I kujtoj gjithmonë fillimet e shkollës kur isha në 8-vjeçare, në moshën e vajzës sime sot. Më kujtohet kur dilnim me motrën dhe mamin për të blerë mbështjellëset e librave, stilolapsat, fletoret, çorapet e bardha. Kur gjeje ndonjë portofol lapsash ose ndonjë stilolaps me ngjyrë lejla, ndiheshe e privilegjuara e klasës pastaj.
Mbaj mend njëherë, kam qenë në klasë të shtatë, motra gjeti një karficë me një fjongo të madhe të bardhë që më pëlqeu shumë. Edhe pse plasa së qari, nuk ma dha. Por ime bijë që është në klasë të tetë nuk i ka hiç këto halle. Nuk vë as karfica, nuk do as portofola lapsash, as çantë me Borëbardhën. Ajo do një iPhone që të jetë si shoqet.
Kur ishte në klasë të gjashtë i dhamë telefonin e parë. Ishte me butona. Jo se nuk kishim mundësi t’i blinim një smartphone, por donim ta kishte thjesht mjet komunikimi e jo të harxhonte kohën me të. Plus donim ta kishim nën kontroll. Nuk kaluan as gjashtë muaj dhe siguroi një telefon smart që la i ati. Filluan selfi-et me veshë ariu, selfie-t me buzë të mëdha, selfie-t me qerpikë të lyer. Kuptova që tani ajo është adoleshtente dhe i pëlqente vetja. Kam bërë për muaj të tërë një luftë hiq-lejo telefonin derisa u dorëzova. Herë ndihesha keq sepse më dukej sikur po e lejoja të rritej para kohe, herë ngushëllohesha meqë s’po bënte asgjë ndryshe nga moshatarët e saj.
Nuk e di në është faji ynë si prindër që i mësuam që të vegjël me teknologjinë, apo kështu erdhi koha dhe ne si prindër s’përshtatemi dot t’i shohim fëmijët kaq të vegjël me sjellje prej të rriturish, por këtë fundjavë, kur po bënim pazare për ditën e parë të shkollës, vajza ime shikonte në dyqane elektroshtëpiakesh për iphone e kasa, ndërsa unë i shikoja për çorape me fjongo…