Kriza ekonomike është e rëndë, por zgjidhje ka …. nëse do Rama!

Kriza ekonomike është e rëndë, por zgjidhje ka …. nëse do Rama!

408
0

Nga Nikollaq Neranxi

 

Shqiptarët këto ditë po përballen me rritje të frikshme të çmimeve dhe pyetja që iu vjen të gjithëve në mendje është, pse lufta mes Rusisë dhe Ukrainës, solli rritjen e çmimeve të produkteve më jetësore dhe pyetja tjetër akoma më e rëndësishme është se si do ta menaxhojë qeveria shqiptare krizën, si do t’i ndihmojë ajo qytetarët dhe bizneset që të qëndrojnë në këmbë dhe ta përballojnë atë?

 

Kryeministri Rama, si përherë nuk na dha ndonjë përgjigje, përveç konstatimit se “Lufta të ngre zgupthi!” Ndërkohë, përsa i përket rritjes së çmimit të karburantit, zgjidhja qeveritare ishte që cigaret të shkojmë t’i blejmë në këmbë dhe jo me makinë!!! Rama këto ditë dramatike, nuk harron të përmendë edhe “suksesin” e madh të qeverisë së tij që nuk rriti çmimin e energjisë për qytetarët, një mashtrim i hapur ky, sepse e vërteta është se bizneset, që nga janari i këtij viti, e pagujnë energjinë dyfish më shtrenjtë dhe kjo kosto e shtuar, ka bërë që sipërmarrit të ulin rrogat, të shkurtojnë personelin dhe të rrisin çmimet, në mënyrë që të mos falimenojnë. Pra llogaritë se çfarë u ul dhe çfarë u ngrit, i bëni vetë, nuk keni nevojë për matematikën e Ramës.

 

Sa për karburantin, nuk është problemi tek ata që makinën e përdorin për qejf, zgjidhja kërkohet në rradhë të parë për individët dhe bizneset, të cilët me makina, nuk shkojnë për të blerë cigare, por për të punuar dhe jetuar.

 

Çdo qeveri sot në botë po gjen zgjidhje për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve dhe bizneseve. Në situata të jashtëzakonshme, asnjë qeveri nuk duhet të ngrejë duart lart siç bëri Rama gjatë pandemisë që na mori çdo taksë si të ishte një vit normal dhe siç duket ka në plan të bëjë përsëri tani që bota kërcënohet nga lufta dhe pasojat e saj.

 

Ndërkohë, ka një problem tjetër akoma më të madh që kjo krizë e nxorri në pah. Rusia, vendi që i ka shpallur luftë Ukrainës, nuk ka vënë në vështirësi konsumatorin e huaj vetëm për gazin dhe karburantin si një mega eksportues, por edhe për produktet ushqimore.

 

Rusia dhe Ukraina së bashku, sigurojnë një të tretën e grurit dhe misrit të të gjithë botës. Rusia është në vend të parë, por edhe Ukraina ka një peshë të madhe në tregun global, të dyja janë eksportuese të rëndësishme të lëndëve të para të industrisë ushqimore.

 

Vlen të përmendet se 80% e vajit të lulediellit të të gjithë botës, prodhohet nga këto dy vende.

Tashmë në vendet e Unionit, gruri kuotohet me 9% më shumë dhe me tendencë akoma në rritje, ndërsa soja dhe misri, me 5% rritje. Kjo emergjencë botërore, si rezultat i ndërprerjes së furnizmit me këto produkte jetike, ka bërë që çdo shtet të ndërtojë strategji për të përballuar situatën e rëndë.

 

Përsa i përket karburantit, shumë vende të botës po shohin mundësitë e heqjes së akcizës dhe taksave, deri sa kriza të kalojë. Në Shqipëri, kjo duhet bërë me urgjencë. Shqiptarët e kanë paguar gjithmonë më shtrenjtë karburantin në krahasim edhe me vende të zhvilluara në Europë, si pasojë e taksave të larta.

 

Aktualisht, në çmimin e karburantit, aplikohen 8 taksa, një rast i paprecedentë, jo vetëm në Europë, por edhe në botë. Kjo e çon barrën totale të taksave që qytetarët paguajnë për një litër naftë plot 112 lekë. Nëse qeveria i heq këto taksa deri në fund të krizës të paktën, edhe xhepat tanë do të merrnin frymë.

 

Përsa i përket produkteve ushqimore, sidomos atyre të shportës, ato janë të gjitha në rritje për shkak se eksportuesit kryesorë të botës janë në luftë.

 

Siç e dimë, kjo qeveri nuk bëri asnjëherë një program serioz për të stimuluar prodhimin vendas, veçse u tall me fermerët dhe blegtorët me shpikje si ajo e Akademisë së barinjve. Në një vend ku para viteve 90-të prodhohej çdo gjë, edhe për shkak të klimës së mirë, sot bujqësia është në nivele mjerane.

 

Dhe në situata krize si kjo, e kupton se çfarë do të thotë të varesh nga të tjerët edhe për bukën e përditshme.

 

Por sot, nuk shtrohet vetëm problemi se po shtrenjtohen produktet, por a do gjejmë, sepse tregu ndërkombëtar i ka dhënë tashmë sinjalet e mungesave në eksporte.

 

Prandaj në këto kushte, qeveria shqiptare, minimalisht mund të bënte TVSH – në zero për produktet e shportës, që ne sipërmarrësit të gjejmë tregje të tjera e të furnizojmë tregun tonë, e shteti të ndihmojë me lehtësim të barrës fiskale. Gjithashtu edhe çmimin e energjisë për biznesin duhet ta ulë sa individët, si dhe takasat vendore duhen ulur e disa të panevojshme duhen hequr, që biznesi të vazhdojë punën e të mos falimentojë.

 

Gjithmonë, edhe në situatat më të vështira, shteti nëse do, gjen mënyra për të ndihmuar qytetarët e tij, ata të cilët paguajnë gjithë jetën taksa, që shteti t’i gjëndet pranë në situata si kjo që kemi sot. Nëse edhe tani nuk do ta bëjë, s’do të doja as ta mendoja se çfarë mund të ndodhte. Se çfarë bëjnë shqiptarët në momente krizash ekonomike, mjafton të kujtojmë vitin 97. Shpresoj që të mos e përjetojmë edhe një herë atë tmerr, sepse nuk do kemi nevojë për pushtues që të shohim luftë, pasi do fillojmë të vrasim njëri-tjetrin!

 

Nikollaq Neranxi

Balkanweb.com

9.3.2022