I thjeshti Xhevdet Bajraj, poeti pa superpozim/Nga Leonard Veizi

I thjeshti Xhevdet Bajraj, poeti pa superpozim/Nga Leonard Veizi

567
0

Kliton Nesturi, Xhevdet Bajraj, Leonard Veizi

 

Duket sikur në libraritë e Shqipërisë, vëllimet poetike me titujt elegantë e kopertina joshëse, kanë mbetur në vendin e suvenireve, të paprekura. Prurjet janë aq të shumta sa duken si masë pa mbarim. Pyetja vetëm një: A lexohet poezi sot?  Situata bëhet edhe më e vakët po të mendosh se jetën tonë të përditshme, shumë të rëndomtë e krejt vulgare, e masim aq fort me mjetet teknike të kibernetikës.

…mundet të mos e lexosh poezinë, por nëse të recituar nga dikush tjetër e dëgjon…

 

Ushtarët e armikut në Kosovë

Kishin meny të pasur shqiptare

Në mëngjes

Qumësht nga gji të shqyer nënash

Dhe foshnje të palindura të ziera në zjarr shtëpish

Servirur me sy të zinj të kaltër apo ngjyrë kafe

Dhe nga një shishe lot të valë

Dikush kënaqej sall me nga një kokë të pjekur…

 

Ose unë nuk isha i përqendruar sa duhet dhe isha duke lundruar në një hapësirë imagjinare, ose mes meje dhe vargjeve që kishin filluar të troknin, si rrallëherë, po ndodhte një kimi e pazakontë.

Nuk po e besoja dot. Ishte një poezi. Fjalë të shqiptuara ethshëm që kthyen vëmendjen time në një masë përqendrim të panevojshëm, ndoshta njëqind e njëzet për qind, a diçka më shumë. E pra ishte e mjaftueshme vetëm nëntëdhjetë për qind, ndoshta dhe më pak, dhe sërish do të kisha marrë të njëjtin emocion.

Por jo…

Autori, që në pamje të parë dukej njeri i thjeshtë, mbante në kokë një kapele republike fine. Edhe me ecjen e tij gjithashtu të qetë, të krijonte ndjesinë dhe vetë reflektimin e energjive pozitive. Miqtë e mi më thanë se vinte nga Meksika e largët, ku pavarësisht viteve dhe largësisë po aq shqiptar kishte mbetur në shpirt, sa dhe kur ishte larguar në vitin po aq të largët 1999. Dhe quhet Xhevdet Bajraj. Poet me nam në ato anë.

Ndihesha ligsht që nuk e njihja, dhe më vinte të haja veten me dhëmbë që isha aq i papërgatitur sa kisha përtuar t’i hidhja dhe një sy internetit.

Por ndoshta më mirë që ndodhi kështu.

Surpriza ishte e pamëshirshme.

 

Në drekë

Zemra të plasura të të gjitha moshave

Të ziera në lëng eshtrash në njërën anë

Dhe mish kurrizi të pjekur në gacë

Përcjellë me tru të fërguar fëmijësh

E sallatë klithmash spërkatur me uthull tmerri

Dhe nga një litër e gjysmë gjaku vashash të dhunuara…

 

Xhevdeti i recitonte vetë vargjet e tij, me një ritëm të pazakontë, si rënkimi i rrotave metalike të trenit tek përplasen mbi shina e binarë apo fishkëllima e një avioni supersonik i cili ka marrë lartësi duke çarë qiellin, të përziera aty-këtu e të ndara hera-herës.

 

Në darkë

Mushkëri të zeza e të bardha

Aty këtu ndonjë veshkë

Mish fëmije të përzier me gjakun e nënave

Ca tul plake a plaku pjekur në hell

Njelmësuar me kripën që nxirrej nga lotët

 

Ej, çfarë po ndodh kështu. Krejt papritur ndihesha në një marramendje. Isha përfshirë i tëri në një vorbull magjike e cila kishte filluar të ma mpinte trurin vazhdimisht. Mos isha droguar gjë, dhe fjalët injektoheshin në vena me një frymë që shponte më shumë se vetë gjilpëra?

 

Në meskohë

Bluanin vesh të majtë e të djathtë

Gishtërinj duarsh e këmbësh

Aty këtu ndonjë hundë të përgjakur

Dhe ëndrrat tona të thara në murin e pushkatimit

 

Mund të vajtoje e  të vije kujën… Por jo. Nuk kish vend për trishtim. As për të kthyer në kohë një ngarkesë historike ku të dëshpëroheshe deri në marrëzi. Në fakt më kishte përfshirë një valë entuziazmi i paparë…

…poezia e vërtetë, ajo që shpesh na humbet kur e kërkojmë, ishte aty, vargje delikate që përshkruanin gjëmën. Ishin fare pranë, fjalë e togfjalësha, të ndjeshme dhe krejt e prekshme nëse doje.

Ndihesha dyfish i turpëruar.

E pra, ç’është e vërteta, prej vitesh nuk është se poezisë i kisha dhënë ndonjë vëmendje të veçantë në leximet e mia. Dritën e “diellit” ma kishte zënë herë Dan Braun, e herë Kahled Hoseini, herë Pambuku e herë Murakami.

Por u desh një pasdite mesviti dhe u ktheva tek zanafilla.

Në korrikun e vitit 2018 Tirana përjetonte ditët më të nxehta të vitit. Ndërsa unë, në një lartësi prej 1150 metrash mbi nivelin e detit, nën një fllad të freskët sa të ngjethej mishtë, furnizoja pjesën e zbrazët të shpirtit me poezi shqiptare.

Klubi poetit “De Rada” me qendër në Ferizaj, organizonte takimin e dytë “Muzat e Jezercit” në rang shqiptarësh, me poetë e prozatorë, e pa asnjë të huaj. Ndodhesha aty si i ftuar.

 

Gazmend Bytyçi, kryetari i këtij Klubi, na bëri të ditur që në fillim se aktiviteti treditor, nuk kishte asgjë të përbashkët me kumtesa akademikësh. Në majë të Jezercit, tek një pllajë ku të “mbyste” gjelbërimi, në një ceremoni pa protokoll e për më tepër pa kollare, por me bluza ku stampoheshin heronjtë e muzikës metal, mund të shijoje verë dhe poezi së bashku.

Dhe pikërisht aty për herë të parë u njoha me poezinë e Xhevdet Bajrajt.

Duhet ta kisha njohur më parë këtë superpoet, apo poet pa superpozim, siç mendova ta quaja njëherë me mendjen time.

Ai recitonte e unë nuk arrija ta besoja. Nuk e mbaja mend që kur nuk kisha shijuar një ritëm të tillë poetik. Ndoshta që prej Migjenit…

Nuk ishin vargje dekadente, as poezi për dashurinë e tradhtinë të marra bashkë, madje nuk flitej as për “malet me blerim” dhe as për “kodra e lugina”. Por thuhej gjithçka.

-Na recito dhe një poezi tjetër o Xhevdet!

Dhe ai nis nga fillimi:

 

Për shëndetin e nënës sime

nganjëherë pi raki

të fortë si loti…

 

Botuar në: