Histori personale: “Jeta ime nga vdekja e prindërve, tek dashuria për një...

Histori personale: “Jeta ime nga vdekja e prindërve, tek dashuria për një të droguar…”.

508
0

Kur diçka ecën keq, duket sikur gjithë gjërat e tjera marrin të njëjtin drejtim. Kam tri vite që e kam vërtetuar këtë gjë, që nga aksidenti i prindërve të mi. Ishte edhe atëherë, si tani. Periudhë vere, kur po ktheheshim vonë në darkë nga deti dhe dritat e një kamioni verbuan në një kthesë sytë e tim ati dhe pastaj nuk ndjeva asgjë. U zgjova nga dritat e bardha të spitalit dhe të nesërmen, me zemrën të thyer, varrosa të dy prindërit e mi. E për çfarë ndodhi gjithçka? Për pak më shumë orë në plazh, sepse mund të ktheheshim më parë dhe gjithçka të mos kishte ndodhur. Por të gjithë më kanë bindur se çdo gjë ndodh, sepse kështu është e shkruar…

Pas dy vitesh, në jetën time hyri A. Ai ishte i droguar dhe e refuzova disa herë në rrjetet sociale. Më shkruante dhe nuk i përgjigjesha. Kisha dëgjuar për të, për jetën që bënte dhe nuk doja ta rrënoja jetën time. Disa herë jam ndjerë edhe e bezdisur nga ai, derisa më premtoi që do të ndryshonte dhe e bëri. Ai nisi punë këtu në Tiranë dhe përditë më niste foto të tijat për të treguar se një njeri mund ta ndryshonte dashuria për dikë.

Ai e fitoi besimin tim për muaj me radhë dhe më bëri të dashurohesha pas tij. Po, u dashurova pas një ish të droguari dhe të tëra shoqet e lagjes që e njihnin, vazhdonin të më flisnin keq për të. Disa edhe u larguan prej meje, duke menduar se edhe unë mund të vazhdoja rrugën që ai tashmë e kishte lënë. Por ato nuk e besonin, se vërtet ai kishte ndryshuar dhe gjithçka e kishte bërë për mua. Më donte dhe nuk rrinte një moment pa ma shprehur dashurinë e tij. Mesazhet tona në orët e vona të natës i ruaj ende me foto në celularin tim. I mbaj si momentet më të bukura të lidhjes sonë.

Koha kaloi shpejt dhe erdhëm në këtë verë. Unë e mbylla sezonin e provimeve gjatë muajit korrik dhe e dija se nuk kisha mundësi të shkoja në plazh. Tani që prindërit nuk i kam më, jetoj me gjyshen nga ana e mamit dhe nuk mund ta lë dot asnjë ditë vetëm. Shoqet e mia u shpërndanë me familjet e tyre dhe unë fillova t’i përshtatesha jetës sime të përditshme, asaj monotonisë që duket sikur të mbyt në fshatrat e Tiranës.

Ndërkohë një javë më parë, A. mori pushimet në punë dhe më tha të shkonim një fundjavë në Jalë me makinën e tij. Në fundjavën e kaluar u nisëm që në orën 5 të mëngjesit dhe kur hyra në makinën e tij, ndjeva një erë të çuditshme. “Ke pirë gjë hashash?” e pyeta. Ndihej që në hyrje të makinës era e hashashit, por ai më kundërshtoi duke më thënë se ishin shokët e tij që e kishin pirë natën, ndërkohë që ai s’kishte tymosur gjë. Isha në mëdyshje nëse duhet ta besoja, apo jo. Do të kalonim nëpër një rrugë të vështirë dhe ai duhet të ishte sa më i kthjellët për të ecur çdo gjë sa më mbarë.

Ne u nisëm dhe në muhabete, kur unë e provokoja për diçka, mendja e tij dukej shumë e kthjellët. E hoqa nga mendja dyshimin tim dhe mposhta frikën e rrugës së tmerrshme përgjatë qafës së Llogarasë. Mbërritëm në Jalë dhe mund ta mendoni edhe vetë se si ishte. Një mrekulli e vërtetë. Një vend i vogël, por me ujin të kristaltë. Të gjithë aty në breg, shqiptarë dhe të huaj, i dëgjoja ta mburrnin atë vend me fjalët më të mira.

