Intervista/ Rrëfim: Si nisa të agjëroj, isha shumë e re, kalova një...

Intervista/ Rrëfim: Si nisa të agjëroj, isha shumë e re, kalova një sprovë…

647
0

Jemi në muajin e bekuar të Ramazanit dhe siç e dimë, shumica e besimtarëve myslimane, agjerojnë. Agjërimi gjatë Ramazanit është një nga detyrimet fetare të myslimanëve të përcaktuara në Kuran. Një besimtare ka folur ekskluzivisht për portalin “Vizion.com.al” dhe na ka treguar eksperiencën e saj në lidhje më agjerimin.

 

Përshëndetje, si quheni dhe sa vjeçe jeni dhe ku punoni?

Përshëndetje, unë quhem Valbona Çela, jam 48 vjeç. Punoj si estetiste thonjsh, manikyr-pedikyr, prej 11 vitesh.

 

Jemi në muajin e Ramazanit, ju agjeroni ?

Po, agjëroj. Jemi në muajin e shenjtë të Ramazanit, muaji i paqes, muaji i dedikimit, i adhurimit, i kërkimit të faljes, mëshirës, i shpërblimit nga i madhi Zot, në dallim nga muajt e tjerë, besimtaret janë më të orientuar drejt virtytit dhe veprave të mira.

 

-Sa  kohë keni që agjeroni?

Saktësisht nuk e di sa, por mund të them që kam më shumë se 15 vjet.

 

-Si keni nisur të agjeroni dhe çfarë ju bëri të nisni këtë ritual?

Zoti i Plotfuqishëm u thotë besimtarëve se praktika e të agjëruarit është cilësuar si një mjet për të fituar devotshmërinë. Por çfarë është devotshmëria? Devotshmëria është rrënja e çdo virtyti dhe vepre të mirë. Andaj, kur njeriu e ndjek siç duhet shtegun e virtyteve ai përfundimisht fiton afërsinë e Allahut të Plotfuqishmit, i cili është qëllimi më kryesor i agjëruesit. Çdo vepër e mire është të kënaqim Zotin tonë.

Kur kam filluar të agjeroj, në fakt nuk kisha këtë bindje që kam tani, por e nisa thjesht si një dëshirë duke pare nënën time në kohe agjerimi dhe i bashkëngjitesha asaj, sipër ta kënaqur atë dhe për të qënë bashkë me të, normal Nëna, gjeja më e shtrenjtë!

 

-Si ndiheni këtë muaj? Domëthënë çfarë ndryshimesh sjell agjerimi tek ju?

Ndihem vërtet ndryshe këtë muaj, ndjej një mirësi Brenda vetes time, më shumë se në muajt e tjerë, mundohem të jem më e kujdesshme, më e butë dhe më e paqtë, se në të gjithë muajt e tjerë. Të themi të vërtetën, në muajt e tjerë të vitit, nga rutina jemi më të pakujdesshëm në sjellje me njerëzit e pasjellshëm apo të papërgjegjjshëm. Pra, ky është muaji i paqës, i mirësisë. Ky muaj i Shenjtë duhet të na shërbejë për tu përmiresuar si njerëz më të devotshëm për Zotin në radhë të pare dhe për shoqerinë dhe të dashurit tanë.

Pak vite me para, isha shumë e re, kalova një sprovë, humba bashkëshortin, akoma bindja dhe besimi nuk ishte kaq i fortë sa sot, madje prej situates ku u gjenda shpesh thoja me vete “pse o Zot mua?” Por, shpejt kërkoja falje te i madhi Zot, për ndonjë fjalë të pamenduar mirë, që dilte nga shpirti im i dërrmuar dhe i vrarë.  Me vonë e mendoja që kjo fatkeqësi e imja, ishte një sprovë e madhe për mua një 24-vjeçare pa nisur akoma jetën. Zotit i kam kërkuar falje shumë për momentet e mija të dobëta. Pas dy-trevitesh të asaj që kalova, rinisa të agjeroj, pasi jeta e veshtirë, jo ajo ekonomike, por ajo shpirtërore më hutoi, më bëri që të lija disa vite agjerimin. Fati deshi qe pas disa vitesh, të kaloja përsëri një sprove tjetër, jo aq të vështirë sa e para, ai qe momenti që me kalimin me sukses të kësaj sprove, unë ta gjeja veten me besim më të fuqishem për Zotin se më parë. Qe atehëre, shpirti dhe mendja ime nuk reshtin më se besuari në Zot dhe agjeruari. Ndihem e bekuar nga i madhi Zot, me gjithë sprovat dhe vështirësitë pasi ato më kanë dhënë force dhe besim. Sot mund të kem mbi 12 vite që agjeroj pandërprerje, se përkushtuari me shpirt ne besimin dhe adhurimin për të madhin Allah!

 

-A është e vështirë të agjerosh?

Nëse agjerimi bëhet me besim, dashuri dhe përkushtim për të madhin Zot, asnjëhëre nuk është prezente vështirësia, përkundrazi dëshiron qe kur ai muaj vjen, të mos mbaroj.

Ndihem e shpërblyer nga i madhi Zot! Për çka kam dhe jam deri më sot, si në familjen time të shtrenjtë dhe në punë.

 

-Çfarë mesazhi mund të jepni në këtë muaj?

Mesazhe paqeje, mirësie, dashurie për të gjithë! Zoti iu udhezoftë në besim dhe rrugë të drejtë, të gjithë njerëzit këtu dhe në mbarë botën. Duhet të jemi më të sinqertë dhe të drejtë me njeri-tjetrin. Të respektojmë prinderit, familjen dhe të afërmit tanë. Të bëjmë vepra të mira. Zoti na faltë dhe na mëshirofte.

 

Intervistoi: Ester Kurrizo