Lajla Pernaska, një autoktone tiranase në garën për kryebashkiake

Lajla Pernaska, një autoktone tiranase në garën për kryebashkiake

301
0

Lajla Pernaska një autoktone Tiranase. E lindur dhe e rritur në kryeqytet. Tashmë njihet nga një profil profesional si specialiste me nivel të gjerë njohurish dhe eksperiencë në ligjëvënie, politikëbërje, programet në fushën e Shëndetit Publik, barazisë gjinore dhe çështjet sociale. Njëkohesisht është e angazhuar në punën për reformimin e sistemit të kujdesit shëndetësor në Shqiperi, përgatitjen e strategjive dhe politikave shëndetësore, që prej vitit 1995.

Dhe jo vetëm kaq por është specialiste e perspektives gjinore ne politikat dhe programet e zhvillimit, qe prej vitit 1996. Me njohuri të thelluara në fushën e lidershipit politik, organizimit dhe menaxhimit. Me përvojë në bashkëpunimin për programet e zhvillimit, me Organizma Ndërkombëtarë si UNICEF, PNUD, Këshilli i Europës, Komisioni Europian, USAID, Banka Botërore, OBSH. Zgjedhur në Kuvendin e Shqipëriseë në dy legjislatura. Zgjedhur në nivelet drejtuese të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës.

Altruizmi dhe kontributi për të ndihmuar dhe të tjerët, sidomos ata më në nevojë, është edukuar tek Lajla Pernaska që në moshë të vogël, së pari nga gjyshërit e prindërit e saj. Familja Pernaska është një famijle e vjetër tiranase, me kontribut dhe ndikim për vendin në periudha të ndryshme historike në shumë fusha

 

 

1-Zonja Pernaska ju vini nga një famijle e vjetër tiranase, me kontribut dhe ndikim për vendin në periudha të ndryshme historike në shumë fusha. Mund të na flisni për origjinën, historikun e familjes tuaj ndër vite?  

 

Familja Pernaska është vendosur në Tiranë, që prej vitit 1919, e ardhur nga Korça dhe prej disa brezash ka investuar jetesën në kryeqytet.

Në vitin 1927, gjyshi im, stilisti Jonuz Pernaska, themeloi Sallonin e parë të Modës në Tiranë, për krijimin të veshjeve të cilësisë së lartë. Linja e stilimit u organizua më tepër, si një art. Shkëmbimi i eksperiencave bëhej kryesisht me Italinë, në qytete si Milano, Firenze, Bari. Atelieja u përqëndrua në veshje për femra, me modelime unike, që përcillnin klas të lartë, aq sa Princeshat e Familjes Mbretërore të kohës, kanë qënë gjithashtu kliente të rregullta të Jonuzit. Aktiviteti vazhdoi me ritme të sukseshme, duke u zgjeruar vazhdimisht dhe duke u njohur si një emër klasi, ku përcillej vlerë e shtuar me anë të krijimeve finale unike.

Të vendosur në një nga lagjet tradicionale të Tiranës, pranë rrugës së Elbasanit, Pernaskat ndërtuan banesat e tyre me arkitekturë të stilit Italian dhe shtëpia u bë pikë reference në Tiranë.

Bashkëjetesa dhe trashëgimia me familjet autoktone tiranase erdhi natyrshëm, jo vetëm nëpërmjet miqësive dhe shkëmbimit të kulturës dhe traditave, por dhe me lidhje martesore ndërfamiljare.

Unë jam rritur me gjyshe autoktone tironse, nga familja e mirënjohur Këllezi.

Gjithashtu lidhje krushqie u bënë dhe me familje vendalie si ajo e Qosëve, Borxollët, Kodralitë, Katroshët, Konçit,etj.

Altruizmi dhe kontributi për të ndihmuar dhe të tjerët, sidomos ata më në nevojë, është edukuar tek unë që në moshë të vogël, së pari nga gjyshërit e prindërit e mi.

