Të lexosh… tek e fundit, rëndësi ka të lexosh. Ne lexojmë për të mësuar, për të menduar, për të ngritur pikëpyetje, për të reflektuar, për të qënë më të kthjellët. Shumë persona mendojnë se të lexuarit është me të vërtetë një superfuqi. Nëse përthithim ose kuptojmë sa më mirë atë që lexojmë do kishim mundësi të zgjidhnim shumë nga vështirësitë që hasim. Ajo ç’ka është më e rëndësishme, ne rritemi në mënyrë eksponenciale kur lexojmë librat e duhur. Një nga temat kryesore për të cilën duhet të flitet më shumë është: Si mund të lexohet në mënyrë cilësore? Kjo është mjaft komplekse, por po aq interesante. Dëshiroj të ndaj disa mendime, “teknika”, sugjerime të cilat mendoj se po më ndihmojnë për të lexuar më mirë dhe në mënyrë më cilësore :
- Largoni “stresin” e përfundimit të librit.
Më parë mendoja në mënyrë shumë sistematike. Praktikisht, marr një libër, nis ta lexoj dhe deri sa ta mbaroj, qëndroj me mendimin se jam i detyruar ta përfundoj së lexuari. Kjo edhe kur nuk më tërheq. Njësoj si kur ishim të vegjël që duhet të perfundonim me patjetër ushqimin. Këtë logjikë e kam ndjekur me vite, ku i thoja vetes duhet patjetër ta përfundosh, ndërkohë që libri nuk më tërhiqte. Në fakt kjo gjë nuk është e nevojshme, për më tepër mund të shtyjë drejt paragjykimit për libra të tjerë. Kur marrim në duar një libër voluminoz, menjëherë mendojmë “do më duhet një jetë për ta lexuar”. Problemi kryesor është se duke menduar kështu, as nuk e marrim mundimin të lexojmë. Zgjidhja është shumë e thjeshtë, nëse të pëlqen e përfundon, nëse jo mund ta lësh për ta rimarrë në një periudhë tjetër të jetës tënde.
P.S: Fakti që ke shpenzuar për ta blerë, nuk të detyron ta përfundosh. Leximi është kënaqësi. 🙂
- Mund të lexoni më shumë se një libër njëkohësisht.
Në shumicën e rasteve librat “business” rrotullohen rreth një ideje, që shpesh herë ështe e njëjtë, e ricikluar nga të tjerë ose dhe nëse është origjinale, mbetet vetëm një ide. Kësaj ideje shpeshherë i shtohet një garniturë shembujsh, anekdotash, informacionesh apo kërkimesh, por ideja mbetet një e vetme. Në momentin që koncepti është i qartë, libri mund të quhet i kuptuar. Këtu dua të bashkohem me qasjen e Ravinkant (sipërmarrës, krijues i AngelList) që thotë se “unë kam nevojê të lexoj në mënyrën time duke kaluar nga një libër tek tjetri, duke lexuar paralelisht disa libra dhe të perthith gjërat që më nevojiten”
Kjo qasje është një frymëmarrje po të mendosh se mund të lexosh disa libra paralelisht, pa pasur nevojë t’i përfundosh në momentin që ke kuptuar idenë kryesore dhe e gjithë kjo pa u ndjerë njeri i keq.
- Çdo libër ka kohëzgjatje të ndryshme.
Te gjithëve na ka rënë në dorë një libër “karamele”, por padyshim ka të tjerë që janë goxha impenjativ. Këto libra kërkojnë kohë dhe përqëndrim më të madh. Për fat të mirë duhet thëne se librat nuk kanë të njëjtën vlerë.
- Mos u shqetësoni nëse nuk mbani mend gjë.
