GJYQTARËT E VONUAR TË ALI PASHË TEPELENËS/ Nga Mihal Gjergji

GJYQTARËT E VONUAR TË ALI PASHË TEPELENËS/ Nga Mihal Gjergji

891
0

GJYQTARËT E VONUAR TË ALI PASHË TEPELENËS/ Nga Mihal Gjergji

Ali Pashë Tepelena ka dy varre dhe s’qëndron te asnjeri prej tyre. Me sa duket, katil-fermani u shkrua para kohe nga Sulltan Mahmuti i II-të. Ende s’ishte shpallur caktimi i Zotit për këtë njeri. Unë mbaj në duar kokën e pashait tepelenas, vetëm atë. Por ajo është e rëndë, shumë e rëndë. Ja kam flakuar pëlhurën indiane prej kashmiri, me të cilën e kishin mbuluar. Edhe çallmën e mrekullueshme zbukuruar me pendët që Aliu i vinte gjatë betejës. Mjekra e bardhë varet si mjegull bore, e thurur në avlëmendin e shkurtit të hidhur. Ndërsa sytë e tij kërkojnë largësitë që s’mundi t’i zotëronte. Ndoshta Portën e Lartë! Brenda syve zhbirues e plot dritë, ujërat e trazuara të Vjosës kërkojnë shtegdalje. E shikoj me kërshëri. Edhe kështu, e prerë, ajo vazhdon të përcjellë efekte të tmerrshme dhe mahnitëse. –“Paçim fatin e tij”,-kështu u shpreh Hurshid pasha kur i shpunë kokën e Vezirit të Janinës. U ul në gjunjë dhe i puthi mjekrën tri herë…

E ç’më duhet trupi i Aliut; shpatullat mbi të cilat qëndronte barra e pashallëkut dhe tradhtia, e cila s’iu nda asnjëherë, kërkonte ta vriste pas shpine. S’më interesojnë këmbët e tij, të cilat ishin krijuar për të shkelur shtigjet e përgjakura, apo duart që mbanin nargjilenë, shkrepnin pisqollat e stolisura me ar dhe ledhatonin kurmin engjëllor të Vasiliqisë. Madje, unë e përfytyroj Ali Pashën ndryshe nga ju: një përmendore gjigante e trupit pa kokë. Vetëm kështu dhimbja jonë do vazhdojë të ulërasë, ndërgjegjja kombëtare do rrijë zgjuar, drama jonë do presë aktin e radhës. Sa autorë të tjerë kanë rendur pas pashait! Disa prej tyre, i kanë kushtuar shumë vite të jetës.

Kur e ndjek një njeri pandërprerë, të krijohet ndjesia sikur largohesh më tepër prej tij. Dhe s’të mbetet veçse të dëgjosh jehonën e zërit tënd. Por ka edhe një të keqe tjetër më të madhe akoma. Ai të bëhet i afërt, shumë i afërt, si një stërgjysh që të përket vetëm ty. Pikërisht, atëherë mund të prekesh nga sëmundja e delirit, të mendosh se edhe ti vetë je shëmbëlltyra e pashait, ose thënë ndryshe, je pak “Ali”. Ne kërkojmë prej tij atë, që ai s’mundet të na e japë, kërkojmë të zhvatim diçka nga bizhuteritë e tij përrallore, të marrim diçka nga shkëlqimi i tij llamburitës, ndërsa i afrojmë atë, për të cilën ai s’ka nevojë. Mirëpo vjen koha dhe secili prej autorëve u dashka të ndahet prej tij, pse jo, edhe ai të shpëtojë prej nesh, të qëndrojë ashtu mospërfillës, në lartësitë ku është ngjitur.

Jeta e Ali Pashës ngjason me një koshere të tejmbushur, e cila pret të zgjaten duart e bletërritësit. Mirëpo, sado që të marrësh prej saj, ajo mbetet përsëri plot. Parajsën dhe ferrin s’i krijoi ai. Madje, ai s’besonte, sepse besimi nënkupton verbëri. Ai ishte vetë Zot. Por ishte fatkeq, sepse të zgjuarin s’e kuptojnë të fjeturit. Zgjedhën e varfërisë ua hoqi barkzbrazurve, por i varfëri kënaqet me varfërinë e tij, sikurse i padituri me verbërinë që e mban si një veshje të çmuar. Moskuptimi e vrau. Izraelitet s’e kuptuan Jezusin, indianët- Budën, gjermanet – Zarathustrën e Niçes.

