Historia e Eminesë. Si u largua nga tronditja gruaja e Ali Pashës

Historia e Eminesë. Si u largua nga tronditja gruaja e Ali Pashës

744
0

Pasi administroi Thesalinë në këtë mënyrë për disa vjet, Aliu i hodhi sytë nga krahina e Janinës. Nëse do të shtinte në dorë Janinën, ai do të bëhej njeriu më i pushtetshëm në Epir, gjë që do t’i mundësonte asgjësimin e të gjithë armiqve të tij dhe sundim absolut në tre rajone të Shqipërisë.

 

Por, përpara se të shënonte suksesin e radhës, Aliut i duhej të vinte në zbatim makinacionet e tij për të nxjerrë jashtë loje Pashain e Janinës. Për fat të mirë të Aliut, ky Pasha ishte njeri i dobët dhe i mefshtë – i pazoti për t’i bërë ballë një rivali aq dinak e mizor sa Aliu; kështu që ai filloi të vinte në zbatim një plan nëpërmjet të cilit do të përmbushte më tej ambicien për pushtet. Bëri një pakt me të njëjtët armatolë që, pak kohë më parë, i kishte trajtuar brutalisht. U dha armë e municione dhe i liroi që të plaçkitnin krahinën që ai synonte ta zotëronte. Shumë shpejt krahina e Janinës u bë arenë plaçkitjesh, zhvatjesh, pengmarrjesh e vrasjesh. Pashai, duke mos qenë në gjendje të sprapste sulmet barbare të këtyre malësorëve kokëshkretë e gjakatarë, mobilizoi edhe ato pak trupa, me të cilat kishte shtypur revoltat e banorëve të luginave, që tashmë qenë bërë pre e armatolëve plaçkitës. Aliu shpresonte se Porta e Lartë, e cila zakonisht merrte vendime vetëm pasi ndodhnin ngjarje të këtilla, duke parë se Epiri ishte katandisur si mos më keq, ndërsa Thesalia lulëzonte nën administrimin e tij, do t’i besonte shumë shpejt qeverisjen e të dyja pashallëqeve. Mirëpo ndodhi një tragjedi familjare, që shmangu për ca kohë rrjedhën e manovrave të tij politike.

 

Për shumë kohë, nëna e tij Hanko kishte vuajtur nga kanceri në mitër  – rezultat i një jete të shthurur. Duke e ndjerë se po i vinte fundi, ajo dërgonte tek i biri lajmëtar pas lajmëtari me qëllim që ai ta takonte përpara se ajo të ndërronte jetë. Kur gjendja e saj shëndetësore u përkeqësua, ai u nis drejt Tepelenës, por arriti shumë vonë. Gjeti të motrën, Shanishanë, duke vajtuar mbi trupin e pajetë të nënës së tyre, e cila kishte dhënë grahmën e fundit para një ore. E pushtuar nga tërbimi dhe duke vjellë vrer kundër Perëndisë, Hankoja u kishte lënë amanet fëmijëve të saj – duke rënkuar nga dhembjet e duke mallkuar për fatkeqësitë që i kishin ndodhur në jetë – t’i plotësonin një për një dëshirat e saj të fundit. Pasi i bënë nderimet e rastit, mes hidhërimit të vdekjes së nënës së tyre, Aliu dhe Shanishaja lexuan bashkërisht letrën ku përshkruhej amaneti i Hankos së ndjerë. Ajo kërkonte që të kryheshin disa vrasje të veçanta, përmendte fshatra të ndryshëm, të cilët, një ditë, duhej të shkrumboheshin, dhe urdhëronte që sa më shpejt të ishte e mundur të shfaroseshin nga faqja e dheut banorët e Hormovës dhe Kardhiqit, të cilët i kishin shkaktuar tmerret më të padurueshme në jetë.

 

Pasi i këshillonte fëmijët e saj të qëndronin të bashkuar, të shtonin pasurinë, të kishin ushtri sa më të madhe dhe të mos u besonin verbërisht njerëzve pasi ata të zhgënjenin, Hankoja i jepte fund letrës duke iu lutur atyre që në emër të saj të dërgonin një haxhi në Mekë, i cili të vendoste një flijim tek varri i Pejgamberit që shpirti i saj të prehej në paqe. Pasi lexuan me vëmendje amanetet e fundit, Aliu dhe Shanishaja, me duart shtrënguar, mbi eshtrat e së ëmës, u betuan se do t’i përmbushin porositë e lëna nga Hanko në shtratin e vdekjes.

