Furtunë në AKU, shkarkohen tre Drejtorë të Drejtorive Rajonale

Furtunë në AKU, shkarkohen tre Drejtorë të Drejtorive Rajonale

462
0

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka marrë masa duke liruar nga detyra disa drejtorë dhe inspektorë të drejtorive rajonale. Burime per Gazeten Ora bejne me dije se Drejtori i Përgjithshëm i AKU ka marrë masa për lirimin nga detyra të Drejtorëve të Drejtorive Rajonale të AKU në qarkun e Tiranës, të Durrësit dhe të Korcës.

AKU ka zbatuar disa procese audituese të brendshme, ku është konstatuar se një numër i madh punonjësish nuk kanë përmbushur detyrat funksionale, duke cënuar integritetin e institucionit dhe duke vënë në rrezik konsumatorin. Mësohet se këto lëvizje vijnë si rrjedhojë e një “reforme” brenda institucionit, për rritjen e eficencës së veprimtarisë së AKU.

Gjithashtu të njëjtat burime bëjnë të ditur, se në Drejtorinë Rajonale të AKU qarku Korcë, janë larguar nga puna 3 inspektorë, si dhe janë pezulluar 9 të tjerë.

Masat e lirimit nga detyra, largimit nga puna dhe pezullimit të punonjësve nga AKU, vijnë në një linjë kohore , ku duhet theksuar se institucioni i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit ka ndërmarrë nisma të guximshme në mbrojtje të konsumatorit, duke gjobitur subjekte “lider” në treg, si dhe duke bllokuar ngarkesa të mëdha mallrash të konsumit të parë. Së fundmi, mjaft polemika ka përhapur tema e niveleve të hormoneve dhe pesticideve në fruta dhe perime, ndërkohë që janë realizuar inspektime në qarqe të ndryshme të Shqipërisë.