Ndërkohë që familja e nënës sime,Erebara-Kazazi është me origjinë nga Dibra e Madhe, ardhur në Tiranë në vitin 1914, vendosur me pronat dhe banesat e tyre në lagjen e Mullirit të vjetër ( pranë shkollës “ Ïsmail Qemali”). Gjithashtu në ecurinë e kohës, mjaft lidhje krushqie u bënë me familje tironse si familja Mëniku, Turku, Demneri, Rreli, Agalliu,Delisula, etj.

Në vitin 1948, me instalimin e sistemit komunist, aktiviteti privat i familjes Pernaska u ndalua dhe klasa e pronarëve e sipërmarrja private në Shqipëri u godit, por Jonuz Pernaska e vazhdoi në shtëpinë e tij veprimtarinë të limituar, për një lloj të veçantë klientele, në rrethe miqësore e familjare, si dhe pjesërisht, për familjet e mëdha dhe me emër të kohës. Jenka, nëna ime, punoi dhe mësoi prej tij, duke ju dedikuar edhe ajo fushës së modës, për kushtet që lejonte ai sistem.

Brezi i ri i familjes Pernaska, risolli trashëgiminë e lënë nga stilisti i madh Jonuz Pernaska, nën emrin e markës së parë Shqiptare të modës ONUS (lidhur me vetë emrin e Jonuzit edhe me domethënien latine “Obligim”, “Forcë”). Marka ONUS u organizua si një markë inovative e teknologjisë së lartë, pioniere në teknologjinë më bashkëkohore të printimit 3D dhe integrimit të saj në industrinë e modës për realizimin e krijimeve me mundësi të pakufizuar personalizimi, duke i bërë ato unike.

Një pjesë e mirë e këtij aktiviteti që në pikënisjen e tij, është prezantuar në një mini-muze, të përgatitur enkas për të përcjellë historikun e zhvillimit të kulturës së modës në Shqipëri.

Emri i familjes Pernaska u bë i njohur edhe në fusha të tjera të mjeshtërisë e talentit, si atë të elektronikës, teknologjisë, në fushën e mjekësisë dhe me një shkëlqim të veçantë në fushën e sportit, me futbollistin e mirënjohur, Ilir Pernaska, xhaxhai im i vogël.

Në respekt të sportdashësve, mund të shtjelloj një pjesëz të historisë që lidh emrin e Pernaskave me sportin aq të dashur të futbollit.

Lagjia ku ne kemi lindur dhe jemi rritur, në  Rrugën Mihal Grameno, është një nga zonat tradicionale të Tiranës, që në vitet e fëmijërisë sime ishte me shtëpi të ulta dhe me mjaft hapësira të gjelbërta, fusha , apo lëndina, ku fëmijët luanin edhe lojën e tyre të dashur të futbollit.

Fusha më afër shtëpisë quhej “Fusha e Palpoçes”, ku luanin futboll gjithë çunat e lagjes. Pak e dinë që rrugëtimi i Lirit në botën e futbollit  fillon në moshën 11 vjeçare me ekipin e Tiranës (17 Nëntori), ku qëndroi për pak kohë, pasi traineri Xhavit Demneri nuk e aktivizoi, duke mos kuptuar  treguesit e tij fizikë (sigurisht që gaboi), duke e detyruar që  të kalonte tek ekipi i Dinamos. Nëse Iliri do kishte vazhduar angazhimin e nisur me ekipin e Tiranës, dhe historia e futbollit për skuadrën kryeqytetase sigurisht do kishte shkuar ndryshe. Ishte traineri  dinamovit Skënder Jareci që besoi shumë tek vullneti dhe talenti i Pernaskes së ri, duke e rreshtuar në ekipin e Dinamos që në moshën 16-vjeçare. Shumë shpejt Pernaska u bë simboli i golit në futbollin shqiptar, tifozëria ndaj tij u rrit fuqishëm, duke qenë jo vetëm idhulli për dinamovitët, por dhe për mjaft sportdashës të tjerë.

