Në një njoftim të Departamentit për Kufirin dhe Migracionin bëhet me dije se nga sot Shqipëria ka hapur kufirin me Kosovën e Malin e Zi. Kështu shqiptarët mund të udhëtojnë lirshëm drejt këtyre shteteve dhe anasjelltas. Mësohet po ashtu se në Shqipëri mund të hyjnë edhe shtetas nga Italia, Maqedonia dhe Greqia, por shqiptarët ende nuk mund të lëvizin drejt këtyre vendeve normalisht.
NJOFTIMI
Në zbatim të urdhrit nr. 351, datë 29.05.2020, të Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale “Për marrjen e masave të veçanta dhe kufizimeve për parandalimin e përhapjes së COVID-19”, Policia Kufitare ka marrë masat në të gjitha pikat e kalimit kufitar tokësor, për vijimin normalisht dhe pa probleme të aktivitetit kufitar.
Në këtë kuadër i gjithë personeli i Policisë Kufitare në pikat e kalimit kufitar është pajisur me maska dhe dezinfektantë për mbrojtjen nga COVID-19.
Në lidhje me shtetet fqinje situata e kalimit kufitar është si më poshtë:
Për Republikën e Italisë, Greqisë dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut nuk ka ndryshim të regjimit kufitar nga ana e tyre. Lejohet hyrja për në Shqipëri, por nuk lejohet hyrja për të gjithë udhëtarët në drejtim të këtyre vendeve, përveç atyre që janë rezident apo që kanë ndjekur procedurat me Ministrinë e Jashtme, si përgjatë periudhës së pandemisë.
Në Republikën e Malit të Zi lejohen të hyjnë pa asnjë pengesë dhe kufizim vetëm qytetarët nga shtetet në listën e miratuar nga ana e tyre (shtete të cilat kanë shkallën e rasteve aktive të koronavirusit më pak se 25 për 100 000 banorë), listë në të cilën bën pjesë edhe Republika e Shqipërisë.
Për Republikën e Kosovës lejohen të hyjnë të gjithë shtetasit, por në qoftë se nuk posedojnë konfirmim zyrtar brenda një afati kohor prej 4 ditësh që janë “negativ” me COVID-19, atëherë duhet të plotësojnë formularin përkatës për vetëkarantinim për një periudhë 7-ditore, ndërsa kamionët duhet t’i nënshtrohen procesit të dezinfektimit para se të hyjnë në territorin kosovar.
Policia Kufitare ka marrë një sërë masash shtesë edhe në drejtim të parandalimit, evidentimit dhe goditjes së krimeve ndërkufitare, qoftë në pikat e kalimit, ashtu edhe në kufirin e gjelbër dhe atë blu.