 

Fillimisht menduan për pelegrinazhin. Një pelegrin mund të dërgohej në Mekë në emër të Hankos dhe të linte flijimin në varrin e Medinës. Dhurata duhej të ishte diçka e marrë apo e blerë në mënyrë të ligjshme për këtë qëllim. Vëlla e motër këqyrën me kujdes sendet e vyera të familjes, dhe pas një shqyrtimi të gjatë, menduan se e kishin gjetur gjënë e duhur: një pronë të vogël me të ardhura rreth pesëmbëdhjetë mijë franga, e trashëguar nga stërgjyshi i tyre, themeluesi i dinastisë tepelenase. Por, pas hulumtimeve të mëtejshme, ata zbuluan se kjo pronë i qe marrë forcërisht një të krishteri. E kështu hoqën dorë nga ideja e një pelegrinazhi dhe një flijimi të shenjtë. Ranë dakord që gjynahet do të laheshin vetëm nëse kryenin një hakmarrje zulmëmadhe që do të shokonte gjithë botën. U betuan që do të shkatërronin pa pikë mëshire të gjithë armiqtë e familjes së tyre.

 

Mënyra më e mirë për përmbushjen e këtij zotimi të kobshëm ishte vazhdimi i forcimit të pozitave të Aliut, pikërisht aty ku e kishte lënë. Ai ia doli të merrte nën kontroll pashallëkun e Janinës, që iu dha nga Porta e Lartë si “arpalik” apo zotërim. Ishte traditë e vjetër, tipike për normat luftarake të otomanëve, që të jepeshin në të tillë mënyrë krahina ose qytete që nuk i bindeshin autoritetit të Sulltanit. Dhe Janina, në ato kushte, konsiderohej një “arpalik”. Ky pashallëk popullohej kryesisht nga shqiptarët, të cilët e admironin zellshëm anarkinë që e quanin me dinjitet me emërtimin “Liri” dhe të cilët e mendonin veten të pavarur, duke qenë se ia dilnin të shkaktonin aq shumë trazira sa autoritetet zyrtare nuk u bënin dot ballë. Çdo shqiptar jetonte brenda kufijve të lirisë së tij siç do të bënte në një kështjellë në mal dhe nuk ia lejonte vetes të mos dilte për të marrë pjesë në çdo konflikt që mund të përfshihej tarafi i tij. Sa për pashallarët, ata vegjetonin në kështjellën e tyre buzë liqenit dhe gjithkush e dinte ku t’i gjente në rast se kërkohej ndonjë opinion.

 

 

Për pasojë, lajmi për emërimin e Ali Pashës u prit me zemëratë popullore; banorët ranë dakord unanimisht që një njeri që kishte mbjellë frikë e tmerr kudo ku kishte shkelur, nuk duhej të pranohej brenda mureve të Janinës. Aliu vendosi të vepronte me maturi. Duke mos rrezikuar forcat e tij në një betejë frontale kundër një populli luftarak dhe duke zgjedhur një mënyre më të avashtë por më të sigurt për të sunduar qytetin, Aliu filloi plaçkitjen e fshatrave dhe çifligjeve që u përkisnin rivalëve të tij më të përbetuar. Strategjia e tij rezultoi e suksesshme. Duke parë se pronat po u shkatërroheshin çdo ditë dhe duke kuptuar se i priste rrënimi nëse armiqësitë vijonin, po ata persona që kishin vjellë vrer kundër djalit të Hankos dhe kishin qenë të parët që kishin deklaruar se më mirë të vdisnin sesa t’i dorëzoheshin tiranit, u angazhuan për vendosjen e paqes. Lajmëtarët iu dërguan Aliut në fshehtësi; do të pranohej krahëhapur në Janinë nëse ai do të respektonte dhe do të mbronte jetët dhe pronat e aleatëve të tij të rinj. Aliu u premtoi çfarëdo lloj kërkese dhe hyri në qytet gjatë natës. Pikësëpari ai u paraqit përpara një kadiu, të cilin e detyroi të regjistronte dhe të shpallte fermanët që i jepnin atij autoritet të plotfuqishëm.

 

Në të njëjtin vit kur Aliu u emërua në këtë ofiq kaq të lartë, me të vërtetë dëshira dhe qëllimi i gjithë jetës së tij, vdiq Sulltan Abdul Hamidi dhe dy djemtë e tij u izoluan në pallatin e vjetër mbretëror. Megjithatë, ky ndryshim sundimtarësh nuk ndikoi në karrierën e Aliut; Sulltani Selimi, reformator dhe paqësor, i cili, në këmbim të burgut ku u futën nipërit e tij, zgjodhi fronin e babait të tyre, miratoi ndër të tjera edhe titujt, ofiqet dhe privilegjet e Pashait të Janinës, që i qenë dhënë nga Sulltani i mëparshëm.

