Intervistë/Orkida: “Duhet trasgresion dhe art kontroversial për të nxitur reagimet e shoqërisë”

Intervistë/Orkida: “Duhet trasgresion dhe art kontroversial për të nxitur reagimet e shoqërisë”

1006
0

 

 Orkida Braculla, kitarriste dhe tekstshkruese e grupit “Premenstrual Syndrome

Nga Sabina Veizaj

Nëse mendoni se grupi shqiptar punk feminist “Premenstrual syndrome” është shpërbërë, po j’ua përgënjeshtrojmë. Kemi bërë një bisedë të rehatshme me  Orkida Braculla, një nga pjesëtaret më të rëndësihme të grupit  e cila flet për portalin “vizion.com.al”. Ajo tregon për jetën e re në Pragë si studente e ‘Fine arts’, sa e vështirë është të bësh art të vërtetë dhe të angazhuar, mungesën për vajzat e grupit dhe projektet e shumta që po e lënë pa frymë.  Orkida nuk e shikon me entuziazëm rikthimin në Shqipëri pas përfundimit të studimeve, por premton për fansat e “Premenstrual Syndrome” se do të ketë materiale të reja sëbashku me grupin.

Aktualisht jeton e studion në Çeki,  Pragë. Për çfarë studion?

Studioj bachelor për Fine Arts & Experimental Media në Prague College.

Si vendose të largoheshe nga Shqipëria?

Kisha kohë që e mendoja të aplikoja për arte, pasi bëra 2 vite gap year (pushim) pas studimeve për Elektronik/ Computer Science, kështu që fillova të interesohem për shkolla arti në Europë dhe zgjodha ‘Prague College’ sepse ofronte art eksperimental.

Është përgjithmonë?

Po të paktën për minimumi 3 vite të studimeve do qëndroj këtej, pastaj duhet të mendoj për masterin. Kthimi në Shqipëri nuk më ekzalton shumë, po nuk e përjashtoj si mundësi.

Ku jeton në Pragë?

 Në Pragë fillimisht jetoja në një konvikt dhe rastësisht shoqja e dhomës ishte gjithashtu shqiptare dhe ngjitëm menjëherë, keshtu që nuk e pata fare të vështirë të përshtatesha. Ishte gallatë të bëje shaka dhe të përmendje absurdin e vendit tënd, ose të dëgjonim këngë popullore në 3 të mëngjesit dhe të zgjonim konviktin më këmbë sa herë shihnim ndonjë video nga “budallallëqet” shqiptare të rradhës. Ndërsa ka një muaj që po bashkëjetoj me të dashurin çek që është gjithashtu muzikant.

 Si është jeta studentore në Pragë?

 Pjesa më e madhe e javës më ikën në shkollë dhe zakonisht duhet të kalkuloj dhe orët e gjumit për të më dalë koha për projektet, ndërsa fundjava përfshirë dhe të premtet si ditë pushimi, e ndaj në mes ditëve që do përdor për të mësuar dhe ato të qejfit.

Si e kalon ditën?

 Ditët janë pak a shumë repetitive, por të paktën rutina e darkës “South Park” marathon dhe birra është pjesa e preferuar e çdo nate dhe ndonjë bisedë në skype me nënën (por nëna përdor facebook dhe skype) që merr  nga Amerika dhe pyet “moj ti ç’i ke gatuar djalit sot?”. Haha! Dita nuk është dhe aq interesante sa dikur dhe sa herë flas me gocat e grupit, tani kemi inside jokes që “oh iku punk life tani, u bëre housewife” sepse zakonisht jam me fshesë në dorë ose duke gatuar gjatë bisedave tona në skype.

Të mungojnë gocat e grupit (Premenstrual syndrome)?

Gocat e grupit më mungojnë pafund, madje edhe më shumë se familja ndonjëherë (më fal mami :p), kemi kaluar shumë bashkë sidomos vitin e fundit.  Më shpesh takoja ato se familjen, në shkollë bashkë, jashtë shkolle bashkë, provat, të dalurit, udhëtimet, koncertet. Pak a shumë një familje e dytë.

Vajtja jote në Pragë ndërpreu ndonjë projekt me grupin?

 Ardhja ime në Pragë ndërpreu mundësinë për të prodhuar material të ri me grupin sepse duhet të jemi të gjitha prezente dhe të luajmë për të nxjerrë diçka të re, por edhe mundësinë për të patur shumë koncerte sepse gocat morën vendimin që nuk donin një zëvendësuese.

 Ke shumë projekte vetëm. Videot janë të regjistruara në një dhomë. Me kë bashkëpunon për projektet solo? Si i realizon? Çfarë rryme janë? A pëlqehet?

