Ja si ka ndryshuar jeta e VIP-ave shqiptarë në 10 vjet

Ja si ka ndryshuar jeta e VIP-ave shqiptarë në 10 vjet

441
0

e6dd646194cb06785f8f41fb2adbf71e_1471771819-614220

Në 2006-ën, po t’i pyesnim këta artistë: “Ku do të jeni pas 10 vjetësh?”, shumica do të thoshte: “Do të jem në skenë!”.

Askush nuk e dinte sesa i fuqishëm do të ishte në treg, se me kë do të martohej, sa fëmijë do të kishte apo a do t’i ishin futur bizneseve të tjera përveç profesionit të tyre të parë. Anabel.al është rikthyer mbrapa në kohë, duke riprezantuar disa prej artistëve që kanë lënë gjurmë në muzikën shqiptare.

Aurela Gaçe – 2006

Aurela Gaçe jetonte në New York të Shteteve të Bashkuara. U largua nga Shqipëria në fillim të viteve 2000, duke lënë pas hite të famshme festivalesh si: “Fati ynë shpresë e marrëzi” dhe “Nata” etj. Në vitin 2006, ajo rikthehet përkohësisht si e ftuar në edicionin e 45-të të Festivalit të RTSH-së dhe ndez sallën me këngën: “Vajta kalova gjithë Kalabrinë”.

Aurela Gaçe – 2016

Momentalisht Aurela është tërhequr nga muzika, duke u përkujdesur për shtatzëninë e saj të dytë. Pas kthimit të saj të bujshëm në vitin 2010 me këngën: “ Origjinale”, Aurela ka vijuar hit pas hiti. Vitin e kaluar ajo u vlerësua për herë të dytë me çmimin e parë të Këngës Magjike. Kujtojmë që ishte kënga: “Akoma Jo”. Këtë vit, kur edhe mori lajmin e bukur të shtatzënisë, Aurela ka qënë e angazhuar çdo fundjavë pranë klubit “Calvin”; vazhdimisht ka tërhequr vëmendjen e mediave nëpërmjet mendimeve të saj të hapura mbi fenomene të ndryshme artistike që ndan në llogarinë e Instagramit.

Nora Istrefi – 2016

10 vjet më parë, Nora Istrefi nuk e dinte që këtë vit, kënga e saj “Sa t’kom dasht”, do të konsiderohej nga shumë si hiti i vitit! Kënga ka kaluar 15 milionë klikime, ndërsa hiti më i ri: “Majem” ka kaluar 2 milionë klikime për dy javë. Sot Nora Istrefi është nënë e një vajze, një prej këngëtareve më të pëlqyera shqiptare dhe për më tepër, sot, ajo është edhe motra e Erës, e cila u kthye në fenomen ndërkombëtar pas hitit “Bonbon”.

Nora Istrefi – 2006

10 vjet më parë, në 2006-ën, Nora Istrefi është prezantuar për herë të parë në skenë me këngën: “Shko tash”. Ajo shpërtheu një vit më pas, direkt pas konkurrimit në “Top Fest”.

Elvana Gjata – 2006

10 vjet më parë askush nuk do të dyshonte që Elvana Gjata do të qëndronte për një kohë të gjatë në majat e muzikës shqiptare, për faktin që ajo goditi që në prezantimet e para dhe solli një frymë të re në këngët e saj pop. Përpara se Shqipëria të pranonte Getoarin si “fenomen” sepse e njihte si artist, ishte ajo që e pikasi e para dhe bashkëpunimi i saj me Tingulli 3nt: “Mamës”, rezultoi në një super-sukses. Gjithashtu, nëse do të riktheheshim në kohë, do të kuptonim se Elvana është e para këngëtare që jo vetëm ka përqafuar repistët kosovarë (sot disa prej më të kërkuarve në treg), por edhe e para nga Shqipëria që ka përdorur dialektin e Kosovës në tekstet e këngëve.