 

I emëruar në pozicionin e tanishëm me ferman të Sulltanit, Aliu iu përkushtua zgjidhjes përfundimtare të kërkesave të tij. Tani ishte pesëdhjetë vjeç dhe në kulmin e zhvillimit të tij intelektual: përvoja mund të quhej mësuesja e tij, kishte nxjerrë mësim nga çdo ngjarje. Një mendje e paarsimuar me tekste shkollore, por tejet e mprehtë dhe zhbiruese, i krijonte mundësinë të kuptonte faktet, të analizonte shkaqet dhe të parashikonte pasojat; dhe ndërsa çështjet e zemrës nuk ndërhynin kurrë në konkluzionet e nxjerra nga inteligjenca e tij djallëzore, me anë të një lloj sekuence logjike ai kishte thurur një plan veprimi të përkryer. Ky njeri, kryekëput i paditur, jo vetëm për idetë e historisë, por edhe për emrat e mëdhenj të Europës, kishte arritur të zbulonte intuitivisht dhe – si rrjedhojë natyrale e karakterit të tij impulsiv dhe praktik – të kuptonte Makiavelin, siç demonstrohet në qindra raste në shpalosjen e madhështisë së tij dhe ushtrimin e pushtetit të tij. Duke mos besuar në Zot, duke përçmuar njerëzit, duke dashuruar vetëm vetveten, duke ëndërruar vetëm për vetveten, duke dyshuar tek të gjithë rreth tij, i guximshëm në ideim, i patundur në vendosmëri, i paepur në veprim, i pamëshirshëm në hakmarrje, herë pas here i pacipë, i përulur, i dhunshëm ose i zhdërvjellët – në varësit të rrethanave, gjithmonë dhe plotësisht i logjikshëm në egoizmin e tij, ai është Çezar Borxhia i rilindur mysliman; ai është modeli ideal i mishërimit të politikës fiorentinase – princi italian i konvertuar në satrap.

 

Mosha nuk ndikonte aspak në fuqinë dhe dinamizmin e Aliut; asgjë nuk e pengonte të shfrytëzonte privilegjet e pozicionit të tij. Edhe pse tashmë në zotërim të pasurive të mëdha, ai vazhdimisht përdorte çdo mjet për ta shtuar edhe më tepër. Ishte kjo pasuri që i garantonte një forcë të madhe dhe të përkushtuar luftarake. Ai bashkoi në një zyrat e Pashait të Janinës dhe Toparkut (sundimtarit) të Thesalisë, si dhe atë të dervenxhi-pashait (ruajtësit të udhëve). Në ndihmë të rritjes së reputacionit të tij në lidhje me aftësinë për terror me anë të grykës së pushkës dhe autoritetin e tij si sundimtar, kishte në krah dy djemtë, Myftarin dhe Veliun, pasardhës me bashkëshorten Emine, të dy tani të rritur dhe të mbrujtur me parimet e të atit.

 

 

Sapo shtiu në dorë kontrollin e Janinës, Aliu nisi fushatën për asgjësimin e bejlerëve që formonin aristokracinë e krahinës, për urrejtjen e të cilëve ai ishte i vetëdijshëm dhe komploteve të të cilëve ai u frikësohej. I eliminoi të gjithë; një pjesë të tyre i dëboi nga vendi, të tjerë i ekzekutoi. Nuhatja ia thoshte se duhej të bënte miq, të cilët do të zëvendësonin postet e lëna bosh nga armiqtë e rrënuar. Kështu që ai u dha dorë shqiptarëve duke i pasuruar me pronat e konfiskuara dhe duke i emëruar në pozicione të rëndësishme. U tregua shumë i kujdesshëm që të mos lejonte që pushteti të binte në duart e një kaste të vetme. Edhe pse i huaj në Janinë, Aliu, duke vënë në zbatim një risi për ato anë, krijoi një administratë të përzierë me shqiptarë dhe grekë ortodoksë – këta të fundit njerëz të zotë por të përbuzur, aftësitë e të cilëve ai mund t’i shfrytëzonte pa u ndjerë i kërcënuar për influencën e tyre. Pra, nga njëra anë ai u përpoq që armiqtë e tij të mos kishin pushtet duke i privuar nga autoriteti dhe pasuria, nga ana tjetër ai forcoi pozitat e tij duke krijuar një administratë të konsoliduar. Në këtë mënyrë, ai përdori të gjitha mjetet e mundshme për të fituar popullaritet. Besimtar i zjarrtë i Muhamedit mes myslimanëve fanatikë, materialist mes bektashinjve, ithtarë të një panteizmi të vrazhdë, i krishterë mes grekëve, me të cilët ngrinte dolli për Virgjëreshën e Shenjtë, ai i bënte të gjithë për vete. Ndërkohë që ndaj vartësve ai mund të shfaqte luhatje humori dhe shpesh nuk e hante shumë meraku për qëndrimet e tyre, ndaj eprorëve ruante një linjë sjelljeje që nuk e shkelte kurrë. Lajkës ndaj Portës së Lartë për aq kohë sa ajo nuk ndërhynte në autoritetin e tij privat, ai jo vetëm që i shlyente të gjitha detyrimet ndaj Sulltanit, të cilit mund t’i jepte paradhënie ose mund t’i ofronte ndonjë shumë parash në shenjë respekti, por gjithashtu ai u mbushte rregullisht xhepat ministrave me më shumë influencë në Stamboll. Ishte i prirë të mos krijonte armiq që mund të minonin pushtetin e tij, dhe ishte i vetëdijshëm se në një qeverisje absolute askush nuk i kundërvihej pushtetit të parasë.

