Nga Eglantina Alliaj
“Mos i fol shoferit”, është emisioni më i ri në televizionin “Ora News”, i drejtuar nga aktorja Rudina Dembacaj, dhe ideuar nga avokatja Margarita Kola. Çfarë problematikash trajton ky emision, cili është këndvështrimi i njerëzve të thjeshtë, si dhe personave publikë për shoqërinë dhe fenomenet e saj. Për të zbuluar qëllimin e emisionit dhe thelbin e filozofisë së tij, ju ftoj të lexoni intervistën esksluzive dhënë për portalin “vizion.com.al” nga autorja e emisionit, avokatja e njohur Margarita Kola.
Zonja Kola, ju jeni autore e emisionit më të ri në “Ora News”, të titulluar “Mos i fol shoferit”. Çfarë kërkon të sjellë në vëmendje të opinionit publik, të teleshikuesve ky emision?
Ideja e emisionit është që të sjellë në ekran të zakonshmen, atë njerëzoren, qoftë kjo nga njerëzit e zakonshëm, qoftë kjo edhe pjesë e të zakonshmes tek njerëzit e njohur publik. Prandaj dhe struktura e emisionit është me dy ndarje: në pjesën e parë njerëzit janë fare të rastësishëm, ndërsa në pjesën e dytë thirren figura të njohura publike, por me synimin për të zbuluar atë që tek ata është e zakonshme, njerëzore, përtej asaj që shohim në ekran tek ata.
Cilat janë tematikat që do preken në këtë emision?
Vetë emisioni në përbërjen e vet ka kuicin dhe kuici është i ndërtuar në mënyrë të tillë që pyetjet të jenë të shumë fushave, por të lidhura me realitetin më të afërt të ngjarjeve shoqërore që kanë ndodhur.
“Mos i fol shoferit”, një titull sa ironik, aq edhe provokues. Pse zgjodhët ta quani kështu emisionin?
Për hir të së vërtetës, titulli i emisionit, pasi është rregjistruar sipas të drejtës së autorit të emisionit, ka dalë si fryt i konsultimeve me moderatoren e emisionit, zonjën Rudina Dembacaj, e cila i ka dhënë emisionit natyrën e humorit sarkastik. Kjo me qëllimin e thjeshtë për të goditur fenomenet, të cilat na shqetësojnë në jetën e përditshme.
Pse zgjodhet si moderatore të emisionit, një aktore të programeve të humorit, siç është “Portokallia” dhe “Alpazar?
Arsyeja është shumë e thjeshtë. Rudina në fakt gjatë bisedave që kemi pasur së bashku kuptoi thelbin e emisionit, dhe arriti të kombinojë qëllimin e emisionit me humorin që i vesh këtij qëllimi. Gjithashtu Rudina Dembacaj është një vajzë shumë punëtore, e cila e mori projektin në letër dhe e ktheu në realitet në një kohë mjaft të shkurtër. Dhe unë besoj që kam bërë zgjedhjen e duhur.
Si janë pritur nga opinion publik dhe teleshikuesit katër puntatat e para të emisionit?
Për të qenë fare e sinqertë nuk e prisja që ta ndiqnin kaq shumë njerëz, të cilët më kanë kontaktuar, duke më dhënë vlerësimet, pse jo dhe sygjerimet e tyre. Normal që vazhdoj të kem pas çdo puntate emocione, pasi është në proces afirmimi, por dhe përmirësimi emisioni. Shpresoj të pëlqehet në vazhdimësi nga teleshikuesit.
Ju jeni avokate në profesion. Si ju lindi ideja për të realizuar një emision të tillë?
Në fakt televizioni, por edhe letërsia kanë qenë pasione të mijat që në fëmijëri, dhe kam pasur gjithmonë ëndërr një emision të tipit targetues të shqetësimeve shoqërore, por të sjella këto nga dy përplasje këndvështrimesh, sesi e përcjellin një problem njerëzit e zakonshëm, dhe si e përcjellin dhe e perceptojnë të njëjtin problem njerëzit publik nga çdo fushë.