 Elvana Gjata 2016

 

Sot, 10 vjet më vonë, Elvana Gjata vazhdon të donimojë tregun muzikor dhe faqet e para të thashethemeve. Tërheqja e saj nga koncertet verore shkaktoi një zhurmë të madhe dhe hamendësime deri në një shtatëzani të mundshme, e cila u mohua kategorikisht nga menaxherët e saj. Pavarësisht “heshtjes koncertore të verës”, duhet thënë se Elvana këtë vit e ka ndarë vëmendjen mes muzikës (së fundmi prezantoi klipin:“Njësoj”) dhe investimeve në biznes. Bashkë me Flori Mumajesin ata hapën me shumë sukses picerinë “Proper Pizza”, që tashmë po sheh zgjerim edhe në qytete të tjera të Shqipërisë. Në Maj, Elvana promovoi hapjen e “Altar”, një biznes i përbashkët me dizajnerin e famshëm nga Kosova, Valdrin Sahiti. 10 vjet më vonë, artistja vazhdon të jetë inovatore.

Getoar Selimi – 2006

Fama e Getoarit si pjesë e grupit “Tingulli 3nt” u rrit edhe më shumë në Shqipëri pas bashkëpunimit me Elvana Gjatën në vitin 2006. Por, “Tingulli 3nt” kishte kohë që po gëzonte sukses, që nga prezantimi i albumit të parë: “Prishtina Fuckin’ City” në vitin 2000. Në Shqipëri, emri i grupit u dëgjua për herë të parë në vitin 2002 me hitin: “Llokum me arra”. Megjithatë, albumi “Babës”, do të prodhonte hit pas hiti. Jo vetëm bashkëpunimi me Elvanën, por edhe këngë si: “A e din se”, “Babës”, apo “Sa b*thën e mirë” me Çiljeta Xhilagën, do të luheshin në çdo radio dhe klub në Shqipëri.

Getoar/ Ghetto Geasy – 2016

Në vitin 2010 Geti vendosi që të krijonte labelin: “Babastars”, ku do të përfshihej: “Tingulli 3nt”, Cozman, Majk, Onat dhe një numër i madh DJ-sh. Momentalisht, ky është një nga labels më të suksesshëm. Në fund të vitit të shkuar, produksioni: “S’jena mo”, një duet i Getoarit me Majkun, rezultoi si hiti më i suksesshëm i vitit dhe sivjet, ata u rikthyen sërish bashkë me: “Ajo”, një këngë me rreth 20 milionë klikime në Youtube. Dy vitet e fundit, Getoari nuk është i famshëm vetëm nga këngët, por edhe për lidhjen romantike me moderatoren e Top Channel-it, Marina Vjollca. Tashmë, krahas postimeve të koncerteve, Getoari poston herë pas here deklarata dashurie për të fejuarën e tij. Në 2016-ën, artisti nga Kosova u plotësua edhe me një pasaportë të Shqipërisë.

Besa Kokëdhima –2006

Në 2006-ën, Besa Kokëdhima pati përvojën e saj të parë me famën dhe suksesin. Albumi i saj: “Besa” nxorri disa hite si:“Zonja dhe Zotërinj”, “Mëngjesi im je ti”, “Lëshoje hapin” etj. Në po atë vit, Besa prezantohet për herë të parë tek “Kënga Magjike”, ku vlerësohet me çmimin: “Best Dance”, me këngën: “Tani të dua”.

Besa Kokëdhima –2016

10 vjet më vonë, Besa është një nga zërat më të mirë të muzikës shqiptare. Me çmime të mëdha nga “Kënga Magjike”, “Nota Fest”, “Mikrofoni i Artë” , “Top Fest”, Besa vazhdon të ruajë pozicionin e saj në grupin e më të mirëve të muzikës moderne shqiptare. Vitet e fundit ajo ka sjellë një ndryshim rrënjësor në pamje, ndërsa në muzikë asgjë s’ka ndryshuar. Vazhdon t’i rikthehet të njëjtëve kompozitorë si: Flori Mumajesi apo Darko Dimitrov, vazhdon të shmangë turnetë verore nëpër klube dhe natyrisht, vazhdon të nxjerrë hite. Pas bashkëpunimit me Florin në këngën “123”, një javë më parë, ajo ka nxjerrë një tjetër këngë: “Hangover”, që mban firmën e kompozitorit Dimitrov dhe tekstshkruesit Olti Curri.

Miriam Cani- 2006

Në 2006-ën, Miriam Cani ishte ende: “Shqiptarja që po bën famë në Gjermani”. Prezantimi i saj i parë në tokën mëmë ishte dueti me Alketa Vejsiun: “Don’t Surrender”. Deri më atëherë, Miriami po korrte sukses të jashtëzakonshëm në Gjermani si një nga vajzat e grupit “Preluders”, grup i krijuar në vitin 2003 nga reality-show: “Popstars”.

