Krujë e Fushë Krujë/ Dëmtohen 9 pallate dhe mbi 600 banesa, familjet...

Krujë e Fushë Krujë/ Dëmtohen 9 pallate dhe mbi 600 banesa, familjet e kalojnë natën jashtë: Jemi keq

279
0

Lëkundjet sizmike nuk kanë shkaktuar pasoja serioze vetëm në ndërtesat në Durrës. Kruja dhe Fushë-Kruja numërojnë me dhjetëra pallate dhe qindra shtëpi private të kthyera në të pabanueshme.

Nga verifikimet e para, të paktën 9 pallate kanë pasur dëmtime në strukturë. Për këtë arsye, banorët kanë braktisur apartamentet duke u strehuar në hotele. Ndërkohë, sa i takon numrit të shtëpive private, shifra i kalon 600 banesa. Për akomodimin e banorëve, bashkia në bashkëpunim me ushtrinë ka përshtatur palestrat e shkollave. Deri tani, në këto ambiente janë strehuar gati 100 persona.

Ndërkohë, 70 çadra janë ngritur nga efektivët e Ushtrisë për strehimin e banorëve në vështirësi. Kampingu është ngritur nga Forcat e Armatosura në Fushë-Krujë në stadium. Dëmtimeve të shkaktuara nga lëkundjet nuk i ka shpëtuar as Kulla e Sahatit, e cila është në rrezik shembjeje. Për të shmangur ndonjë tragjedi nga rrëzimi, Policia ka vendosur një perimetër sigurie që pengon lëvizjen e njerëzve dhe të automjeteve. Ndërkohë, një nga fshatrat që ka pësuar më shumë dëme në Fushë-Krujë është Bubqi.

Bëhet fjalë për të paktën mbi 230 shtëpi të dëmtuara rëndë dhe që janë të banueshme. Familjet kanë mbetur në qiell të hapur, duke u detyruar që të kalojnë natën nëpër makina dhe duke u strehuar te të afërmit e tyre.

Mësohet se shumica e shtëpive të dëmtuara rëndë janë ndërtime të vjetra, por mes banesave të rrënuara gjenden edhe ndërtime të viteve të fundit. Familja Bardhi është një nga ato që ka humbur banesën nga lëkundjet e forta. Çifti i të moshuarve tregon se kanë shpëtuar pasi vendosën të flinin në makinë pas tërmetit të fortë. E zonja e shtëpisë deklaron se deri tani nuk u ka ardhur askush në ndihmë.

“Jemi shumë keq, më keq nuk ka. Shtëpia është ndërtuar në vitin 1993. Dhe ne të vdekur jemi, banesën nuk e kemi. Kemi fjetur në makinë. Nuk ka nga shteti qoftë edhe një çadër. Kemi ndihmuar njëri-tjetrin se nuk kishte kush të na ndihmonte. Kemi bërë kërkesa të herëpashershme, por nuk ka rezultate. Nuk ka as drita, sepse çdo gjë është rrënuar. Kemi ndezur zjarr që të jemi ngrohur dhe të gatuajmë ndonjë gjë”, deklaroi zonja e shtëpisë.

Për t’u ardhur në ndihmë, Ministria e Mbrojtjes ka dërguar 26 çadra për të strehuar më shumë se 1000 persona, por ende nuk janë ngritur nga Forcat e Armatosura, pasi nuk është përcaktuar ende zona ku do vendosen.

Deri tani këto janë vetëm shifrat provizore të dëmeve, pasi nga verifikimi i plotë në terren nga ana e ekspertëve, numri i pallateve dhe shtëpive të dëmtuara dhe të kthyera në të pabanuara mund të arrijë një shifër disa herë më të lartë.