Esksluzive/ Marko Bello: Mungesa e dialogut mazhorancë-opozitë çon në thellimin e krizës...

Esksluzive/ Marko Bello: Mungesa e dialogut mazhorancë-opozitë çon në thellimin e krizës dhe rrit rriskun për destabilizimin e cendit

429
0

“Duhet të shpresojmë se edhe më të mëdhenjtë e politikës nuk do të kenë harruar se mungesa e dialogut, intrasigjenca dhe obstruksionizmi çojnë në thellimin e krizës, rrisin rrezikun e destabilizimit të vendit dhe dëmtojnë rëndën  të ardhmen e qytetarëve”. Kështu shprehet në një intervistë për portalin “Vizion.com.al” ish ministri dhe ish-deputeti socialist Marko Bello. Sipas tij, vendimi i opozitës është krejt radikal, por edhe qëndrimi i mazhorancës e bën edhe më të vështirë zgjidhjen e këtij ngërci të paprecedent. I pyetur se çfarë mudn të ndodh nëse palët nuk lëvizin nga pozicionet tyre, zoti Bello i referohet përrallës së atyre 2 kecave kokëfortë, të cilët, duke mos pranuar t’i hapnin udhën njeri-tjetrit, ranë të dy nga ura në lumë.

 

Zoti Bello, si e shikoni situatën aktuale politike në vend?

Situata politike në vend vijon të jetë e tensionuar, me opozitën që ka braktisur përfundimisht Kuvendin, duke hequr dorë nga mandatet e të zgjedhurëve në institucionin kryesor të demokracisë. Përballë qëndron mazhoranca, e cila pretendon se është votuar nga shqiptarët që të qeverisë Shqipërinë deri në 2021. Palët janë ngujuar në llogoret e tyre dhe duket tejet e vështirë të gjendet një zgjidhje e shpejtë…Të tilla ngjarje janë parë shumë në këto gati 30 vjet demokraci, por sigurisht është hera e parë që pakica (PD+LSI) vendosi të “djegë” mandatet dhe t’i drejtohet qytetarëve, duke kërkuar zgjedhje të parakohëshme. Në kësi rastesh, vëmendja kthehet nga faktori ndërkombëtar, me shpresën se ai, me petkun e arbitrit, mund të ndërhyjë për t’i bindur palët të ulen në bisedime dhe gjejnë kompromis. Por, nuk duhet harruar një fakt i thjeshtë: Shqipëria nuk shikohet më me syrin e 15-20 viteve më parë, si një demokraci e re që ka nevojë për mbështetje. Si vend anëtar i NATO-s dhe kandidat në BE, për Perëndimin Shqipëria ka ndryshuar dhe konsoliduar, ajo do të vijojë të mbështetet, por duke ia lënë gjithnjë barrën e zgjidhjes së problemit vetë politikanëve vendas.

 

Opozita ka braktisur parlamentin, ka djegur mandatet dhe vazhdon protestat. A ishte i drejtë sipas jush vendimi i opozitës për djegien e mandateve?

Vendimi i opozitës është krejt radikal, i pa praktikuar tjetërkund dhe sigurisht i paimagjinueshëm për partnerët tanë perëndimorë, për të cilët institucionet mbeten i vetmi vend ku mund të zhvillohet demokracia dhe shteti i së drejtës. Kështu që opozita e fillon këtë betejë që në fillim përpara një të përpjete të mundimshme dhe me shumë të panjohura. Qëndrimi i delegacionit të Parlamentit Europian dje konfirmon pikërisht këtë konkluzion. Partive opozitare do t’u duhet shumë durim dhe përpjekje të bindin faktorin ndërkombëtar, kryesisht SHBA dhe vendet e BE se veprimi i tyre ekstrem ka qënë “e vetmja mundësi” për të sensibilizuar opinionin vendas dhe të huaj se Shqipëria ka probleme serioze me votën dhe demokracinë.

Image may contain: Marko Bello, suit

Mazhoranca duket se nuk lëviz nga pozicioni i saj, ndërkohë që në horizont nuk duket asnjë marërveshje apo negociatë e palëve….