Sigurisht dhe rrugëtimi im si pjesë e kësaj familje, më përfshiu që fëmijë në botën e futbollit, dhe isha shpesh ndër të vetmet femra në shkallët e stadiumit ku ndiqja ndeshjet e Dinamos, si dhe ato me skuadra të huaja.

Unë ndoqa shkollimin në fushën e Mjekësisë, por natyra altruiste në shërbim të komunitetit më përfshiu shpejt  në angazhimin civil dhe atë politik në vend.

2-Cili është arsimimi juaj? Specializimet dhe eksperienca profesionale?  

 

Që në vogëli, shkollimi u bë pasioni im dhe vinte mbi gjithçka tjetër. Isha ndër nxënëset e dalluara të klasës dhe kërkoja gjithmonë maksimumin nga vetja.

Shkollën 8 vjeçare e kam mbaruar tek “Mihal Grameno”, ndërsa shkollën e Mesme tek “Ismail Qemali”, ku kam mbaruar me Medalje të Artë, e cila më dha mundësinë të zgjedh degën e Mjekësisë. Edhe Fakultetin e kam mbaruar me rezultate të larta. Pas diplomimit në Fakultetin e Mjekësisë, mbrojta në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja gjuhët anglisht, italisht, frengjisht.

Pas një beteje të vështirë për kohën, arrita të shkoj me specializim për Pediatri të Përgjithshme në Paris, Francë.

Jam diplomuar dhe për Shëndet Publik, Politika shëndetësore e zhvillimi, po në Francë. Kam kryer dhe Studimet Europiane (Master) në Univeristetin e Tiranës. Jam trajnuar e specializuar në mjaft vende të botës, që nga SHBA, vende të ndryshme të Europës Perëndimore, deri në Izrael.

 

Kam një CV profesionale me një profil si specialiste me nivel të gjerë njohurish dhe eksperiencë në ligjvënie, politikëbërje, planifikim, të programeve/projekteve, në fushën e Shëndetit Publik, barazisë gjinore  dhe  zhvillimit komunitar.

E angazhuar në punën për reformimin e sistemit të kujdesit shëndetësor në Shqipëri, përgatitjen e strategjive dhe politikave shëndetësore, që prej vitit 1995.

Specialiste e perspektivës gjinore në politikat dhe programet e zhvillimit, që prej vitit 1996.

Me njohuri të thelluara në fushën e lidershipit politik, organizimit  dhe menaxhimit.

Me përvojë në bashkëpunimin për programet e zhvillimit,  me Organizma Ndërkombëtare si UNICEF, PNUD, Këshilli i Europës, Komisioni Europian, USAID, Banka Botërore, OBSH.

Me njohuri të zgjeruara dhe eksperiencë të pasur në fushën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare.

Kam kryer një sërë trajnimesh si :

  • Menaxhim në Shendetin Publik (Instituti i PHM , Athinë, 1996).
  • Manaxhimi programeve shëndetësore në nivel distrikti (Shkolla Kanadeze e Sh. Publik, 1997).
  • Barazia gjinore (Kopenhagen, Malmoe, 1998).
  • Gratë në Lidership (Izrael, 1998).
  • Të drejtat e grave dhe fëmijëve (ILO, 1999).
  • Lufta kundër Trafikut të qenieve njerëzore  (Strasbourg, 2000).
  • Të drejtat e Grave – Columbia University, (Neë York , 2000).
  • Vlerësimi i  HIV/AIDS në grupe vulnerable, (UNICEF – Bosnie, 2001).
  • Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjeçarit (OKB, Neë York, Mars 2001, 2002,2003).
  • Plan-Veprim rajonal mbi reduktimin e përdorimit të drogave tek të rinjtë, drejtuar nga  Consorzio Promosud (Itali, 2003-2004).
  • Gratë në politikë (Departamenti i Shtetit SHBA, International Visitor Program, 2004).
  • Programe shkëmbimi eksperiencë në fushën parlamentare ,në SHBA ( IRI 2006), Britani e Madhe (2007), Gjermani (2008), Kroaci (2009), Slloveni (2010), Bruksel, PE, (2010, 2011), etj.