 

Pasi konsolidoi pushtetin duke asgjësuar fisnikët, duke mashtruar popullin me premtime boshe dhe duke nanuritur vigjilencën e Portës së Lartë, Aliu vendosi se kishte ardhur koha të lante hesapet me Hormovën. Në rininë e tij, ai kishte përjetuar turpin e disfatës, dhe për tridhjetë net Hanko dhe Shanishaja qenë trajtuar si prostituta nga luftëtarët hormovitë. Kështu, Pashai i pamëshirshëm do të ndërmerrte një ndëshkim të dyfishtë; kishte një hak të dyfishtë për t’u larë.

 

Këtë herë, i sprovuar me sfidat, ai do të përdorte artin e tradhtisë. Me të arritur në kala, ai negocioi me hormovitët duke iu premtuar një amnisti; të gjithë do të faleshin, madje një pjesë e tyre do të shpërbleheshin. Hormovitët, tashmë të entuziazmuar se po bënin paqe me një rival, rreth bëmave e tmerreve të të cilit flitej gjithandej, kërkuan armëpushim me qëllim që të sheshonin problemet. Pikërisht këtë gjë kishte parashikuar edhe Aliu. Hormova, duke besuar tek traktati i paqes, u sulmua në befasi dhe ra në duart e Aliut. Të gjithë ata që nuk arritën të shpëtonin, u vranë brutalisht në errësirën e natës, ose nga dora e xhelatit të nesërmen në mëngjes. Ata që i kishin dhunuar nënën dhe motrën, do të përjetonin hakmarrje të llahtartë. Qofshin fajtorë apo thjesht të akuzuar, u çau trupat tejpërtej duke i futur në hell, u shqeu mishin me masha të përvëluara dhe i poqi ngadalë mes dy zjarreve; grave u rruan kokat, i fshikulluan në publik dhe më pas i shitën si skllave.

 

Fisnikët e krahinës, akoma të parrënuar krejtësisht, u detyruan ta ndiqnin këtë spektakël tragjik hakmarrës dhe jashtëzakonisht tronditës. Kjo ishte një fitore vendimtare për Aliun. Fshatra, qytete, krahina, të tmerruara nga mizoria e pakufishme, u dorëzuan pa shtënë një pushkë të vetme. Emri i Aliut, i cili personifikonte atë masakër që lartësohej si një vepër e lavdishme në sytë e këtij populli të egër, jehoi si rrufe nga lugina në luginë dhe nga mali në mal. Me qëllim që edhe të gjithë bashkëluftëtarët e tij të bëheshin pjesë e këtij gëzimi, Aliu shtroi një banket madhështor – siç i kishte hije kësaj fitoreje të shumëpritur. Një festë njerëzish të harbuar, e pangjarë më parë, muhamedane vetëm në emër. Vetë Aliu udhëhiqte korin e burrave gjatë kërcimeve pirrike dhe kleftike – rite luftëtarësh e kusarësh. Vera vërshonte lumë; ngado shqyhej mish deleje, dhie dhe qengji, që piqej në zjarre bubulake, zjarre mbi rrënojat e Hormovës së përcëlluar; nuk munguan as vallet me shpata, lojërat antike të gjuajtjes me hark, mundje mes burrave më të fuqishëm; fituesit shpërbleheshin nga dora e prijësit të tyre. Më pas u nda plaçka e vjedhur, skllevërit dhe gjedhët; japigët, që i konsideronin si më barbari ndër katër fiset që përbënin racën shqiptare dhe si llumi i ushtrisë, morën me vete në malet përgjatë Jonit, dyer, dritare, gozhda, madje edhe tjegulla të shtëpive, të cilat qenë përpirë nga flakët.

 

Sidoqoftë, Ibrahimi, pasuesi dhe dhëndri i Kurt Pashës, nuk mund të luante rolin e spektatorit indiferent në këtë kasaphanë, teksa një pjesë e krahinës së tij qe pushtuar nga fqinji i tij ambicioz. Ai bëri ankesë zyrtare dhe kërkoi negocim. Por, duke mos u përmbushur kushtet e parashtruara prej tij, ai mobilizoi një ushtri të përbërë nga shqiptarë të Toskërisë, të gjithë myslimanë, të kryesuar nga vëllai i tij, Seferi, Beu i Vlorës. Aliu, i cili kishte aplikuar politikën e rivalizimit në mënyrë të alternuar të Kryqit kundër Gjysmëhënës dhe Gjysmëhënës kundër Kryqit, thirri në ndihmë të tij prijësit e krishterë të maleve, të cilët zbritën fushave në krye të luftëtarëve të panënshtruar. Siç ndodh përgjithësisht në Shqipëri, ku lufta është thjesht një pretekst për plaçkitje, në vend që t’i zgjidhnin mosmarrëveshjet në fushën e betejës, të dyja palët u mjaftuan me djegien e fshatrave, varjen e fshatarëve dhe vjedhjen e bagëtive.