Intransigjenca e mazhorancës e bën edhe më të vështirë zgjidhjen e këtij ngërci të paprecedent, aq më tepër që në fazën e parë, ajo ka dhe do të ketë mbështetjen e institucioneve të Brukselit dhe të kancelarive perëndimore. Në rast se kauza për të cilën lufton opozita (rikthimi i votës së lirë, eliminimi i lidhjeve të politikës me krimin, lufta pa kompromis kundër korrupsionit etj) do të gjejë gjithnjë e më shumë përkrahje te qytetarët, në se qeveria do të ketë vështirësi në ruajtjen e rendit, qetësisë dhe stabilitetit, nëse mazhoranca do të refuzojë të gjejë zgjidhje politike përmes dialogut, atëherë mund të asistojmë në ndryshimin e qëndrimit të ndërkombëtarëve: presioni i tyre do të ndryshojë kah, duke kaluar nga opozita te mazhoranca, të cilës do t’i kërkohet që të gjejë zgjidhje të pranueshme nga palët, me qëllim që vendi të mos rrëshqasë në hulli të rrezikshme destabizilimi.

 

Çfarë mund të ndodh nëse pas djegies së mandateve nga opozita, konsumohen edhe emrat e tjerë në listë? A mund të na çoj kjo drejt zgjedhjeve të parakohshme?

Sikurse vura në dukje edhe më sipër, mendoj se jemi ende herët për të dalë në një përfundim. Gjithçka do të varet nga dinamika e zhvillimit të ngjarjeve. Nëse fluksi i mbështetësve të opozitës do të rritet, nëse pretendimet e saj do të gjejnë përkrahje në shtresa të ndryshme të popullsisë dhe në mbarë territorin e vendit, qeveria dhe kreu i saj do ta kenë realisht të vështirë të vijojnë më tej sikur asgjë nuk ka ndodhur. Në të kundërtën, në rast se kauza e opozitës nuk gjeneron shpresë dhe optimizëm se gjerat në këtë vend mund të përmirësohen, nëse lidershipi i saj nuk arrin të bindë qytetarët se alternativa e tyre është më e mirë, se ata nuk duan thjesht ndërrimin e kahut të pushtetit, por ndaljen e rrokopujës dhe degradimit të cilësisë së jetës së shumicës së qytetarëve, mazhoranca mund ta ndryshojë situatën në favor të saj.

 

Ju e keni quajtur antikushtetues një tentativë të KQZ-së për të kufizuar me ligj mandatet e kryebashkiakëve….Zgjedhjet vendore të 30 qershorit po afrojnë, por kemi një bllokim të komisionit të Reformës zgjedhore.

Mua më duket se problem i kandidimit ose jo të kryebashkiakëve aktualë është i stisur dhe kërkon të zhvendosë vëmëndjen nga thelbi i problemit. Askush nuk i pengon liderët e partive të kandidojnë ose jo njërin apo tjetrin kryetar bashkie. Kontrolli i plotë që liderët partiake morën pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008 dhe eksluziviteti që ata kanë sa i përket përpilimit dhe vulosjes së listave me kandidatë për kryetarë bashkish ose deputetë e bën krejtësisht të panevojshëm dhe madje qesharak tentativën për kufizimin me ligj për të zgjedhurit. Për më tepër, ligji nuk mund të ketë fuqi prapavepruese dhe në rast se miratohet, ai do të aplikohej vetëm për vitet që vijnë, jo ato që shkuan. Problemi i Reforës Zgjedhore mbetet padyshim një problem për zgjidhje. Duhet vullnet politik në radhë të parë, duhen drejtues të përgjegjshmë partish, dhe pa asnjë diskutim kërkohet demokraci reale, kritere të qarta dhe rregulla loje të mirëpërcaktuara brenda forcave politike që në bashki apo Parlament të zgjidhen njerëz me reputacion, të aftë, të përkushtuar dhe me integritet të lartë moral.

Një pyetje që na mundon të gjithë, çfarë do ndodh nëse mazhoranca dhe opozita nuk do i lëshojnë ‘pe’ njëra-tjerës në këtë situatë?

Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, më duhet t’i referohem përrallës së atyre 2 kecave kokëfortë, të cilët, duke mos pranuar t’i hapnin udhën njeri-tjetrit, ranë të dy nga ura në lumë. Nëse fëmijëve u tregojmë se kokëfortësia, zemërimi dhe inati mund të shpien në greminë, duhet të shpresojmë se edhe më të mëdhenjtë e politikës nuk do të kenë harruar se mungesa e dialogut, intrasigjenca dhe obstruksionizmi çojnë në thellimin e krizës, rrisin rrezikun e destabilizimit të vendit dhe dëmtojnë rëndën  të ardhmen e qytetarëve.

Intervistoi: Eglantina Alliaj