 

3-Çfarë ju bëri të ktheheshit nga Franca, në një periudhë kur të gjithë shqiptarët iknin nga vendi?

Unë kam nisur angazhimin tim në jetën publike e politike, pas marrjes së një vendimi jo të thjeshtë për t’u kthyer në Shqipëri nga Franca, Parisi ku isha për një periudhë disa vjeçare me studime. Ishte koha e ndryshimeve të mëdha në rajon, por  edhe në Shqipëri. Vendosa me vullnet të plotë për t’u kthyer në atdhe për t’i shërbyer zhvillimeve demokratike që dukej se kishin nisur me mjaft hov dhe optimizëm në Shqipëri.

Me ardhjen në Shqipëri, menjëherë nisa rrugëtimin politik aktiv ku dhe kam investuar shumë, pasi u përfshiva në proçeset politike shkallë-shkallë, duke filluar nga poshtë deri lart. Vullneti dhe eksperiencat e grumbulluara ishin një shtysë e fortë për të vazhduar më tej me kontribute  konkrete, një kontribut konkret dhe të drejtpërdrejtë në zhvillimet demokratike në vendin tim.

 

4-Kur ka nisur angazhimi juaj në politikë? Cili ka qenë kulmi i karrierës politike?  

Unë jam njeri i politikës, e kam zgjedhur dhe investuar si profesion politikën.

-Unë kam një rrugëtim të gjatë në të djathtën shqiptare.

Fushatën e parë zgjedhore e kam bërë për kandidatin e PD në lagjen time, Z. Xhepa, në garën zgjedhore të 1996.

Kam një angazhim të pandërprerë në karrierën time politike prej  vitesh, dhe kulmimi arriti me zgjedhjen si deputete në Kuvendin e Shqipërisë për dy mandate, në vitin 2005 dhe 2009, në lagjen time, Njësia nr.2 në Tiranë. I jam mirënjohëse votuesve të mi të kësaj zone dhe jo vetëm për besimin e tyre në zgjedhjen time si përfaqësuese në Kuvendin e Shqipërisë.

  • Zgjedhur  Anëtare e Kuvendit të Shqipërisë,2005-2013 (Legjislatura  XVII dhe XVIII)
  • Anëtare e Komisionit të Jashtëm, Anëtare e Komisionit të Shëndetësisë, Kryetare e N/komisionit për Barazinë gjinore dhe çështjet e të Miturve.
  • Anëtare e Delegacionit të përhershëm Parlamentar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës (2005-2013).
  • Kryetare e Komisionit të Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale, në Asamblenë Parlamentare, Këshilli i Europës, (2007-2008).
  • Anëtare e Byrosë Parlamentare të Këshillit të Europës.
  • Përfaqësuese në KiE, për programin Kundra dhunës në familje (2006-2013).
  • N/Kryetare e N/komisionit për të miturit, KiE (2009-2011).
  • Presidente e Grupit të PPE (Partitë Popullore Europiane), në Këshillin e Europës (2009-2013).

 

Kjo karrierë, gjykoj se u ndërpre për shkak  të arbitraritetit të listave të mbyllura dhe mendësisë e deformimeve të rënda në lidershipin e PD-së. Pavarësisht kësaj, unë për asnjë çast nuk e kam ndërprerë angazhimin tim në frontin opozitar përmes debatit publiko-politik, apo pjesëmarrjes në aktivitete ndërkombëtare, siç ishte ajo më e fundit në Janar 2023 në Këshillin e Europës.

 

5- Në politikëbërje dhe ligje, cilat kanë qenë nismat tuaja dhe kauzat personale?  

Gjithmonë kam pasur një agjendë time personale, për çështjet e fëmijëve, të rinjve dhe ato të grave e barazisë gjinore.