Në jetë nuk lexon një libër “business” që të kujtoni çdo gjë ose sepse duhet të shkosh në unversitet dhe do duhet të japësh një provim. Ti lexon një libër për eksperiencën që të ai të fal. Në periudha të ndryshme të jetës tënde ti bën një udhëtim me këtë libër dhe krijon një eksperiencë tënden. Më shumë se përmbajtja është vetë “akti i leximit” që mbetet një akt revolucionar pasi na ndihmon të vëmë në punë imagjinatën, është ai filmi që lind në mendjen tonë pikërisht në momentin kur lexojmë. Kjo është stërvitja që i bën mendjes libri. Mbase harroj ndonjëherë përmbajtjen e librit, por gjërat më të rëndësishme që ndryshojnë për këdo, mbeten. Nëse e krahasojmë me një gotë që mbushet në vazhdimësi, vjen një momenti kur diçka derdhet, diçka mbetet. E rëndësishme gjithmonë është ajo që mbetet, ndërkohë ajo që harrohet mund ta rimarresh mbase në një libër tjetër. Mos e torturoni veten duke u sforcuar të mbani mend çdo gjë.
- Mundohuni të gjeni libra të rëndësishëm për ju dhe përqëndrohuni tek to.
Ndonjëherë është më mirë të rilexosh libra që janë të rëndësishëm për ju se sa të shpërndahesh në libra që nuk ju nevojiten. Shpesh kam dëgjuar se është më mirë të lexosh 100 librat më të mirë të gjithë kohërave sesa të lexosh 10’000 tituj pa vlerë. Kjo është e vertetë, por personalisht mendoj se librat e rinj janë gjithmonë një mënyrë për të mbajtur interesin sa me aktiv. Risitë gjithmonë të ndezin atë llampën, të stimulojnë, rrisin pak endorfinën. Shpesh librat e rinj kanë aftësi të risjellin koncepte të vjetra në një gjuhë më pranë nesh.
- Krijo një rutinë.
Personalisht kam provuar një metodë që mendoj se është shumë efikase. Pasi zgjohem në mëngjes, kryej rutinen e mëngjesit dhe ushqehem, marr të lexoj patjetër 10 faqe të një libri. U mundova ta bej pa ngrënë, por nuk funksionon truri për mua. Mund të ndodhë që gjatë ditës të lexoj përsëri ose jo, por jam i sigurtë që dita nuk ka kaluar pa lexuar dhe kjo është bërë pjesë e rutinës. Në këtë mënyrë dhe psikologjikisht nis ditën duke kryer një veprim pozitiv për veten.
- Largoni celularin kur lexoni dhe 8. Përdorni laps, stilolaps, shënjues.
Telefoni ky aparat kaq i pandashëm nga ne, duhet patjetër të largohet në momentin e leximit. Celulari mbetet shpërqëndrim shumë i madh, dhe vetëm hedhja e një shikimi ndërpret fazën e mendimit. Largojeni sa më larg gjatë leximit.
Në fakt personalisht kam qenë një nga ata persona që nuk më pëlqente shënimi mbi libra. Kohët e fundit mendoj se më ndihmon shumë, shënimet në libër dhe në bllok. Çfarë nuk duroj përsëri janë veshët për të shënjuar faqen.
- Informohuni më parë mbi qëllimin e librit.
Duke ditur më parë se cfarë trajton dhe qëllimin e librit, na ndihmon të përgatitemi psikologjikisht mbi qasjen që do kemi ndaj këtij libri. Siç përmenda dhe më lart ka libra qe janë impenjativ dhe duan një shkallë më të lartë përqëndrimi. Lexim, lexim, lexim! Një aktivitet që vazhdon gjatë gjithë jetës tonë. Mbase diçka që harrova të rendis më lartë: Ndonjeherë kemi dëshirë të lexojmë, ndonjëherë më pak. Ka periudha kur lexon më shumë, periudha kur lexon më pak dhe periudha kur nuk lexon fare. Nuk jeni në garë me asnjeri tjetër. Gjeni masën që ju përshtatet. Jeni ju me librat tuaj dhe është një fazë rritjeje gjithmonë. Siç thotë psikologu amerikan Jerome Bruner, “Një fëmijë që lexon do të jetë një i rritur që mendon.”