 Unë kam vetëm një projekt vetëm që quhet “Orchid”, asgjë interesante, thjesht emri im. :-P. Rryma është eksperimentale, dream pop, dark wave. Jam vetëm unë në projekt, që luaj secilin instrument. Zakonisht i regjistroj në laptopin tim me një kartë zëri, mikser të vogël dhe me programin Logic, duke lidhur dhe luajtur me rradhë secilin instrument.  Videot e mia janë thjesht video rastësore të regjistruara në udhëtime ose nga e përditshmja,  të regjistruara nga vetë unë me aparatin tim, më pas thjesht i grumbulloj dhe krijoj një kolazh sa për të patur një anë video-vizuale për këngët, jo thjesht një imazh ose foto. Me projektet solo bashkëpunoj vetëm me veten, çdo pjesë dhe detaj kujdesem vetë, nuk kam dikë tjetër të përfshirë që më ndihmon. Deri tani kam diku tek 9 këngë të miat vetëm. 2 prej të cilave janë projekte për klasën time të Sound Production këtu në Pragë.

Ke ndonjë projekt për të cilin po punon?

 Po nis një projekt të ri me të dashurin, pasi sapo përfunduam dhe ndërtimin e një home studio muzike të vërtetë kësaj radhe me kushte të duhura, por është akoma thjesht një plan sepse shkolla ma ka lënë disi muzikën në plan të dytë duke qenë se janë përfshirë dhe shumë module të reja arti tani si skulptura, piktura, video produksion, design grafik, sound design etj.  Në Pragë ka skenë të fort për punk-un dhe para disa ditësh patëm një Art Trade, panair për të shitur vepra arti dhe arrita të shes të gjitha CD-të e grupit tim.

Më mirë vetëm apo me grupin?

Nuk di të them më mirë vetëm apo me grupin. Më mirë vetëm kur punoj në shtëpi këngët e mia dhe më mirë me grupin për të shkuar në ture dhe koncerte dhe për të luajtur për një kauzë, nuk do ishte kaq qejf vetëm. Sado e pabesueshme të duket, udhëtimet tona nuk kanë qenë shumë ndryshe nga ato filmat e viteve 80 të rock ‘n roll.

 A ndryshon Orkida  kur punon vetëm nga Orkida me grupin?

 Sigurisht që ndryshoj vetëm dhe me grupin. Me grupin ka nje energji pozitiviteti po dhe agresioni kundra seksizmit në shoqëri sepse fundja jemi një grup feminist punk-u. Aty kam një anë më të fortë, më me attitude, ndërsa vetëm bien barrierat dhe del thjesht ana ime emocionale në pah.

Cili ka qenë qellimi i krijimit të grupit? Vazhdon grupi të punojë për të njëjtin qëllim?

Qëllimi i krijimit të grupit ka qenë parësisht për të patur një platformë për të nxjerrë fuqishëm fjalën tonë kundra misogjinisë të shoqërisë dhe për të përhapur feminizmin. Jo pak herë jemi cilësuar shembuj të këqinj dhe na janë ngjitur lloje lloje etiketimesh, por e bukura e të gjithës është që kjo është ajo që ne donim të nxisnim reagim; qoftë mbështetës apo kundërshtues. Po nuk pate transgresion dhe art kontroversial për të nxjerrë në pah çalimet e shoqërisë, askush nuk reagon.

Planet me grupin?

Grupi bisedon akoma çdo ditë ide, plane dhe aplikon nëpër festivale. Jo më larg se para dy javësh morëm një ftesë në Beograd për një festival feminist, por nuk kemi mundësi të shkojmë për shkak të shkollës së secilës prej nesh. Qëllimi mbetet gjithmonë i njëjtë edhe pse në periudhë qetësie akoma bluajmë në chat cila do jetë lëvizja rradhës.  Deri tani planet shtyhen për në gusht kur unë të kthehem në Shqipëri për rreth një muaj për pushimet e verës. Deri atëherë, planet e mia për pas shkolle janë një varg koncertesh dhe ekspozitash sepse është shumë e rëndësishme të ushqehesh vazhdimisht me art për të rezistuar në një shkollë arti. Sado e bukur të duket nga vetë emri, është tmerrësisht e vështirë. Ne midis studentëve kemi një shaka që secili prej nesh ka një skedul se sa herë në javë do flejë, dhe zgjedhjet e vështira në jetë janë “çfarë të bëj sot në kohë të lirë dush apo të ha ushqim”, etj shaka që çdo student arti do ti kuptojë.

loading...