Ai s’ishte hyjni, por ishte i ndriçuar me ide, me projekte, me vizion për të ardhmen. Ishte i mbarsur me ëndrrën e të qenit i lirë, ai dhe populli i tij. S’do guxoja të flisja me zë të lartë:-vetëm kjo është e vërteta absolute! Si mund ta bëj një marrëzi të tillë. Askush s’e di se kush është e drejtë dhe kush e gabuar. Askush s’mund të pretendojë për pronësi. Ne kemi fëmijët tanë, i kemi sjellë në jetë, janë pranë nesh, por i takojnë jetës. S’na mbetet tjetër veçse t’u ngjajmë në sjelljet e tyre të mençura. E pse mos ta them, unë po realizoj veten time, sepse brenda meje proteston zëri i ndaluar gjer dje me përdhunë: – duhet ta shpallësh atë që është jotja!

Autori

-II-

“Aliu qe përbindëshi më romantik që ka parë historia, një nga tmerret më të bukura që ka lindur natyra”.

Hofman

 Autorët që janë marrë me figurën e këtij monarku vazhdojnë të ecin mes kundërshtive, e kam fjalën për studiues seriozë. E them këtë, sepse janë të paktë ata, që kanë mundur të njohin artin e të jetuarit, fuqinë e dashurisë, e, ç’është më e rëndësishme, artin e meditimit, i cili i përjashton trazimet, meskinitetin, varfërinë dhe gjuhën e urrejtjes. Ali Pasha duhet të kryqëzohej nga bashkëkohësit e tij, doemos. Këtë e them me bindje. E dini përse u kryqëzua Jezusi? Sepse turmat ndjeheshin të poshtëruara përpara tij. Atë lartësi ngjitje dëshironin ta kishin edhe të tjerët, por s’mundnin. E përse duhet të ishin aq të vegjël dhe mjeranë? Ja pra, kjo mjaftoi për të ndezur zjarrin e revoltës. Hakmarrja do të ishte hapi tjetër. Edhe Sokrati provoi të njëjtën gjë nga bashkëkohësit. Brenda kokës së tyre dëgjonin shumë zëra dhe s’dinin kë të zgjidhnin e të veçonin për ta pranuar. Egoja e tyre u lëndua. Filozofit mendjendritur i afruan kupën e helmit. Prania fizike e tij është e munguar, por mendimi i fuqishëm filozofik vazhdon të jetojë.

Vdekja vjen vetëm për të vdekurit, për ata, që në të vërtetë s’kanë jetuar asnjëherë. S’besoj se do guxoni të thoni të kundërtën e asaj që jam duke shprehur; njerëzit e mëdhenj i vret moskuptimi i turmave, i bashkëkohësve, i sundimtarëve! Për këtë kam bindje absolute, e cila është rrjedhojë e hulumtimeve të gjata e të kujdesshme të fenomeneve historike dhe njerëzore në planetin ku jetojmë. Kështu ndodhi edhe me pashain tepelenas. E sikur të mos mjaftonte kjo, pas dyqind vitesh mungese, vazhdojnë ta vrasin të gjallët, njerëzit e racës së tij, ca shqiptarë minorë. Ata i tremb fakti i shkëlqimit të këtij njeriu, i cili vazhdon të meritojë vëmendjen dhe adhurimin e mendjeve të kthjellëta e të ndritura të kohës që po jetojmë. Si ka mundësi? Çuditërisht, moskuptimi vazhdon të sundojë. Për fatin tonë të keq. Asnjëherë drejtësia s’ka qenë e drejtë, sepse ata që mbajnë mbi supe veladonët e zinj, si rrasua e priftit, janë pjella dhe shëmbëlltyra e jetës, e cila i ngjan ferrit nga pashpirtësia e saj.

 

-III-

PRO DHE KUNDËR ALIUT

 

Nga shumë vende të botës; poetë, piktorë, studiues, njerëz të artit dhe historisë, turistë, ndalojnë në qytetin e Tepelenës, te kalaja apo shtatorja e tij. Provojnë ndjesi njerëzore duke shkelur rrënojat e sarajeve ku kanë mbetur gjurmët e fëmijërisë së Aliut, zhyten thellë në kohë, bëjnë fotografi, pikturojnë apo thurin vargje. Në Janinë akoma më shumë. Mirëpo drejtuesit e shtetit shqiptar, prej dekadash, jo vetëm të pafuqishëm për ta ndalur legjendën Ali, por edhe të ngujuar brenda indiferencës së pakuptimtë, kanë munguar në nderimin e këtij burri të shquar, qoftë edhe me një kurorë blerimi në qytetin e tij. Kanë të drejtë të ndjehen të lënduar. Madhështia e pashait është e papërballueshme.

