Euro vijon rritjen pas zgjedhjeve, arrin nivelin më të lartë që prej...

Euro vijon rritjen pas zgjedhjeve, arrin nivelin më të lartë që prej datës 20 prill

242
0

Euro është rritur ndjeshëm në kursin e këmbimit me lekun edhe ditën e martë.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye me 111.89 lekë, në rritje të mëtejshme me 0.58 pikë krahasuar me ditën e hënë. Që prej datës 11 maj, kur arriti minimumin historik prej 110.63 lekësh, euro ka fituar 1.26 lekë në kursin e këmbimit me monedhën vendase.

Ringritja e shpejtë e euros në kursin e këmbimit valutor po ndjek një trajektore të ngjashme me fundin e vitit të kaluar. Sipas agjentëve, një arsye që shpjegon këtë rritje mund të ketë qenë krijimi i pritshmërive se euro do të rritej sërish pas zgjedhjeve.

Kjo vlerësohet se solli një kërkesë të lartë për të blerë euro, sidomos pas ditës së premte dhe e ka rritur euron në nivelin më të lartë për pothuajse një muaj.

Kursi i këmbimit po e korrigjon nënçmimin historik të euros në gjysmën e parë të muajit maj, periudhë që përkoi me javët e fundit të fushatës për zgjedhjet lokale. Megjithatë, tendencat afatgjata të kursit ngelen dukshëm në favor të lekut, që rezulton të jetë mbiçmuar me 7.2% kundrejt euros krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ringritja e euros në kursin e këmbimit zbut pjesërisht shqetësimet e bizneseve eksportuese, që janë goditur ndjeshëm nga forcimi i monedhës vendase në kursin e këmbimit valutor. Euro është monedha dominuese në këmbimet tregtare të vendit dhe lëvizjet e saj ndikojnë direkt vlerën e importeve dhe eksporteve të shprehura në monedhën vendase.

 

Këtë fillim jave, leku paraqitet në rënie me shumicën e valutave të tjera të huaja.

 

Edhe dollari amerikan është rritur dhe këmbehej të martën me 102.71 lekë. Ashtu si me euron, edhe kursi i dollarit amerikan ka arritur nivelin më të lartë në afërsisht një muaj.

 

Megjithatë, forcimi i valutave të tjera nuk lidhet me faktorë të brendshëm të tregut valutor shqiptar, por raportet e këtyre valutave në kursin e këmbimit me euron. Në ditët e fundit, euro ka humbur terren në tregjet valutore ndërkombëtare dhe kjo po sjell forcim të valutave kryesore edhe ndaj lekut./monitor