 

Gjithashtu, sipas zakonit të vendit, gratë ndërmjetësonin mes palëve luftuese. Paqedashësja Emine i parashtroi propozime për paqe Ibrahim Pashës, i cili donte të arrinte një marrëveshje të pranueshme sa më parë pasi kjo gjendje lufte ishte shumë e disfavorshme për të. U sajdis një lidhje familjare, sipas së cilës Aliu mbante territoret e pushtuara, të cilat konsideroheshin si prikë e së bijës më të madhe të Ibrahimit, e cila u martua me të birin më të madh të Aliut, Myftarin.

 

U shpresua se kjo do të ishte një paqe jetëgjatë, por martesa, e cila vulosi traktatin, akoma nuk ishte bërë kur shpërtheu një tjetër grindje mes pashallarëve. Pasi Ibrahim Pasha kishte bërë lëshime të shumta për shkak të dobësisë së tij, Aliu dukej i pangopur. Por Ibrahimi kishte në krah dy persona të pajisur me aftësi të pazakonta dhe forcë karakteri. Këta dy persona me ndikim të madh tek Ibrahimi ishin bashkëshortja e tij, Zaideja, dhe i vëllai, Seferi, i cili kishte komanduar trupat në luftën e sapopërfunduar. Ata tregoheshin armiqësorë ndaj Aliut, i cili nuk kishte shpresa për t’i korruptuar. Ndaj, ai vendosi t’i hiqte qafe.

 

Duke qenë se në rini të tij Kurt Pasha e kishte mbajtur afër Aliun, ky i fundit kishte tentuar t’i joshte vajzën, tanimë gruaja e Ibrahimit. Pasi u zbulua nga Kurt Pasha teksa po kapërcente murin e haremit, Aliu mori arratinë dhe u largua nga Berati. Në përpjekje për të rrënuar gruan që e kishte refuzuar kohë më parë, Aliu i dërgoi fshehurazi Ibrahimit letra anonime, në të cilat e paralajmëronte se Zaideja donte ta helmonte me qëllim që të martohej më vonë me Ali Pashën, burrin që ajo kishte dashuruar gjithmonë. Në një vend si Perandoria Otomane, ku të dyshosh për një grua do të thotë ta akuzosh atë, dhe akuza është e barasvlershme me ndëshkimin, me një shpifje të tillë Zaidesë së pafajshme mund t’i pritej koka. Por, megjithëse Ibrahimi tregohej shpeshherë i dobët dhe i mefshtë, ai ishte gjithashtu besatar dhe bujar. Ai ia tregoi letrat së shoqes, e cila nuk e pati të vështirë të mbronte veten dhe e cila e paralajmëroi Ibrahimin që të ruhej nga letërshkruesi, qëllimi i të cilit merrej lehtë me mend; në këtë mënyrë, kjo intrigë e neveritshme pati për Aliun efektin e kundërt. Por Aliun pak e shqetësonte fakti se çfarë thoshin a mendonin të tjerët rreth tij; për më tepër, as nuk dekurajohej nga ndonjë dështim i rastit. Ai thjesht sa thurte makinacione kundër armikut të radhës; kësaj herë i ujdisi gjërat aq mirë sa të mos dështonte përsëri.

 

Në Zagori, një krahinë e njohur për mjekë të zot, Aliu u lidh me një shëronjës sharlatan, i cili mori përsipër të helmonte Sefer Beun në këmbim të një shume të majme parash. Me thurjen e planit vrastar, zuzari u nis për në Berat; u akuzua menjëherë nga Aliu gjoja për mospagim taksash dhe gruaja e fëmijët iu arrestuan; në fakt ata mbaheshin si pengje që do ta pësonin keq nëse krimi i “doktorit” zbulohej e ai do të tregonte. Sefer Beu, i informuar për këtë ngjarje nga letrat që Aliu i dërgonte Pashait të Beratit, në të cilat i kërkonte dorëzimin e të arratisurit, mendoi se një njeri që persekutohej nga armiku i tij, do të tregohej besnik ndaj atij dhe e punësoi “doktorin” që shtirej si i arratisur. Siç pritej, tradhtari e shfrytëzoi më së miri mikpritjen e mbrojtësit naiv, u bë doktori e farmacisti i tij i besuar dhe i dha helm në vend të ilaçit sapo Beun e kapi një sëmundje e lehtë. Sapo u shfaqën simptomat e vdekjes, vrasësi u arratis, i ndihmuar nga agjentët e Aliut, të cilët qenë të shumtë në Berat. Ai u paraqit përpara Ali Pashës në Janinë për të marrë shpërblimin për krimin e kryer. Aliu e falënderoi për punën e bërë dhe i tha që të paraqitej tek shefi i thesarit. Sapo zuzari doli nga sarajet, rrugës për të marrë shpërblimin e merituar, atë e kapën cubat e Aliut, të cilët e ekzekutuan në trekëmbësh. Në këtë mënyrë, duke ndëshkuar vrasësin, Aliu – me një goditje – nuk i paguante borxhin që i detyrohej, hiqte qafe të vetmin dëshmitar të vrasjes, dhe kinse demonstronte dhembshurinë e miqësinë për viktimën! I pakënaqur me kaq pak gjak të derdhur, ai u përpoq sërish të hidhte dyshime mbi gruan e Ibrahim Pashës, të cilën e akuzonte se ajo qe treguar xheloze në lidhje me ndikimin që kishte ushtruar në familjen e tyre Sefer Beu. Këtë gjë ai e përmendte shpesh në biseda të ndryshme, në letrat që dërgonte në Stamboll, dhe kudo ku mund të përfitonte nga shpifjet për familjen, së cilës ia kishte vënë syrin ta rrënonte me qëllim që t’u merrte pasuritë. Nuk kaloi shumë kohë dhe ai u hoq sikur nuk mund ta pranonte këtë skandal të nisur nga ai vetë. Mobilizoi një ushtri me qëllim që, thoshte ai, të vinte në vend nderin e mikut të tij të ngushtë Sefer Beut. Mirëpo, ai u akuzua nga Ibrahim Pasha, i cili organizoi kundër tij një aleancë të krishterësh nga Thesprotia me në krye suljotët, fama e të cilëve si trima kishte marrë dhenë; suljotët ishin nga ata njerëz që nuk mund të duronin zgjedhën e askujt, ndaj kishin luftuar historikisht për pavarësi.

