCA, ANYN dhe ACE.”
Presidentja e Rrjetit Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri, Ervjola Osmanaj, pasi pasqyroi në mënyrë të detajuar ndryshimet që duhët të ketë ligji, tha: “Projekt-ligji i Rinisë së paraqitur nga Qeveria shkel mbi të gjitha Kushtetutën e Shqipërisë. Nuk mund të lejojmë që ky ligj i cili nuk garanton jetën e mirëqënien e të rinjve të kalojë në Parlament!”.
Përfaqësuesja e ACE, Linda Pino, solli në vëmendje të të pranishmëve tre aspekte themelore që ky draft projekt-ligj lë në harresë. Sipas saj: “Ai nuk merr për bazë dokumentin që vendos themelet e integrimit të Shqipërisë në BE dhe shkel parimet bazë të Strategjinë së Qeverisë për Zhvillim dhe Integrim 2014-2020. Ky projekt-ligj, me një të rënë të lapsit, eleminon “Shërbimin Kombëtar për Rininë” nga një sërë dokumentash strategjikë në fushën e Rinisë. Projekti lë totalisht të pa përfaqësuar të rinjtë e diasporës, të rinjtë pa shtetësi që ndodhen në Republikën e Shqipërisë, duke shkelur kështu Nenin 20 të Konventën Europiane të Shtetësisë të Këshillit të Evropës.”
10 vite më parë organizatat e shoqërisë civile në bashkëpunim me të rinjtë në vend kërkuan për herë të parë në Shqipëri një Ligj për Rininë. Prej më shumë se dy vitesh CRCA/ECPAT Shqipëri dhe ANYN kanë punuar intensivisht për ti dhënë të rinjve në Shqipëri një ligj sa më cilësor, me standarte europiane, gjithëpërfshirës dhe shërbyes për të gjithë të rinjtë e të rejat.