Kosova, gjenocidi në Ruandë dhe tregtarët shqiptarë të armëve/ Nga Ramadan GJANA

Kosova, gjenocidi në Ruandë dhe tregtarët shqiptarë të armëve/ Nga Ramadan GJANA

577
0

As 25 vite nuk u mjaftojnë viktimave, xhelatëve dhe mbarë shoqërisë njerëzore, për të harruar dhe fshirë gjakun e masakrave gjenocidale.

Humanizmi si vlerë dhe kategori morale me origjinë hyjnore, krahas kujtesës njerëzore, ashtu si “fantazma e Bankos”, do të përndjekin përjetësisht xhelatët në udhëtimin e tyre të përgjakshëm deri në fund-jetë.

 

Më 7 prill 2019 u përkujtua 25-vjetori i fillimit të Gjenocidit të Tutsi-ve të Ruandës.

Si studiues dhe specialist i Afrikës dhe Mesdheut, kam qenë gjithnjë i joshur dhe i ndjeshëm ndaj fatit tragjik të Tutsi-ve të Ruandës. Ndaj dhe kam lexuar e studiuar pothuajse gjithë literaturën ekzistuese, si dhe raportet e organizatave ndërkombëtare e atyre të pavarura, që trajtojnë e dëshmojnë krimet dhe masakrat e kryera ndaj Tutsi-ve në Ruandë.

Por si intelektual dhe bir i një populli të masakruar ndër shekuj nga armiqtë e tij historikë, jam tronditur thellë kur kam mësuar se edhe shteti dhe shtetarët shqiptarë të asaj kohe rezultojnë fajtorë dhe ndihmës-xhelatë në gjenocidin e tmerrshëm të Ruandës.

Gjenocidi ndaj Tutsi-ve i vitit 1994 zgjati tre muaj dhe la pas, sipas burimeve të ndryshme, ndërmjet 800 mijë dhe 1 milion viktima.

Pothuajse 90 % e popullit “Tutsi” të Ruandës u shfaros nga urrejtja e gjakatarëve “Hutu” të Juntës së kohës në pushtet, që sikurse nazistët, projektoi dhe zbatoi “zgjidhjen përfundimtare të problemit Tutsi”.

Për të zbatuar këtë projekt gjenocidist, të gjitha institucionet shtetërore të Ruandës u vunë në dispozicion të kriminelëve, që, për t’i zënë viktimat e tyre në grackë, ngritën barrikada në çdo rrugë e rrugicë të qyteteve dhe fshatrave.

Madje as objektet e kultit nuk shërbyen si mburojë për viktimat, pasi shumica e Tutsi-ve të pafajshëm u vranë dhe u dogjën për së gjalli nëpër kishat e Ruandës, ku ishin strehuar me shpresë se aty do të gjenin shpëtim.

Fatkeqësisht, raportet dhe dëshmitë tregojnë se në shumicën e rasteve priftërinjtë bashkëpunonin me xhelatët…

250-300 mijë gra, vajza të reja, përfshirë këtu dhe fëmijë të mitur, u përdhunuan nga trupat ushtarake, para-ushtarake si dhe ato të komitetet e civilëve Hutu (Interhahamwe), para se të masakroheshin. Madje ideologjia raciste urdhëronte çdo Hutu që t’i përdhunonte viktimat Tutsi para vrasjes.

Për shumë ushtarakë, diplomatë, intelektualë dhe specialistë të Afrikës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, gjenocidi i Tutsi-ve shënon një nga barbaritë më të turpshme e më të përgjakshme të historisë së njerëzimit.

Atëkohë, ekzistonte baza ligjore për një ndërhyrje efikase ushtarake, që do ta kishte pamundësuar gjenocidin. Por Komuniteti Ndërkombëtar bëri qorrin dhe shurdhin, madje arriti deri aty sa i tërhoqi trupat paqeruajtëse që kish dërguar më herët në Ruandë, duke lënë atje vetëm një kontigjent afrikan me 500 ushtarë gjithsejt ; “paqeruajtës” këta të OKB, nën drejtimin e gjeneralit kanadez Roméo Dallaire. Ky ushtarak ishte dërguar në Ruandë qysh në vitin 1993, në bazë të Rezolutës nr. 872 të KS të OKB.

Por pavarësisht se ndërkombëtarët në Ruandë, personalisht gjenerali Dallaire, si dhe agjensitë e huaja, njëkohësisht paralajmëruan se Junta e xhelatëve Hutu po përgatiste shfarosjen e Tutsi-ve, Kombet e Bashkuara nuk e zgjeruan mandatin e ndërhyrjes së kaskave blu për ta pamundësuar gjenocidin!?!

Vetëm një muaj pas fillimit të masakrave, më 17 maj 1994, Këshilli i Sigurimit i OKB miratoi rezolutën nr. 918, që impononte “Embargon” mbi armët me destinacion Ruandën. Kjo Rezolutë theksonte shprehimisht detyrimin “… që të gjitha shtetet të parandalojnë shitjen ose dorëzimin në Ruandë, nëpërmjet territorit të tyre, ose nëpërmjet shtetasve të tyre, ose me anije që përdorin flamurin e tyre, apo avionët që kanë shtetësinë e tyre, të të gjitha llojeve të armatimeve dhe materialeve të ngjashme, duke përfshirë armë dhe municione, automjete dhe pajisje ushtarake, pajisje policore, paraushtarake dhe pjesë rezervë…”.

Koha tregoi me fakte se shumë shtete nuk e respektuan këtë embargo, duke filluar nga Franca, (njëri nga 5 anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB).

Atëkohë, Franca e konsideronte atë pjesë të Afrikës si zonën e saj ekskluzive të influencës dhe e vlerësonte luftën për mbijetesë të “Forcave Patriotike Ruandeze të gjeneralit Paul Kagame” (Tutsi) si produkt i një “komploti anglo-amerikan” me synim fundor pakësimin e ndikimit dhe prezencës franceze në Afrikë.

Embargoja formale jo vetëm që nuk i ndaloi, por i nxiti trafikantët e armëve të përfitonin e të furnizonin ilegalisht xhelatët Hutu për të realizuar masakrat mbi Tutsi-të. Kësisoj, trafikantët u përdorën nga shtete të ndryshme për ta shkelur Rezolutën e OKB që kishin miratuar vetë.

Faktet rrëqethëse treguan se edhe Shqipëria nuk mbeti pas në ndarjen e këtij turpi…

 

***

Image preview

Michal Zak, një gazetar i mirënjohur investigativ, që ka publikuar disa libra dhe artikuj për luftën në Ruandë, shkruan: “Së pari e dëgjova nga një fotograf izraelit. Ai kishte qenë tetë herë në Ruandë dhe i kishte parë armët me sytë e vet. Gjeta raportime se armët në fjalë ishin ngarkuar në aeroportin Ben Gurion. Lista e zbuluar nga Amnesty International përfshinte armë të vogla që Izraeli i kishte kapur në luftën e vitit 1973, si dhe armë të prodhimit sovjetik e kinez, që ishin ngarkuar në Tiranë nën mbikëqyrjen e oficerëve izraelitë…

Shumë prej avionëve që transportuan ngarkesat ishin britanikë, dhe, pavarësisht embargos së OKB, ngarkesat vijuan edhe në Maj-Korrik të vitit1994, në kulmin e masakrave.

Sipas dokumenteve të Ministrisë Ruandeze të Mbrojtjes, shtatë dërgesa me municione të lehta erdhën nga Izraeli nëpërmjet Shqipërisë, në periudhën Prill-Korrik 1994, në drejtim të paramilitarëve që kryen gjenocidin…”.

Kjo është vetëm një prej shumë dëshmive që provojnë se qeveria shqiptare e asaj kohe, përveç shkeljes enigmatike të embargos ndaj ish-Jugosllavisë, ka dërguar armë edhe në Ruandë, ku armatimet dhe municionet e depove shqiptare kanë shërbyer për vrasje masive.

Të dhënat më të sakta u publikuan në vitin 1999, kur autorët Brian Wood dhe Johan Peleman botuan librin “The arms fixers” (“Matrapazët e Armëve”).

Në librin e tyre dhe duke u bazuar në dokumente e prova faktike, autorët raportojnë ndër të tjera: “Shtatë ngarkesa të mëdha me armë të lehta, me vlerë 6.5 milion dollarë, fluturuan nga Tirana dhe Tel Avivi ndërmjet gjysmës së Prillit dhe gjysmës së Korrikut 1994, për të furnizuar forcat e milicisë Hutu dhe ato paraushtarake, që po kryenin gjenocidin, madje ky trafik vazhdoi edhe gjatë kohës që mediat botërore po raportonin masivisht për ngjarjet e përgjakshme”.

