Frashër Oseku, apo Shqipja e maleve tona/ Gjylfije Halili

Frashër Oseku, apo Shqipja e maleve tona/ Gjylfije Halili

606
0

Fuqia e një kombi, mbështetet në vullnetin, dijen dhe fuqinë e burrave e grave më të zonja që ka, duke hapur rrugën e lirisë, përparimit dhe mirëqenies, me gatishmërinë e përkushtimin, deri në flijim.

Të flasësh për lirinë, është e ditur se ajo i ka rrënjët në gjak, apo lind nëpër grykën e pushkës. Të tillë djalërie që lirinë e bëri të lind nëpër grykën e pushkës, është shqiponja, shqiponja e maleve tona, Frashër Oseku.

 

Kjo mbase i shkon më shumë, se provoi malet e Kosovës dhe maleve të Gostivarit, dy fronteve, nga të cilat doli shumë herë i plagosur dhe në trup bartë ende cifla granatash.

 

Rinia shqiptare, ka fytyrën e tij, vullneti i rinisë shqiptare, ka vullnet si kjo shqipe, ka vepra madhore, deri në sakrificë. Deri në vetëflijim, për komb, për atdhe, për flamur.

 

Për ta njohur më mirë, po pasqyrojmë disa të dhëna e fakte, nga ai vet, të shkëputura nga statuset e tija apo intervistat e tij, ku veçohen tri momente.

 

Atdhedashuria e flaktë, bindja e plotë e liberalit të bindur, si dhe humanisti që shkrihet për të tjerët.

  1. Oseku nuk mashtrohet nga shkëlqimi i përkohshëm, sepse, flamuri aktual i Kosovës është i përkohshëm, ai kuq e zi, i përjetshëm, ja çfarë thotë, pasi u ndal nga policia për “përdhosjen e flamurit të Kosovës”:

“Unë jam qytetar i lirë. Unë edhe mrena në polici isha ma i lirë se policët që më morën në pyetje. Nderoj institucionet e simbolet që më nderojnë liritë e të drejtat e mia. Përbuz institucione e simbole që më përbuzin liritë e të drejtat e mia si qytetar. Kjo është esenca e demokracisë.

Uroj që këtë ta mësojë ky shtet, për te cilin kam dhanë e jap prapë.”

Ky fenomen, është aq i rrallë, sa vetëm patriotët e rrallë, kanë ndjenjë ta veçojnë pësimin e varur nga bindja, për të mirën e po atij shteti që e lëndon para fëmijëve.

 

Ndërsa në përvjetorin e 19 të thyerjes së kufirit, shqiptaro-shqiptar në Koshare, ka shkruar:

 

“Çdo vit e parandjej afrimin e kësaj date, në shpirt e në trup, në indet ku kam ende cifla granatash, e në eshtrat e cakërruara. Sot përkulem me nderim para kujtimit të 187 shokëve e shoqeve që ranë të betuar për të bashkuar Shqipërinë. Ata patën vdekjen më të mirë në tërë fisin shqiptar. I varrosëm lart në maje malesh, prej ku mund të sodisin gjithë mëmëdheun. Gjer te varri i bartëm mbi supet tona, mbështjellur në krahë të dhembsur të shkabës dykrenare. Bij e bija më të mirë ajo s’kish varrosur kurrë. Unë ndihem i padenjë kur kujtoj sakrificën e tyre. Dyfish i padenjë, kur shikoj se si disa sot fshehin pas derës idealin, e flamurin e tyre e tonin. Por më mban një besim i patundur, se flijimi i tyre nuk qe i kotë. E ndij në shpirt, atë thirrjen egërshane të amanetit të tyre. Ndonëse shumëkush do të donte ndryshe, me vitet kjo thirrje sa vjen e forcohet. E ndij në trup, në indet ku kam plagët, e në eshtrat e mia të cakërruara. E ndij se po afrohet – bashkimi i Shqipërisë. Uroj ta shoh sa jam gjallë. Se dua ta shpie edhe një herë atje lart, këtë shpirt e këtë trup të thyer, atje në Koshare, e te Rrasa e Zogut. E të ulem në bar te ta, e t’u pëshpëris te kokat: shoku im, shoqja ime, tash njëmend u krye. Deri atë ditë, lavdi emrave të tyre! Lavdi emrit UÇK!”

Ndërsa në një intervistë, për një medium në Kosovë, e ka të qartë kristal, se çka beson e çka nuk beson, çka do e çka urren. Liria e tij, është e paprekshme, sepse, buron nga racionaliteti e jo emocioni i përkohshëm.

 

  1. Oseku, është i prerë, sepse, ishte i prerë, kur vendosi të hyj në rreshtat e UÇK-së dhe sakrifikohet për kombin e vet. Dy herë.

“Unë si qytetar në demokraci e gëzoj të drejtën me përshëndet me gisht të mesëm çdo zyrtar, simbol, institucion, a politikë të shtetit që nuk më pëlqen, ata që thonë ndryshe janë enveristë të kamufluar”.

Për të përfunduar me thënien lapidare: Qytetarët janë pronarë të shtetit, e jo anasjelltas.

Po ashtu, përkufizon, jetën e vet, nëpërmjet idealit të përcaktimit: Luftën për çlirim.

Ja çfarë thotë për këtë vepër sublime të çdo patrioti:

“Kam qenë në UÇK dy herë, në Koshare e në Gostivar. Jam invalid i luftës. Kam varrosur shokë me duart e mia, të mbështjellë me flamurin kuq e zi. Ai është flamuri im dhe me të kemi luftuar, e me të jemi varrosur. Tjerat janë pallavra. Atë flamur unë e shoh si lapidar të lirisë e të demokracisë.

Për të ritheksuar vlerën dhe rëndësinë e flamurit, ja çfarë thotë shqipja e maleve tona:

“Unë flamurin kuqezi e shoh si vizion të një Shqipërie të lirë me të drejta pë r minoritetet etnike, fetare, e seksuale. Ma parë ma merr shpirtin se këtë shpresë për bashkim kombëtar.”

Ky decidivizëm, është i rrallë, në trojet shqiptare, kjo e fuqizon ndjenjën e përkushtimin, për qëllimet madhore, të artikuluar thjeshtë, saktë, shprehje shembullore.

 

Frashër Oseku, me jetën e vet, me qasjen origjinale, tejet humaniste, të mbështetur në përzgjedhjen demokratike të bindjes dhe veprimit, lartëson rininë e cila, u rreshtua, u angazhua dhe flijua, ashtu siç e kishte thënë, mendimtari i madh i lirisë sonë, Ukshin Hoti.

 

“Një popull, ose dëshiron realizimin e një qëllimi politik dhe për të është i gatshëm të sakrifikojë, ose nuk e dëshiron. Qëllimi politik i popullit shqiptar nuk mund te jete tjetër pos bashkimit të tij në një shtet të vetëm shqiptar”, kishte thënë Hoti, për ta përjetësuar më shkurt, Bëje ose vdis!

 

Në këtë rrugë të ndritur, ishte nisur dy herë, Frashër Oseku, dhe sot, është dëshmitar i rritës dhe përparimit të kombit të tij, gjithsesi, jo në sasinë dhe cilësinë e dëshirueshme nga idealistët kombëtar si Frashri me shokë.