Miriam Cani – 2016

Në 2006-ën, Miriami ishte ende vizitore dhe nuk e dinte që këtu do të ndërtonte të ardhmen bashkë me këngëtarin Alban Skënderaj. 9 muaj më parë, ajo u bë nënë e Ameli. Pas disa hiteve të suksesshme dhe dueteve me bashkëshortin Skënderaj, Miriami u shkëput plotësisht nga muzika për t’iu përkushtuar familjes, siç edhe ajo pranon vetë në daljen e saj të parë publike pas lindjes së vajzës, në Top Awards 2016.

Alban Skenderaj – 2006

Kur Miriami vinte si e ftuar speciale në Shqipëri, Alban Skënderaj po përjetonte ngjitjen më të shpejtë të një këngëtari në majë. Pas super-suksesit me këngën fituese të Top Fest 2 “Vetëm ty”, në 2006-ën, ai nderohet me një tjetër çmim të parë në këtë festival. E fitoi për këngën “Diçka”, një bashkëpunim me grupin “Kthjellu”.

Alban Skenderaj – 2016

Alban Skënderaj dhe Miriam Cani do të takoheshin bashkë 2 vjet më vonë dhe që atëherë kanë qënë të pandarë në dashuri dhe muzikë. Albani është momentalisht në ‘crème de la crème’ të muzikës shqiptare. Hit pas hiti, çmim pas çmimi, ai është ndër kantautorët më të fuqishëm në treg. Vetëm në 2016-ën, Albani ka nxjerrë 4 hite: “Unë dhe ti”, “Kam Nevojë” ft. Elinel, “Duart Lart” dhe së fundmi “Ëngjëll”.

Noizy – 2006

Kënga: “Jena OTR” do të shënonte prezantimin e parë të Noizyt (Rigels Rajku) në skenat shqiptare. Atëherë Noizy ende nuk e kishte ndarë mendjen nëse do të kalonte më shumë kohë në vendlindjen e tij, Shqipëri apo në Angli, ku jetonte që në moshën 9-vjeçare. Në 2006-ën, Noizy ishte vetëm 20 vjeç dhe ishte koha kur ai kërkoi të stabilizonte emrin e tij dhe të OTR.

 Noizy – 2016

Sot Noizy është një ndër artistët më të kërkuar dhe më të paguar nëpër koncerte. Biletat për shfaqjet e tij shiten të gjitha dhe pagesa e marrë për një koncert, sipas këngëtarit, ka arritur edhe 25 mijë euro për një natë. Këtë vit Noizy ka qënë në qendër të vëmendjes sa për muzikën, ashtu edhe për debatit me Ledion Liçon pas mospjesëmarrjes në Top Awards.

Gjatë këtij viti, Noizy nxorri disa hite si: “Grande”, “Më shumë se dollar” me Çiljetën, “Pa mu” me Elgit Dodën, “The baddest” dhe “Jena Mbretër” me Enca Haxhian, këngë që ka marrë rekorde klikimesh për këtë verë në youtube (mbi 26 milionë klikime).

Soni Malaj 2006

Në 2006-ën, kënga “Ndarja”me të cilën këngëtarja Soni Malaj u prezantua në Top Fest, u bë himni i post-ndarjes së rinisë shqiptare. Soni Malaj ishte në kulmin e saj atë kohë dhe vijoi kështu për një kohë të gjatë me hitet pasardhëse si: “Fluturimi 3740” dhe “Shpirti binjak” në dy edicione të “Këngës Magjike”, përkatësisht 2007-2008.

Soni Malaj – 2016

VIP-at shqiptarë në 2006 dhe sot, si ka ndryshuar jeta e tyre

Soni Malaj në vitin 2016 ka përjetuar ndryshime të mëdha. Pas shpalljes së divorcit nga ish-bashkëshorti Italian “Mirko”, Soni zyrtarizoi lidhjen me Klevin, tashmë i fejuari i saj, me të cilin kanë hapur edhe një biznes. Në muzikë, Soni është shkëputur pak nga baladat, duke iu përkushtuar pop-it “mainstream”. Hiti i saj më i fundit është: “Ti, jeta” me Genën./anabel.al/