 

Pas disa betejash, në të cilat armiku i tij pati përparësi, Aliu filloi negociatat me Ibrahimin, dhe më në fund ata ranë në ujdi të nënshkruanin një traktat për vendosjen e paqes. Aleanca e re, ashtu si e para, do të kurorëzohej me një martesë. E virtytshmja Emine, duke lidhur djalin e saj Veliun me vajzën e dytë të Ibrahimit, besonte se konflikti mes dy familjeve do të shuhej dhe ndihej shumë e lumturuar. Por gëzimi i saj nuk do të zgjaste shumë; vajtimet e një vdekjeje do të dëgjoheshin sërish mes këngëve e valleve të dasmës.

 

Të bijën e Shanishasë, nga burri i parë, Aliu e pati martuar me Murat Beun e Këlcyrës. Që prej vdekjes së Sefer Beut, ky fisnik që kishte lidhje farefisnore me Ibrahim Pashën, urrehej nga Ali Pasha, për shkak se Murati tregonte nderim dhe devotshmëri ndaj padronit të tij, mbi të cilin kishte influencë të madhe dhe nga i cili asgjë nuk mund ta ndante. Finok në fshehjen e të vërtetës me lloj-lloj justifikimesh, Aliu shprehej se shkaku i kësaj urrejtjeje ndaj këtij djaloshi ishte se ky i fundit, ndonëse bashkëshort i mbesës së tij, ishte rreshtuar në krah të armiqve të tij në disa beteja. Për këtë arsye, Ibrahimi, si njeri i përzemërt që ishte, kërkonte ta shfrytëzonte traktatin dhe martesën edhe për të pajtuar Murat Beun me dajën e gruas së tij, ndaj ai e caktoi “kryetar të grupit të krushqve”. Me anë të kësaj detyre, Murat Beu ngarkohej të shoqëronte nusen për në Janinë. Ai e kreu misionin e tij siç i takonte një njeriu të rangut të tij, dhe u prit nga Aliu me nderime të mëdha. Dasma filloi me ardhjen e krushqve nga fundi i nëntorit 1791, dhe u festua për disa ditë derisa papritmas u hap fjala se dikush kishte qëlluar drejt Ali Pashës, i cili kishte shpëtuar për mrekulli; por atentatori nuk qe kapur. Ky lajm terrorizoi qytetin; gjithkush ndihej i frikësuar se mos e konsideronin fajtor. Spiunët u shpërndanë gjithandej, por ata deklaruan se hetimet nuk po i shpinin gjëkundi; në këto rrethana, jeta e Ali Pashës ishte në rrezik; me siguri që po thurej një komplot i kurdisur nga njerëz me pushtet; të paktën këto qenë fjalët që përhapnin njerëzit e Aliut. Ali Pasha ankohej se ngado qe rrethuar nga armiq, dhe shpalli se, që nga ai moment, në takimet personale do të priste vetëm një person, i cili duhej të dorëzonte armët përpara se të futej në hollin ku kishin akses vetëm truprojat e tij. Ky holl ishte një dhomë e ndërtuar mbi një kupolë, ku hyhej nga një deriçkë e fshehtë, pasi ngjisje një shkallare lëvizëse.

