Konflikti te ‘Petro Nini’, kush është biznesmeni që kërkon të nxjerrë në...

Konflikti te ‘Petro Nini’, kush është biznesmeni që kërkon të nxjerrë në rrugë 5 familje

711
0

Aleksandër Gavoci është biznesmeni i cili pretendon pronësinë e truallit ku është ndërtuar banesa afër shkollës “Petro Nini Luarasi”, ku jetojnë 5 familje dhe të cilën gjykata ka vendosur ta shembë. Për disa orë, familjarët kundërshtuan vendimin për shembjen e banesës dhe u përplasën me policinë, ndërkohë që një grua e cila është punonjëse e Policisë së Shtetit, ka akuzuar Gavocin se ka paguar gjyqtarin Altin Shkurti për vendimin e shembjes së banesës. Biznesmeni Aleksandër Gavoci është pronar i linjës së prodhimit të betonit “Vega Construction Group sh.p.k” dhe zotëron 50% të aksioneve të firmës së ndërtimit “S.A.R ndërtim sh.p.k”. Ndërkohë, i kontaktuar nga “Fax.web”, Gavoci është shprehur se është ai pronari i truallit ku është ndërtuar banesa dhe se nuk ka asnjë legalizim nga banorët aktual. “Unë jam pronari i tokës, e cila është blerë nga gjyshi im që në vitin 1930. Ne na kanë internuar në Shkodër, na është kthyer nga ana e Komisionit të Kthimit të Pronave. U kam ofruar të gjitha llojet e zgjidhjeve, me shtëpi me lekë. Kanë ndërtuar pa na përfshirë fare ne. Kanë rënë dakord që të merrnin nga një shtëpi, dhe më pas e kam parë veten te JOQ. Janë disa dosje në prokurori, dhe komplet unë jam sipas ligjit. Nëqoftë se aty ka diçka qoftë njerëzore qoftë ligjore, le ti marrin të gjitha pronat. Ulu shikojini të gjitha me radhë, ne jemi persekutuar, dhe e shoh të turpshme që të gjendem përballë këtij fakti. U kam ofruar edhe një kat kur të ndërtohet pallati, dhe nuk kanë dashur. Nuk ka asnjë legalizim, gënjejnë, nuk mundet të legalizohet prona kur çështja është në gjyq”, është shprehur Gavoci. Por nga ana tjetër, njëri nga banorët e banesës denoncoi me dokumenta para mediave se vendimi i gjykatës është i korruptuar, pasi sipas dokumentave që ai zotëron, shtëpia i përket truallit të shtetit dhe nuk është pronë private e ndonjë pronari, siç pretendon biznesmeni Aleksandër Gavoci, i cili akuzohet se dokumentat që tregojnë se ai është pronar,  janë false dhe se për këtë gjë ka korruptuar gjyqtarin  Altin Shkurti.