 

Ndër Iniciativat Ligjore si deputete në Kuvendin e Shqipërisë mund të përmend:

  • Përgatitja e Ligjit për ndalimin e përdorimit të Pijeve alkoolike për të miturit, 2006.
  • Promovimi i një sërë ligjesh për çështjet e shëndetit publik, reformës shëndetësore, ndalimin e dhunës në familje, arritjen e barazisë gjinore në shoqërinë shqiptare.
  • Përgatitjen e ligjit për barazi gjinore dhe përfshirjen e kuotës 30% të përfaqësimit të grave dhe vajzave në parlamentin shqiptar.

Kam organizuar dhe fushata edukimi e promocionale për shëndetin e të rinjve dhe adoleshentëve, nën moton “Jeto Shëndetshëm”, në mbrojtje të shëndetit të tyre nga sjelljet e riskut lidhur me përdorimin e alkoolit, duhanit, drogës, etj.

6-Rikthimi në politikë dhe kandidimi për bashkinë e Tiranës, si e vetmja grua në historinë e kryeqytetit. Pse tani dhe pse pikërisht në garën për kryebashkiake?  

 

 

Duke iu referuar situatave zgjedhore vendore në Tiranë, mund të them se i kam ndjekur prej shumë kohësh, gjë që më ka dhënë mundësinë të kem një njohje të thellë për to. Dhe jo vetëm, pasi kam qenë pjesë aktive e këtyre zgjedhjeve përmes lobimit për të tërhequr elektoratin në mbështetje të së djathtës, edhe kam pasur rezultatet e mia pozitive.

U përfshiva në garën për Kreun e Bashkisë së Tiranës, pasi gjykoj të rëndësishëm faktin që gara për pushtetin vendor, është e vetmja garë mazhoritare, që të krijon mundësinë për t’u bërë pjesë e saj, për të kontribuar, pasi kandidimin dhe përfshirjen në garë, e shoh si një shërbim për një qëllim madhor, si shpalosje të një alternative për të sjellë ndryshimin në qeverisjen e Tiranës, për rotacionin që ne e djathta aq shumë e aspirojmë.

Kam bindjen se karriera ime dhe mësimet e nxjerra nga vështirësitë e ndeshura gjatë proçeseve zgjedhore i përgjigjen kësaj sfide.

Sistemi politik që kemi në fuqi dhe brenda të cilit duhet të operojmë, na e jep mundesinë të kontribuojmë përmes  pjesëmarrjes në garë, nëse duam të japim një kontribut.

Nëse më duhet të përmend diçka në këtë drejtim, është karta ime fituese në garat e mia në Tiranë. Kjo ka qenë pikërisht komunikimi dhe bashkëpunimi me njerëzit, me votuesit, por dhe ruajtja e kësaj marrëdhënieje dhe më pas, të cilët më kanë frymëzuar në punën time në të gjitha pozicionet politike të fituara  nga investimi im, por dhe ky bashkëpunim me njerëzit e thjeshtë, komunitetin, më ndihmoi ta njoh më mirë.

Problemi qëndron se kandidaturat deri më sot kanë qenë kandidatë të imponuar nga kryetarët e partive, por ka dhe probleme të tjera.

Gara i jep mundësi zgjedhësve të votojnë atë që është më afër interesave të tyre. Pastaj është e drejta e votuesve të vendosin kush është kandidati fitues nga vota e tyre.

Pritshmëria ime ishte që opozita të unifikohej dhe të gjente vullnetin për të dalë me një kandidat të përbashkët në këtë garë të rëndësishme për Tiranën, por realiteti s’është kështu. Unë gjeta zgjidhjen për t’u bërë pjesë e garës, duke marrë mbështetjen ligjore të regjistrimit si kandidate, nga PDIU, që sigurisht i falenderoj për këtë mundësi.

 

Vlen të theksohet se për herë të parë në historinë e garës për Kryebashkiakun e Tiranës, është një grua kandidate. Në botë sot kemi parë shumë gra në drejtim të shteteve apo kryebashkiakë të qyteteve të mëdha që kanë lënë gjurmë të thellë në vendet e tyre, por dhe në opinionin ndërkombëtar.

 

Intervistoi: Eglantina Alliaj