Në këto kushte, Ali Pashë Tepelenës duhet t’i bësh “kirurgji psikologjike”, ndryshe s’mund ta njohësh atë; idetë, fuqinë e mendimit, pusin e thellë të meditimit ku detyrohej të hidhte të kaluarën e tij, për të mos mbetur pengu i saj, shpirtin e  trazuar, rrahjet e zemrës, pastaj hapat thuajse vetmitarë në rrugën e vështirë të cilën zgjodhi për të ecur. Dhe këtë s’mund ta bëjë kushdo. Atëherë, përse duhet ta anatemojnë Ali Pashën në kushtet e mosnjohjes së tij? Aq më keq pseudo-intelektualët, të braktisurit nga gjaku i origjinës apo të lidhurit me hijet që mbërrijnë nga dhera të huaj dhe futen në shtretërit e tyre bashkëshortorë, të shiturit me privilegje kolltukësh dhe grada shkencore në këmbim të lirisë, aq të çmuar, por të panjohur për ta. S’kanë rëndësi emrat e tyre, s’meritojnë t’i përmendësh. Lexoni shtypin ditor. Mos u bëni kureshtar të mësoni se kush mëton vrerin e urrejtjes në veshët e tyre,  kush ua miklon sedrën e sëmurë, dora e zgjatur nga jugu apo nga veriu, në ç’manastir e marrin miellin e hidhur për të gatuar bukën që na afrojë dhe kush ua jep bekimin.

Më shumë sesa fajtorë janë fatkeq, viktima të kryelartësisë boshe që ushqen injoranca. Ndërsa duhet të theksojmë se janë duke rrënuar urën mbi të cilën kalojnë, ata dhe brezat që do vijnë, pra, duke “ngrënë këmbët e tyre”. Askush s’ndalon të bëjë objekt analize burimin e urrejtjes osmane ndaj popullit tonë, të shtrojë pyetjen: përse u goditën familjet e mëdha shqiptare, përse u therën me thika si qengja kurbani djemtë dhe nipërit e Aliut, përse syrgjynoseshin shqiptarët deri në shkretëtirën e Saharës? Sa ka dëmtuar ortodoksia greke me veprimet e saj, rrënimin e pushtetit të Aliut? Çfarë roli ka luajtur elementi ‘bektashi’ përfshi edhe jeniçerët, në marrëdhëniet mes Portës së lartë dhe Ali Pashës? Ata harrojnë se vetë njeriu është një litar i zgjatur sipër humnerës. Ora u ka mbetur, ka heshtur lavjerrësi që mat kohën, ndërsa motua e Aliut ishte krejt ndryshe: njeriu nuk duhet të ndalet aty ku është, duhet të synojë duke luftuar. Të gjithë pohojnë të njëjtën gjë; ai qëndronte i zhytur brenda vetmisë së tij. Vazhdimisht. Dhe kjo e ka shpjegimin e vet shkencor, shumë bindës. Ai s’i përkiste turmës, ndryshe s’mund të flitej për individualitet, ai s’ndjente boshllëk brenda vetes që t’u bashkëngjitej atyre, ishte i plotësuar, s’kishte nevojë të kërkonte energji. Këto i buronin brenda qenies së tij.

Unë s’jam duke predikuar shënjtologjinë, por ju bëj thirrje t’i drejtoheni arsyes. Mos harroni, ai ishte qëndrestar, s’i përkiste karvanit të ikanakëve. Nderonte diplomatët, gjeneralët, takohej me dervishin, priftin, vizitorin apo fshatarin, por s’ngjante me asnjërin prej tyre. Brenda tij lartësohej ëndrra e panjohur për të tjerët dhe kërkonte shtigjet për t’i dhënë jetë. Dhe pikërisht, kjo këmbëngulje e përligjur e mbushte me dashuri. Jo thoni që ishte gjakatar, vrasës, i pashpirt. Po mirë, cilat janë virtytet që keni?

E ashtuquajtura virtytshmëri juaja është mbulesa e mëkateve që jeni duke bërë, e jargosjes pas kurvërisë bashkëkohore, e sjelljes tuaj çnjerëzore me të tjerët. Binduni që s’jeni shëmbëlltyra e tij, dhe s’mund të jeni. Ai ishte misionar. Lindi si njeri dhe vdiq si Zot. Hapni sytë, lexoni kronikat e kohës. E gjej me vend të sjell një gjykim të filozofisë për qeniet njerëzore. “Në thellësi të shpirtit, sado i zgjuar dhe dinak që të jeni, ju do ta kuptoni se virtyti juaj është fals, feja juaj-formalitet, morali juaj-një kushtëzim shoqëror, ndershmëria juaj është thjesht një fasadë”. Orgjitë dhe haremet s’i krijoi Aliu, ishin traditë dhe trashëgimi e sundimit osman. E vërteta duhet të njihet si realizim thelbësor, jo thjesht si konkluzion logjik, edhe pse ajo duhet të përjetohet, jo thjesht të diskutohet. Asnjëherë individualitetet s’duhet të shikohen vetëm si qenie, por si procese, të cilat bartin ngarkesa dhe pritshmëri brenda vetes. Morali i pashait tepelenas duhet të gjykohet në raport me moralin e asaj shoqërie, pjesë e së cilës ishte edhe ai, sepse kategoritë sociale të viteve 1800 s’mund të pranohen si norma vlerësimi në vitet 2000. Po t’i referohemi Niçes, ‘nëse do të mund ta jetoni totalisht jetën tuaj mëkatare, mëkati zhduket…”.

 A mund ta vrasë njeriu lumturinë e tij? Për kë do ta krijonte të nesërmen ky sundimtar? Lumturinë s’ia përmbushte dot pushteti. Edhe pse s’i mungonte, ai ishte simbolik, sikurse një xhaketë e vogël sipër shpatullave të një njeriu shtatlartë. Ai kërkonte tjetër gjë. Këtë duhet të kuptoni. Me veprimet dhe sjelljet e tij, vërtet shprehte blasfemi ndaj Zotit, por jo ndaj tokës. Ju e dini sa shumë luftoi ai për të mbrojtur dhe lulëzuar çdo pëllëmbë të kësaj toke; në Paramithi, Artë, Prevezë, Janinë dhe në gjithë territorin e pashallëkut, e veçanërisht për të rimarrë Pargën aq të çmuar. Dashuria për tokën është edhe dashuri për vendin tënd, për njerëzit dhe  jetën. Pikërisht këtë dashuri të tijën për njerëzit, ju doni ta shndërroni në kryq për ta gozhduar. E shikoni, virtyti i Ali Pashë Tepelenës është vullneti për të shkuar drejt vdekjes në emër të një qëllimi të lartë, shumë të lartë.

Njiheni historinë osmane të mësoni arkitektët e vërtetë të masakrimit të popullit shqiptar, të mësoni barbaritë e tyre të përgjakshme mbi përfaqësuesit e revoltave popullore, kryesisht të Labërisë, ndalimin e shkollës e gjuhës shqipe, myslimanizmin me dhunë (në  dokumentin që  iu ngjit kokës së prerë të Ali Pashës, përshkruheshin krimet dhe rrethanat e vdekjes dhe mbyllej me fjalët: “Kjo është koka e Ali Pashës, tradhtar i fesë islame”!), prapambetjen shekullore, e cila ka mbetur si një damkë e zezë në trashëgiminë tonë historike dhe kulturore. E dini kush e drejtonte Turqinë në atë periudhë kohore? Njerëzit e verbër që ëndërronin përjetësinë e sundimit të tyre. Dhe çfarë duhet të bënte Ali Pashë Tepelena, të rrinte duarlidhur, të priste ndihmën e Zotit apo të farkëtonte lirinë? Ai e kishte mbjellë këtë farë, pak e nga pak. Ndërgjegjja shqiptare ushqehej me kujdes, dhe këtë e shikoni në analet e historisë, në përballjet me francezët, me rusët, me britanikët, doemos edhe me osmanët.

Lexoni historianët tanë seriozë; Irakli Koçollarin dhe Ilir Ushtelencën, prurjet e Sabri Godos, analizat objektive të Moikom Zeqos, shikoni arkivat dhe bëni krahasimet mes tyre. Lexoni “Bonaparti Musliman” i amerikanes Katherine Flemng. Një libër interesant. Pukëvili s’ishte historian, por njohës sipërfaqësor i saj. Dymah ka letrarizuar rrëfime folklorike, të tjerë autorë janë veçse populistë. Historia e ka gjykuar Vezirin e Janinës dhe e ka shpallur fitimtar. Vendimi për “Luanin e Epirit” s’mund të revokohet nga “gjyqtarët” e vonuar. Ai është larg, shumë larg në kohë. Lumin e rrëmbyer me emrin Ali Pashë Tepelena mund ta kalojnë vetëm notarët e sprovuar, ndryshe, mbytja është e sigurt.