 

Pasi qëndroi i fshehur në këtë dhomë që i ngjante një kafazi pëllumbash, ku priste vetëm korrierët e tij, Aliu kërkoi të takohej personalisht me Murat Beun, të cilin e quante nip, me qëllim që t’i dorëzonte atij në mirëbesim dhuratat e dasmës. Murati e konsideroi këtë pritje të veçantë si shenjë respekti dhe pranoi me ngazëllim përgëzimet e miqve të tij. Ai u paraqit tek kupola në orën e caktuar; rojet në fund të shkallares i kërkuan armët, të cilat ai i dorëzoi pa më të voglin problem. Më pas ngjiti shkallët gjithë gëzim. Sapo deriçka u mbyll pas tij, një plumb pistolete, i qëlluar nga një qoshe e errët, i depërtoi mespërmes njërës shpatull; ai ra përdhe, por u ngrit dhe tentoi të largohej. Aliu doli nga skuta ku qe fshehur, dhe iu hodh përsipër. Pavarësisht plagës, Beu i ri u mbrojt dhe kërkoi ndihmë duke lëshuar britma të tmerrshme me sa i hante fyti. Pashai që donte të mbaronte punë sa më shpejt, duke parë se nuk mund ta mbyste aq lehtë me duar, mori një dru zjarri nga vatra dhe e goditi nipin në fytyrë. Me këtë goditje vdekjeprurëse, Aliu i dha fund veprës së tij gjakatare. Me të dhënë shpirt Murati, Aliu filloi të bërtiste duke kërkuar ndihmë. Kur brenda hynë rojet, ai u tregoi atyre shenjat ku Murati e kishte goditur dhe gjakun që e kishte mbuluar. U tha se e kishte vrarë për vetëmbrojtje. Urdhëroi ta kontrollonin. Iu gjet një letër, të cilën vetë Aliu ia kishte futur në xhep. Në letër jepeshin të dhëna në lidhje me komplotin e supozuar.

 

Letra komprometonte edhe vëllanë e Muratit. E arrestuan menjëherë dhe e ekzekutuan pa i dhënë mundësinë të mbrohej në gjyq. Oborrtarët e Janinës u gëzuan pa masë; askush prej tyre nuk u fajësua. Do t’i dërgoheshin falënderime Zotit përmes flijimeve të kafshëve, gjë që bëhet akoma në Lindje për të festuar shpëtimin nga ndonjë rrezik apo fatkeqësi. Madje Aliu urdhëroi lirimin e disa të burgosurve në shenjë mirënjohjeje për Zotin që e mbrojti nga një krim kaq mizor. Miq të tij e nderuan me vizita duke i uruar Pashait jetë të gjatë. Aliu bëri një shfajësim që u vërtetua nga një deklaratë zyrtare e lëshuar nga kadiu, sipas së cilës mallkohej kujtimi i Muratit dhe vëllait të tij. Më në fund, komisionerët e Janinës, të shoqëruar nga një trupë ushtarake, u dërguan për të konfiskuar pronat e të dy vëllezërve, sepse, sipas dekretit, personi i lënduar duhet të trashëgonte pasurinë e komplotistëve.

 

Në këtë mënyrë iu mek zëri të vetmes familje që mund t’i kundërvihej Pashait të Janinës ose që mund t’i neutralizonte Aliut influencën mbi Pashain e dobët të Beratit. Ibrahimi, tashmë i braktisur nga ata miq dikur të guximshëm, mund të shpëtonte vetëm nga mëshira e armikut të tij. Kështu që u detyrua të pranonte kushtet që i vendoste Aliu, gjë që nuk mund ta parandalonte. Protestoi vetëm duke derdhur lot për këto krime që sinjalizonin një të ardhme të tmerrshme edhe për atë vetë.

 

Sa i përket Eminesë, thuhet se, qëkur ndodhi kjo katastrofë, ajo u shkëput thuajse tërësisht nga i shoqi që i kishte duart e lara me gjak, dhe e kaloi jetën në skutat e errëta të haremit duke u lutur si një e krishterë për vrasësin dhe viktimat e tij. Duket paksa e çuditshme që, në mes të kësaj tabloje të përgjakshme, të ndeshesh me këtë figurë fisnike, zemërbardhë dhe paqësore, e cila, ashtu si një oaz në shkretëtirë, të çlodh mendjen e rraskapitur me kaq shumë ligësi, pabesi e tradhti.

 

Kështu Aliu humbi dashurinë e Eminesë. Deri atëherë atë e kishte pasur si engjëll mbrojtës; vetëm ajo kishte mundur deri në njëfarë mase t’ia kufizonte pasionet e shfrenuara. Fillimisht u hidhërua për shkak se e shoqja u mbyll në vetvete. Deri atëherë qe treguar i përkushtuar ndaj lidhjes bashkëshortore. U mundua më kot të rifitonte zemrën e saj. Në atë gjendje të vrerosur, ai filloi të përlyhej nga vese të tjera; i dukej sikur kompensonte dashurinë që kishte humbur; iu mbush mendja se nuk do të dashuronte më kurrë. I harbuar siç ishte, iu fut një jete të shthurur. Haremet i mbushi me vajza e djem të bukur. Sikur sarajet të mos i mjaftonin për t’i përmbushur dëshirat, ai nganjëherë dilte natën i maskuar për të shfryrë epshet me femra e meshkuj. Ndonjëherë ditën sulmonte kisha apo shtëpi private për të rrëmbyer djem të rinj e virgjëresha, sa herë tërhiqej nga bukuria e tyre, dhe i çonte në haremin e tij.