Sipas hulumtimeve dhe raporteve sekrete të ndryshme (që tashmë janë bërë publike), së paku tre herë armatimi shqiptar ka shkuar në duart e kriminelëve “Hutu”, (një herë para miratimit dhe dy herë pas miratimit të rezolutës nr. 918 të Këshillit të Sigurimit!).

Shoqëria angleze Mil Tec Corporation, duket se ka shërbyer si sekser ndërmjet palëve të trafikut të armëve, ku përfshihej edhe shteti shqiptar. Madje burimet theksojnë se furnizimet provohen ndër të tjera edhe nga itineraret, borderotë dhe policë-ngarkesat e fluturimeve, që janë zbuluar në Ruandë dhe Kongo, e që janë si më poshtë vijon:

 

          Më 9 maj 1994: automatikë, municione, mortaja. Shuma 1.023.840 $. Origjina: Tirana. Destinacioni: Goma (Republika Demokratike të Kongos). Furnizuesi: Mil Tec Corporation.

          Më 18-20 maj 1994: automatikë, municione, mortaja, raketa RPG. Shuma: 1.074.549 $. Origjina: Tirana. Destinacioni: Goma (RD e Kongos). Furnizuesi: Mil Tec Corporation.

          Më 13-18 korrik 1994: municione, raketa. Shuma: 753.645 $. Origjina: Tirana, drejt Kinshasa. Destinacioni: Goma (RD e Kongos). Furnizuesi: Mil Tec Corporation.

Asokohe, aeroporti i Goma-s në Kongo, qytet që ndodhet në zonën kufitare me Ruandën, ishte totalisht nën kontrollin e ushtarakëve francezë, të cilët siguronin kalimin e armatimit tek kriminelët Hutu në Ruandë (më vonë, një komision i posaçëm i OKB vuri në dukje rolin e aeroportit të Goma-s dhe të Francës në furnizimet e armëve).

Këto furnizime e kanë vendosur Shqipërinë direkt, apo tërthorazi, në krah të gjenocidistëve, e kjo pavarësisht se më 12 maj 1955 vendi ynë kishte firmosur Konventën e OKB të vitit 1948 për “Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit!”.

Andaj, megjithëse kanë kaluar 25 vjet, shteti shqiptar detyrohet të publikojë emrat e zyrtarëve politikë dhe ushtarakë të asaj kohe, që morën vendimin për të shitur armët dhe municionet e sipërpërmendura!

Në kohët kur kombi shqiptar konsiderohet nga shumë studiues të huaj si viktimë e politikës gjenocidiste serbe dhe greke, trafiku i armëve nga Shqipëria drejt Ruandës e damkos me një njollë të zezë e të pashlyeshme imazhin ndërkombëtar të vendit tonë, sidomos në Afrikë.

Tashmë mbarë bota e ka mësuar qëndrimin shembullor të Mbretërisë Shqiptare dhe personalisht të Mbretit Zog në mbrojtje të hebrenjve para shpërthimit të LDB. Por edhe pas shpërthimit të LDB e deri në mbarim të saj, në jetësim të këtij procesi e qëndrimi humanist shteti shqiptar ideoi dhe miratoi akte dhe vendime shpëtimtare për mbrojtjen e hebrenjve… Përvojë pozitive kjo që do të duhej të kish shërbyer si vijë sjelljeje në politikën dhe praktikën e shtrirë dhe zbatuar doemos edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, në të cilat kurrsesi dhe për asnjë arsye “shtetërore”, shteti shqiptar nuk duhej të ishte rreshtuar në krah të trafikantëve të armëve që ushqenin gjenocidet dhe krimet kundër njerëzimit.

Për fat të keq, shqiptarët ende po i paguajnë me pasoja të rënda “faturat” e mungesës së përgjegjshmërisë, parimeve dhe vlerave, thjesht për shkak të interesave okulte, qëndrimeve dhe (mos)veprimeve të padenja të shtetarëve, sikurse edhe në rastin e Ruandës.

Sot kushdo mund ta verifikojë këtë realitet duke vizituar vendet e Afrikës Qendrore dhe Lindore, ose duke shfletuar faqet e raporteve dhe dosjet mbi këtë tragjedi ngjethëse, ku emri i Shqipërisë rreshtohet me germa turpi si bashkëfajtore në gjenocidin ndaj Tutsi-ve.

Ndaj kuptohet që mjaft shtete afrikane, duke iu ndajshtuar edhe dobësisë ulëritëse të derisotshme të diplomacisë kosovare, minimalisht, kanë marrë vendime të njëanshme, rast pas rasti e në dakortësi, për të mos e njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës.