Japonezët dhe oraret: Për tre minuta vonesë, kërkohet falje publike

Japonezët dhe oraret: Për tre minuta vonesë, kërkohet falje publike

560
0

Një vonesë prej pak sekondash mund të bëhet shkak për akuza, polemika dhe falje publike. Ka të bëjë kultura, por është një ndryshim relativisht i kohëve të fundit. Një ditë shkurti, ministri japonez për organizimin e Olimpiadës së vitit 2020, Yoshitaka Sakurada shkoi me tre minuta vonesë në Parlament. Vonesa e tij indinjoi disa deputetë të opozitës, të cilët organizuan një protestë të gjatë. Në fund, ministri kërkoi falje publikisht. Por kjo nuk ishte hera e parë që Sakurada u bë objekt i diskutimit nga shtypi ndërkombëtar. Nëntorin e kaluar tha se nuk kishte përdorur kurrë një kompjuter, edhe pse ishte marrë me sigurinë informatike. Përtej kësaj, protestat për vonesën e ministrit bënë që të flitet gjerë për raportin që japonezët kanë me kohën dhe përpikërinë.

 

Në nëntor të vitit 2017, një tren i linjës Tokio-Tsukuba u nis 20 sekonda më herët se sa orari i afishuar, ndërsa një rast i ngjashëm ndodhi majin e vitit 2018. Në rastin e dytë, disa persona u lanë në stacion megjithëse treni u nis vetëm 25 sekonda përpara. Në të dyja rastet pati sqarime publike nga agjencia që administron hekurudhat dhe falje publike. Këto raste bënë që shtypi perëndimor të përqendrohet në kulturën japoneze, pasi në shumicën e vendeve 3 minuta me vonesë nuk konsiderohet aspak si “vonesë”, por si diçka krejt normale.

 

“South China Morning Post” në një artikull ka sqaruar se japonezët nuk kanë qenë gjithmonë kaq skrupulozë me oraret. Madje, në vitet ‘800, para se Japonia të industrializohej, banorët e saj e menaxhonin kohën në mënyrë shumë të ndryshme nga tani: sipas dëshmisë së një eksploruesi holandez të atyre viteve, japonezët ishin shumë përtacë dhe vonoheshin gjithmonë, ndërsa trenat nuk ishin kaq eficentë sa sot.

 

Gjerat filluan të ndryshojnë në vitet 1862-1912, kohë që i përket “periudhës Meiji”, gjatë së cilës perandori braktisi sistemin feudal, mori në dorë pushtetin politik dhe nisi procesin e industrializimit të vendit. Pikërisht në këtë kohë, përpikëria u kthye në një normë sociale për t’u respektuar, sepse shihej mënyra e vetme për të realizuar modernizmin në shkolla, në fabrika dhe në hekurudha. Koncepti bazik ishte i thjeshtë: koha është flori. Propaganda dhe veprimet e qeverisë ishin aq efikase, sa e bënë përpikërinë pjesë të kulturës japoneze, edhe falë shpërndarjes së orëve mekanike, që deri në atë kohë nuk ekzistonin. Një shembull i kësaj propagande janë manifestet se si të rregullohej stili i jetesës duke kursyer kohë. Një manual i viteve ’20 u shpjegonte grave si të rregullonin flokët në vetëm 5 minuta.

 

Përveç përpikërisë, punonjësit japonezë kanë përftuar me kohën tendencën për të punuar përtej orareve zyrtare. Pas Luftës së Dytë Botërore, Japonia krijoi një sistem të tillë pune sipas së cilit, mbi të gjitha ish-ushtarët, krijonin një lidhje më të fortë me punëdhënësit se sa me familjet e tyre. Qëllimi ishte i qartë për të gjithë: Duhej rindërtuar një vend që kishte dalë krejtësisht i shkatërruar pas vitit 1945 dhe besnikëria ndaj punëdhënësve shpërblehej me rritje page dhe garanci për vendin e punës.

 

Respektimi i orareve dhe shpirti i punës, gjithsesi nuk e kanë shpëtuar ekonominë japoneze nga problemi me produktivitetin. Sipas OSCE, një orë pune e një punonjësi japonez vlen 40 euro të Prodhimit të Brendshëm Bruto kombëtar, 10 euro më pak se një italian, 23 euro më pak se një gjerman dhe 47 euro më pak se një irlandez.

 

Përveç faktit se nuk sjell avantazhe nga pikëpamja ekonomike, ngarkesa e tepërt shkakton shumë stres te punonjësit. Nga janari i vitit 2015 deri në mars 2016, mbi dy mijë persona kanë vrarë veten për shkak të stresit. Në vitet e fundit gjërat po ndryshojnë, por të reformuar sistemin ekonomik dhe zakonet e punës së japonezëve është shumë e vështirë, mbi të gjitha për faktin se kompanitë vazhdojnë t’i vlerësojnë punonjësit në bazë të sasisë dhe jo të cilësisë.