Darka erdhi shpejt dhe ndërsa unë sistemoja çadrën në kampingun ku vendosëm të rrinim atë natë, atë nuk e pashë përreth. Eca përgjatë bregdetit deri afër një hoteli me emrin Soleil. Mbahet si hoteli më i mirë dhe më i veçantë i Jalës. Rruga drejt, të çonte drejt Folie Marine, ndërsa A. nuk dukej gjëkundi. Pashë përreth dhe asgjë. Dukej sikur ishte zhdukur, ndërkohë që makinën e kishte lënë pranë kampingut. Sapo kalova portën e hotelit, pashë përpara dhe s’arrita të dalloja dikë me trupin e tij. Ktheva kokën në një rrugicë të errët në të djathtë dhe pashë dritën e një cigareje të ndezur dhe shkova drejt asaj rrugice. Kisha edhe frikë sepse nuk dukej asgjë dhe isha e vetme, derisa kur u afrova, e dallova. Ai kishte konsumuar sërish hashash dhe era ndihej vetëm përreth tij. Më pa i habitur dhe e hodhi cigaren përtokë.

“Çfarë po bën? Për të marrë prapë hashash më solle në Jalë? Pse më gënjeve që e kishe lënë hashashin?” i bërtita me lotë në sy dhe pastaj shkova me vrap drejt çadrës. Po mblidhja gjërat e mia dhe pyeta zonjën e kampingut. Më tha që në atë orar nuk kishte makina që të më çonin deri tek kthesa e Jalës, që ndodhej goxha larg në këmbë nga deti.

Ndërkohë pashë A. të vinte drejt kampingut dhe gjithë personat aty po na shihnin çuditshëm. Ata më panë kur erdha e përlotur dhe tani po shihnin atë që me ngulm më kërkonte të bënim një shëtitje në bregdet për të më sqaruar se çfarë kishte ndodhur.

Pasi këmbënguli gjatë dhe më kërkonte të falur, një grua aty afër ndërhyri dhe tha “Po hë, pranoje çunin dhe pastaj bëj çfarë të duash. Një shëtitje do bësh”.

Dolëm në bregdet, edhe me mendjen paksa të turbullt. Ai më sqaroi se e ëma e tij kishte dalë me kancer në mitër dhe nuk i kishin caktuar shumë ditë jete. Edhe mbrëmjen e shkuar nuk kishin qenë miqtë e tij që kishin pirë hashash në makinë. Ai më tha se kishte qenë vetë që e kishte pirë nga stresi dhe më kishte gënjyer.

Atë natë po ashtu nga stresi ,ai kishte bërë sërish të njëjtin gabim dhe kërkonte mbështetjen time për t’ia dalë mbanë. “Pa ty, unë e di që do vdes nga droga. Mos më lër” më thoshte dhe në ato momente ecte përpara meje, vetëm që unë të mos i dalloja lotët. Meshkujt janë kaq të çuditshëm. Pse nuk e kuptojnë vallë që nuk duken më pak burrërorë duke qarë përpara një femre, por duken më të mirë, më të dashur kur qajnë duke i treguar rëndësinë që ka një femër në jetën e tyre?

Ka kaluar rreth një javë dhe sa herë që ai ndjehet keq, më telefonon dhe takohemi. Unë besoj se ai ka ndryshuar dhe se çdokush ndryshon nga dashuria. Nëse vërtet e do dikë, mund të ndryshosh totalisht dhe A. ma ka vërtetuar dy herë këtë gjë. Të lësh drogën nuk është e lehtë. Ai u përpoq me muaj për t’ia dalë mbanë dhe unë nuk mund ta braktisja në ditët e tij më të vështira. A. ka ndryshuar dhe unë e di se më do. Gjithë të tjerët mund të mendojnë çfarë të duan për mua, për ne, por unë e di që dashuria jonë është mjaftueshëm e fortë për t’ia dalë mbanë çdo sfide.