EKSKLUZIVE/ Myslim Murrizi: Nga politika largohem me votë, jo me shkresë të...

EKSKLUZIVE/ Myslim Murrizi: Nga politika largohem me votë, jo me shkresë të asnjë birboje që e mendon veten si pronarë të listave

390
0

Deputeti demokrat Myslim Murrizi  bën të ditur se sapo të bëhen 7 deputetë të Partisë Demokratike në parlament do të krijohet dhe grupi parlamentar. Nuk dorëzoi mandatin e deputetit, por nuk do të heq dorë në politika. Në një intervistë për portalin “VIZION.COM.AL”, zoti Murrizi thekson se PD nuk ka lider, por një kryesi të emëruar. Duke ju kudnërgjigjur gjithë zërave kritikë ndaj tij, ai thekson se ka 29 vjet në politikë, dhe kjo tregon më së miri që nuk i përket qurravitëseve që bëjnë çdo përpjekje për të mos ndryshuar sistemin vetëm që të mbajnë si vemje një karrike për menderen e tyre. “Pas ndryshimit të sistemit zgjedhor do të jem përsëri kandidat dhe do të largohem nga politika me votë, jo me shkresë të asnje birboje që mendon veten si pronarë të listave”-thotë Murrizi.

 

 

Zoti Murrizi, ju e dorëzuat mandatin, dhe kjo ju krijoi debate apo edhe “armiqësi” me opoziten. Cila është marrëdhënia juaj me lidershipin e PD aktualisht?

Së pari Partia Demokratike nuk ka lider, por kryetar dhe nje kryesi të emëruar nga kryetari dhe marrëdhëniet e mia me ta janë si marrëdhëniet me çdo votues jashtë zonës time ku kam kandiduar si deputet. Pra marëdhënie njerëzore me qytetarë të zakonshëm sepse politikisht mbi 90% e tyre nuk kanë asnjë lidhje me PD.

 

 Si u prit nga baza dhe nga ata që ju kanë votuar ky vendim?

Marrëdhëniet e mia me bazën janë të pa shkëputura prej vitit 1990 dhe unë nuk jam në politikë dhe në parlament nga servilizmi ndaj këtyre në Tiranë por nga vota e ATYRE atje ku kam 29 vjet aktivitet politik. Militantët që besonin se do rrëzohej qeveria në datë 16 shkurt e pastaj me 16 mars siç i mashtroi “ udhëheqja” u mërzitën ditët e para dhe unë i kam mirëkuptuar plotësisht.

 

Do krijoni grup parlamentar në Kuvend?

Po, do krijojmë grup parlamentar sapo të bëhemi 7 deputetë të Partisë Demokratike.

 

 Sipas jush sa kompakt është grupi i deputetëve të opozitës?

Për cilin grup e keni fjalën? Për ata që ishin apo këta që po vijnë? Ata që ishin nuk kanë patur kompaktësi sepse nga 43 deputetë vetëm 4-5 ishin të pranishëm kudo, të tjerët u anashkaluan qëllimisht. Këta që do krijohen besoj që nuk kanë këtë lloj xhelozie me njëri- tjetrin se nuk vijnë si lidera të mëdhenj, por si DEMOKRAT që kanë punuar për PD pa menduar se do jenë në parlament.

 

Politika eshtë në ngërç, a duhet të ulen palët të dialogojnë?

Dialogu bëhet në institucione dhe ikja nga institucionet e vështirëson dialogun.

 

 Zgjedhje të parakohshme pa Ramën, është kërkesa e opozitës, ju jeni në të njëjtën linjë?

Zgjedhjet e parakohshme nuk janë gjë e keqe, por kur bëhen për të mirën e QYTETAREVE jo për karriket e pushtetarëve. Në demokraci kurrë nuk zgjidhet kundërshtari ,kështu që Rama është kryetar i PS-së dhe askush përveç socialisteve nuk mund ta heq Ramën nga kryetar sikurse Bashën e heqin vetëm demokratët. Po të ishte se zgjidhej kundërshtari atëherë nuk kishte pse të bëheshin zgjedhjet.

 

Si e shikoni të ardhmen tuaj në politikë?

Unë kam 29 vjet aktiv në politike dhe nuk jam nga ata që nuk duroj dot pa karrike.  Kam qenë deputet dy herë 1997-2001 dhe tani 2017 e në vazhdim, pra 6 vjet në kuvend dhe 29 vjet në politikë tregojnë më së miri që unë nuk i përkas qurravitëseve që bëjnë çdo përpjekje për të mos ndryshuar sistemin vetëm që të mbajnë si vemje një karrike për menderen e tyre.

Pas ndryshimit të sistemit zgjedhor do të jem përsëri kandidat dhe do të largohem nga politika me votë, jo me shkersë të asnjë birboje që mendon veten si pronarë të listave.

Intervistoi: Eglantina Alliaj