 

Bijtë e tij, në gjurmë të të atit, bënin një jetë plot skandale; dukej sikur po konkurronin babanë sa i përket ligësisë, secili sipas mënyrës së vet. Alkooli ishte specialiteti i të madhit, Myftarit, i cili nuk kishte rival në pije në të gjithë Shqipërinë; mburrej se kishte përpirë një fuçi me verë brenda natës. Edhe tek ai qe trashëguar mizoria e familjes. Një natë, i bërë tapë, të krisurin e kishte kapur dalldia. I xhindosur siç ishte, kishte therur disa persona, ndër të tjerë, edhe mbajtësin e shpatës së tij, shok i ngushtë që nga fëmijëria. Veliu kishte të tjera vese. Duke imituar – ndonëse pa e njohur – Markezin e Sadës, ashtu si i ati Makiavelin, Veliu këndellej duke ndërthurur orgjitë me mizoritë; e kishte fiksim të kafshonte buzët që sapo i kishte puthur, e më pas të gërricte e shqyente me thonj format trupore që sapo i kishte fërkuar e ledhatuar. Banorët e Janinës kanë parë të tmerruar shumë gra pa hundë e pa veshë, të cilat sapo kishin shpëtuar gjallë nga kthetrat e tij.

 

Ishte me të vërtetë ushtrim pushteti në formë terrorizuese; asgjë nuk ishte e sigurt, as pasuria, as jeta, as nderi, as familja. Nënat nëmnin veten sa herë lindnin, vajzat e reja mallkonin bukurinë e tyre. Frika bën që shoqëria të korruptohet shumë shpejt; në këtë mënyrë edhe subjektet njollosen si pasojë e shthurjes së padronëve të tyre. Aliu, duke menduar se një popullsi e demoralizuar qeveriset më kollaj, kundronte skena të tilla makabre me kënaqësi.

 

Ndërkohë që konsolidoi me çdo mjet pozitat e tij të brendshme, ai hodhi sytë për ekspansion. Në vitin 1803, Aliu u shpalli luftë suljotëve, pavarësinë e të cilëve ai qe përpjekur shpeshherë ose ta blinte ose ta përmbyste. Ushtria e dërguar kundër tyre, ndonëse përbëhej nga dhjetë mijë burra të fuqishëm, fillimisht pësoi disfatë. Duke parë se rivalët qenë të pamposhtur në luftë frontale, Aliu sërish do të përdorte pabesinë e tradhtinë për të fituar përparësi. U bë e qartë se herët a vonë suljotët fatkeq duhej të nënshtroheshin.

 

Duke parashikuar tmerret që do të sillte një disfatë e mundshme, Emineja, e prekur thellësisht nga dhembshuria, doli nga haremi ku qe izoluar dhe u gjunjëzua para të shoqit duke iu përgjëruar. Ai e kapi nga supet, e uli pranë vetes dhe e pyeti se ç’kërkonte saktësisht. Ajo foli për bujarinë, për mëshirën; ai e dëgjoi me vëmendje sikur po prekej e merakosej për të shoqen – derisa ajo përmendi suljotët. Papritmas u egërsua, nxori pistoletën dhe qëlloi drejt saj. Nuk e kapi plumbi, por ra përdhe e llahtarisur; shoqërueset e saj nxituan për ta nxjerrë andej. Ndoshta, për herë të parë në jetën e tij, Aliu  u trondit përpara tmerrit të një vrasjeje.

 

Ajo ishte gruaja e tij, nëna e fëmijëve të tij, të cilën e pa të shtrirë para tij; kujtimi i atij momenti e mundonte pa masë. U ngrit nga gjumi në mes të natës dhe shkoi në odën e Eminesë. Trokiti dhe i thirri së shoqes, e cila refuzoi ta takonte. I zemëruar nga sjellja e saj, Aliu shkallmoi derën. E lebetitur nga zhurma dhe pamja e të shoqit të tërbuar, Emineja u përplas në tokë nga tronditja; nuk i ndaluan konvulsionet derisa dha shpirt. Kështu vdiq e bija e Kapllan Pashës, gruaja e Ali Tepelenës, nëna e Myftarit dhe Veliut, e cila, e dënuar të jetonte mes ligësisë, mbeti sa qe gjallë zemërgjerë dhe e virtytshme.

 

Për vdekjen e saj vajtoi e gjithë Shqipëria. Por edhe në mendjen e vrasësit, humbja e së shoqes la vraga të thella. Hija e Eminesë e ndiqte ngado – në orgjitë e tij, në dhomën e këshillit, gjatë orëve të natës. I bëhej sikur e shihte, e dëgjonte. Zgjohej nga gjumi duke gërthitur:

 

– Gruaja ime! Gruaja ime! . . . Ja ku është! Sytë e saj shprehin zemërim; ajo po më kërcënon! Shpëtomëni! Mëshirë!

 

Për më shumë se dhjetë vjet, Aliu nuk guxoi të flinte vetëm në një dhomë.