“Ktheni Alvinin në shtëpi, jepini shtetësi italiane”, Këshilli Rajonal i Lombardisë mocion...

“Ktheni Alvinin në shtëpi, jepini shtetësi italiane”, Këshilli Rajonal i Lombardisë mocion qeverisë italiane

337
0

Këshilli Rajonal i Lombardisë ka miratuar në mënyrë unanime një mocion përmes të cilit i kërkon qeverisë italiane të bëjë gjithçka është e mundur për të rikthyer në Itali Alvin Berishën, 11-vjeçarin shqiptar i cili gjendet në një kamp në Siri.

Këshilli Rajonal pati si iniciatore të motivacionit Paola Romeon, këshilltare e Forza Italia, dhe u pranua nga të gjithë.

“Alvini gjendet i vetëm në mes të një lufte tjetër, që mund të lërë shenjë të thella. Institucionet kanë detyrën të veprojnë, duke i mundësuar të voglit rikthimin në Itali pranë familjes.  I kërkojmë qeverisë të vlerësojë nëse ekzistojnë kushtet për t’i dhënë shtetësinë italiane Alvinit të vogël, familja e të cilit është plotësisht e integruar në shoqërinë lombarde. Përparësia e Rajonit të Lombardisë është rikthimi i Alvinit në shtëpi, ku e presin njerëz që e duan”, deklaroi Paola Romeo.

Mocioni i kërkon kreut të rajonit të ndikojë mbi qeverinë deri sa Kryeministria dhe Ministria e Jashtme të nisin bisedimet me qeverinë shqiptare, në favor të një dialogu diplomatik midis Ambasadave italiane e shqiptare në Turqi, vendi më pranë vendndodhjes së fëmijës në Siri.

Alvini u mor nga nëna e tij më 2014 në Siri për t’u bashkuar me ISIS, kur ishte vetëm gjashtë vjeç.

Mendohet që nëna ka vdekur si pasojë e një bombardimi në Baghuz, qyteti i fundit i ISIS që ra në mars të këtij viti.

Sipas informacioneve të deritanishme, Alvin gjendet i vetëm në një kamp ish-terroristësh.