“Halli” i Arta Markut, e ka me politikën dhe gazetarët

“Halli” i Arta Markut, e ka me politikën dhe gazetarët

386
0

Ndërsa kërkon një mandat të plotë në krye të organit të akuzës, Prokurorja e Përgjithshme e përkohshme, Arta Marku ditët e fundit është shfaqur më shumë se herët e tjera në media. Në çdo takim që ajo ka bërë në rrethe, zyra për mediat e prokurorisë është kujdesur të shpërndajë mesazhet që zonja Marku ka dhënë. E duke mos parë aspak nga vetja, për zonjën Marku problemi qëndron tek prokurorët e tjerë. Kështu këtë të mërkurë ajo ka ashpërsuar gjuhën gjatë analizës vjetor në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. “Disa prokurorë na kanë bërë që të na vijë turp që jemi prokurorë. Kanë nxjerrë materiale, informacion dhe dokumentacion, pa dashur t’ia dinë për sekretin hetimor”, tha Marku, që siç duket shqetësohet më tepër për nxjerrjen e informacionit, ndërsa prej disa kohësh organi i akuzës nuk jep informacion për disa ngjarje. Më e fundit është ajo e dosjes “Babale”, ku dhe gjatë emisionit “Opinion” Ervin Salianji publikoi 9 audio përgjime të reja, që sipas tij janë të bërë nga prokuroria dhe janë zyrtare. Në këto përgjime tregohen se si zyrtarë më të lartë të policisë komunikojnë në telefon me Fredi Alizotin, madje shkojnë dhe e takojnë atë duke i dhënë para (sipas deklarimeve të Ervin Salianjit). “Disa çështje kanë trazuar edhe politikën në vend dhe kjo ka bërë që të mos jetë një situatë normale”, theksoi ndër të tjera Marku. Po ashtu ajo u kërkoi prokurorëve që të ndjekin me shpejtësi dhe objektivitet çështjet e “nxehta”. “Të hetohen sa më shpejt çështjet që kanë tronditur opinionin publik dhe kanë tërhequr vëmendjen e politikës. Mbani larg mediat nga hetimi, gazetarët nuk janë dhe nuk duhet të jenë pjesë e grupit hetimor”, shtoi ajo.