Historia e Albionit dhe e një emigracioni pa fund

Historia e Albionit dhe e një emigracioni pa fund

542
0

Sonte ndihem njësoj si më 8 korrik të vitit 1998 kur vëllai im Albioni u nis për në Itali. E njëjta situatë, të njëjtat emocione, i njëjti trishtim në sytë e nënës tonë, që si atëherë qëndron në këmbë pranë dritares edhe sonte, me sytë plot lot dhe pa forcën për të thënë diçka.Atëherë Albioni u nis nga Vlora me gomone kur ishte vetëm 16 vjeç, pa pasur frikë. U nis për të ndryshuar jetën, për të rifilluar. Çfarë jete mund të ndryshonte një adoleshent që jetën sapo e kish filluar? Në ato vite të gjithë ëndërronin të iknin nga Shqipëria, një vend që kish përjetuar situatë shumë të vështirë pas një viti lufte civile të brendshme që kish mbjellë vdekjen e shumë të rinjve dhe të shumë miqve e të afërmve, të vëllezërve tanë. Sipas statistikave, gjatë vitit 1997 humbën jetën mbi 3.800 persona, 360 ndër të cilët ishin policë, dhe mbetën të plagosur 5.000 të tjerë. Qytetet më problematike, Vlora, Berati, Levani i Fierit përjetuan një situatë të tmerrshme: forcat e rendit nuk ekzistonin më dhe kazermat e ushtrisë u boshatisën nga njerëzit që kërkonin të merrnin nga një armë për t’u mbrojtur. Në Berat vdisje edhe per një fjalë të gabuar apo pse ndodheshe në vendin dhe çastin e gabuar, ku banda rivale masakroheshin me njëra-tjetrën. Albioni, emigrant i valës së katërt të emigracionit shqiptar në Itali, siç e quan  emigracionin e asaj periudhe sociologu Rando Devole në librin “l’emigrazione Albanese in Italia”, mori rrugën pas fundosjes në kanalin e Otrantos të anijes Katër i Radës, pas nënshkrimit të një marrëveshjeje nga Berisha e Berlusconi për ndalimin e emigracionit të paligjshëm. Sepse asgjë nuk mund të ndalë një person që vendos të emigrojë për një të ardhme më të mirë. Me të mbërritur në Itali, Albioni hyri në një komunitet për të mitur të pashoqëruar. Qe shumë e vështirë për të. Ato pak herë që mundej të merrte në telefon qante kur dëgjonte zërin e nënës. Në komunitet, Albioni mësoi gjuhën italiane dhe ndoqi 3 vjet të shkollës tetëvjeçare. Nisi të merrte një zanat, atë të zrukthtarit që vazhdon të bëjë edhe sot. Ndoqi kurs profesional mbrëmjeve ndërsa ditën ishte në punishten e Guido Busnellit, një mjeshtër jo vetëm i drurit por edhe i jetës. Ka ndihmuar shumë e shumë të rinj të rriten, të bëhen në radhë të parë burra, jo thjesht zdrukthtarë. Falë tij, Albioni mësoi se ngjyra e kuqe e flamurit shqiptar nuk simbolizonte vetëm gjakun e partizanëve shqiptarë por edhe atë të partizanëve italianë sepse Italia s’ishte vetëm ajo fashiste që na kishte pushtuar gjatë luftës së dytë botërore. Falë Guidos, mësoi dialektin e Briancës dhe fjalët e urta, që mbante shënim në bllokun e tij. Mësoi himnin e Mamelit, poezitë e kënduara të Fabrizio De Andrésë, tekstet e Guccinit, këngët e Lucio Dallas. Falë tij, mësoi të kapë ironinë e Giorgio Gabber, të lexojë letrat e Don Lorenzo Milanit, poezitë e Pasolinit, të shijojë filmat e Totòsë, Fellinit, Rossellinit. Nisi të lexojë Nitzche, Freud, të bëjë të vetën filozofinë e Antonio Gramscit, të këndojë dhe të emocionohet me Bella Ciao dhe të marrë pjesë me përkushtim në çdo manifestim të 25 prillit, ditës së çlirimit. Albion mësoi të donte Italinë si të ishte vendi i tij, e megjithatë iu deshën 18 vjet që të njihej ligjërisht si qytetar i saj. E ata qindra mijëra të rinj që ashtu si ai kanë kaluar në Itali vitet më të bukura ndër të cilat formohet jeta, adoleshenca, a nuk e meritojnë Ius Soli? Kur shkoi të betohej se do t’i qëndrojë besnik Kushtetës italiane, Albioni nuk veshi xhaketë dhe rroba të reja, nuk ishte për të “festuar”, ishte një detyrim civil dhe një e drejtë që i takonte. Ndaj shkoi në Komunë drejtpërdrejt nga puna, me të njëjtat rroba pune që vesh përditë. Jeta e tij nuk ndryshoi shumë: gjithnjë u pagua si emigrant dhe sa herë që dikush do të kishte bërë një faj, nuk ngurronin ta ngrinin gishtin kundër tij,”l’albanese”. U zemërua Albioni, u përpoq gjithmonë që të ndryshonte gjërat por në fund u gjend edhe njëherë i detyruar të emigronte. Sot u nis për herë të dytë. Do të vuajë dyfish sepse në zemër tani ka dy vende për të cilat do ta marrë shumë malli. Do t’i mungojë Shqipëria që e lindi dhe Italia që e rriti dhe e formoi.

 

Marsela Koçi