Kouchner: Transformim i Thaçit nga lider i luftës në burrështetas i paqes...

Kouchner: Transformim i Thaçit nga lider i luftës në burrështetas i paqes është mahnitës

464
0

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas Londrës, mori pjesë sot në promovimin e librit “New State, Modern Stateman”, në Paris, organizuar nga Akademia Diplomatike Ndërkombëtare në Francë. Në promovimin e librit “New State, Modern Stateman”, të autorëve britanikë Roger Boyes dhe Suzy Jagger, morën pjesë shumë përfaqësues të shtetit francez, deputetë, diplomatë, akademikë, filozofë, gazetarë dhe përfaqësues të shumtë të jetës kulturore në Paris. Ish ministri i Jashtëm francez, dhe ish shefi i parë i UNMIK-ut në Kosovë, Bernard Kouchner në fjalën e tij ka kujtuar kohën e bashkëpunimit që kishte me presidentin Thaçi. Kouchner ka thënë se mënyra e transformimit të Thaçit nga një lider i luftës në burrështetas që sot promovon paqen është mahnitëse. Sipas tij, Thaçi nëntëmbëdhjetë vjet më parë erdhi në Paris për të nënshkruar marrëveshjen që do të ndalte luftën në Kosovë, derisa sot vjen si një burrështetas që promovon paqen. Ndërsa, autorja e librit, Suzy Jagger ka rrëfyer para të pranishmëve për rrugëtimin e gjatë dhe mundimshëm të Thaçit nga malet e Kosovës drejt Rambujesë. Ajo ka treguar se Thaçi rezistencën kundër diktatorit Sllobodan Milloshevic e kishte filluar qysh në kohën e studimeve në Universitetin e Prishtinës. Duke treguar për rrugëtimin e Thaçit nga një student në një burrështetas, Jagger ka thënë se Thaçi asnjëherë nuk u ndal për të jetësuar tri qëllimet e tij, që njëkohësisht ishin edhe aspiratat e popullit të Kosovës, lirinë, pavarësinë dhe tani edhe anëtarësimin në BE dhe NATO. Ndërsa, kryetari i Akademisë Diplomatike Ndërkombëtare të Francës, Michel Duclos, i cili ka moderuar promovimin e librit ka theksuar se sonte ky promovim u shndërrua në festë të dhjetë vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Në fjalën e tij, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se i ka ardhur mirë, që botimi doli në vitin kur Kosova po feston përvjetorin e dhjetë, jubilar të pavarësisë.“Pra, më falni nëse nuk reflektoj më shumë për librin – atë e keni para jush dhe mund ta lexoni – por ndoshta do t’i them disa fjalë të shkurtra për situatën momentale në Kosovë dhe vizionin tim për atë se çka po na pret në muajt dhe vitet në vijim”, ka thënë Thaçi. Para të pranishmëve, Thaçi ka kujtuar bisedat që i pati dje me Presidentin francez, Emmanuel Makron në Elize. Vizioni dhe dinamizmi i tij sipas Thaçit janë kruciale për tërë Evropën e në veçanti për vendet e Ballkanit.“Kosova dhe Franca kanë raporte të shkëlqyeshme në të gjitha fushat. Ne i jemi mirënjohës Francës për ndihmën që na ka dhënë në momentet më kritike si dhe tash kur po e forcojmë miqësinë tonë përherë e më shumë”, ka thënë ai.Presidenti ka folur edhe për agjendën evropiane të Kosovës, për dialogun me Serbinë, synimet për krijimin e ushtrisë dhe anëtarësimin e Kosovës në BE, NATO dhe OKB.