Ekskluzive/ Bilal Kola: APD, opozita reale në këto zgjedhje, një e djathtë...

Ekskluzive/ Bilal Kola: APD, opozita reale në këto zgjedhje, një e djathtë e vërtetë e papërfaqësuar deri tani

1235
0

APD-partia që synon të –përfaqësojë shtresën e ish-të përndjekurve politikë, pronarëve legjitimë dhe diasporën shqiptare. APD-ja është regjistruar në zgjedhjet e 18 qershorit me kandidatë në të gjithë vendin, ky listat kryesohen nga pinjollë të familjeve të persekutuara në komunizëm.

Nga Eglantina Alliaj

Me një formim të shkëlqyer akademik dhe profesional, Bilal Kola do të garojë në zgjedhjet e 25 qershorit në siglën e APD, Aleancës Popullore për Drejtësi. APD është një nga partitë më të reja të spektrit politik në vend. E themeluar në janar, në një konventë me mbi 3 mijë pjesëmarrës, APD synon të jetë zëri i gjithë qytetarëve që u ndëshkuan nga diktatura për 45 vjet, por edhe sot vazhdojnë të jenë të nëpërkëmbur nga pluralizmi. Kola, e sheh partinë e tij si një opozitë reale në këto zgjedhje, si një e djathtë e vërtetë, e papërfaqësuar deri më tani as me Partinë Demokratike dhe as me parti të tjera të spektrit të djathtë.  Në një intervistë për “Vizion.com.al”, Kola thotë se të përndjekurit, pronarët realë dhe emigrantët janë baza e kësaj lëvizje të re politike. Por jo vetëm kaq, brenda saj e gjejnë veten gjithë qytetarët shqiptarë që janë nëpërkëmbur nga qëndrimet e pseudo të djathtëve. Kola shprehet se, më shumë se koalicionet për APD ka rëndësi vendosja në vend e të drejtave të kategorive që janë nëpërkëmbur. Duke folur për mungesën e ndëshkimit të krimeve të komunizmit, Bilal Kola jep edhe një arsye që është njëherazi dhe akuzë ndaj partive kryesore:Partitë e vjetra vazhdojnë të përdorin në pozicione vendimmarrëse njerëz të implikuar me Sigurimin e Shtetit.

Pse lindi Alenca Popullore për Drejtësi?

“Më lejoni t’iu shpjegoj pse lindi Aleanca Popullore për Drejtësi. Regjimi komunist në Shqipëri në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, përveç pasojave të ndryshme si pasojë e diktaturës sui generis enveriste, ka pasjellë formatimin edhe të disa grupimeve sociale si: të përndjekurit, pronarët realë dhe diaspora. Aleanca Popullore për Drejtësi synon, përveç adresimit të disa çështjeve që kanë të bëjnë me mirë-funksionimin e shtetit ligjor, tregun, ekonominë dhe biznesin, të adresojë dhe zgjidhe në mënyrë të drejtë dhe të ndershme, në përputhje me germën dhe frymën e Kushtetutës, një mori çështjesh që mbeten të pa-zgjidhura prej 26 vitesh post-diktaturë! Pra, Aleanca Popullore për Drejtësi vjen si nevojë imediate e mosrehabilitimit të të përndjekurve politikë, moskthimit të pronës te pronarët realë dhe mos adresimit të çështjeve që kanë të bëjnë me faktorizimin e diasporës, e cila është kontributor neto për Shqipërinë, por aspak vendimmarrës për fatet e vendit! Në kushtet kur, sipas një Raporti të KLSH, për të përndjekurit është kryer vetëm 1/3 e dëmshpërblimit që nga ligji i pafajësisë së vitit 1991 (masat dhe iniciativat për rehabilitimin moral të tyre ende nuk kanë filluar), prona nuk është kthyer tek i zoti, kontributet e diasporës shpërfillen, Aleanca Popullore për Drejtësi i përgjigjet thirrjes së elektoratit shqiptar me qëllim adresimin dhe zgjidhjen permanente të këtyre çështjeve.

 

Cilat janë puikat kryesore të programit tuaj për zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit?

 

Një pjesë e rëndësishme e programit tonë përqendrohet të rehabilitimi i të përndjekurve, sikundër edhe te çështja e pronarëve realë dhe diasporës. Vetë fakti pse një 26-vjeçar di pak ose aspak për diktaturën komuniste është arsye më vete pse pjesa e programit tonë për “Muzealizimin , Kurrikulat Shkollore dhe Vlerësimet Historike” duhet implementuar. Ne synojmë krijimin e muzeve të kujtesës në ish-burgjet e diktaturës komuniste dhe kampeve të internimit dhe vënien në shërbim dhe menaxhim të këtyre muzeve nga vetë anëtarët e komunitetit e të përndjekurve duke përfshirë shoqatat e të përndjekurve politikë. Përveç iniciativave ligjore për dënimin e krimit komunist, që kurrë nuk u ndërmorën, ne synojmë ballafaqimin e nxënësve dhe studentëve me pasojat e krimit komunist nëpërmjet kurrikulave si dhe me anë të ekskursioneve në vendet e vuajtjes së martirëve të lirisë dhe viktimave të komunizmit, me ciceronë ish të burgosur dhe të internuar. Kjo sigurisht që, është e vonuar, por përgjegjës për këtë janë pikërisht vendimmarrësit e këtyre 26 viteve dhe jo 26-vjeçarët shqiptarë! Për këtë gjë ne nuk do shpikim rrotën, pasi në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët në vendet e tyre tashmë i kanë implementuar këto iniciativa, do të mundësojmë rehabilitimin moral të martirëve të vërtetë të lirisë dhe demokracisë. Po ju jap një shembull – në Gjermani nxënësit e kanë provim lirimi historinë e diktaturave që ka përjetuar ky vend! Kjo për gjermanët nuk është thjesht një çështje dijesh historike, por mbi të gjitha një induktim qytetar që i bëhet rinisë së vendit të tyre me qëllim fundor për parandalimin që në gjenezë ripërsëritjes së mundshme të fajeve/gabimeve të rënda të së shkuarës naziste dhe komuniste. Dihet se mosreflektimi mbi të shkuarën është premisë për përsëritjen e saj!

 

 

 

E djathta e vërtetë sipas Bilal Koles!

Ka aspiruar për tu angazhuar në politikë, për të përfaqësuar shtresën nga e cila vjen, por dyert kanë qenë gjithmonë të mbyllura. Ndërkohë që problematikat, çështjet, interesat apo kauzat e shtresës nga e cila vjen dhe përfaqëson kanë qenë gjithmonë të paadresuara. Mospërfaqësimi i shtresës së të persekutuarve është arsyeja kryesore pse nuk janë adresuar çështjet, pse nuk janë zgjidhur kauzat dhe pse nuk janë trajtuar interesat e këtyre shtresave.

 

Lista

Viktor Martini kryeson listën e Shkodrës, dhe është një personazh tipik që përkufizon disidencën shqiptare

Në qarkun e Dibrës është një vajzë të re, pinjolle e një ndër familjeve më patriotike të zonës, nga familja e Kaloshëve.

Në qarkun e Lezhës është Zef Lleshaj, i cili është pinjoll në një familje patriotike të zonës.

Në Durrës është Orkid Spahiu

Në Tiranë: Bilal Kola dhe Gëzim Poçari

Në qarkun e Fierit është Ervin Dina, pinjoll i familjes së Dinajve të Maqellarës dhe i Fiqiri Dinës ish-kryeministrit shqiptar.

Në Gjirokastër Arjeta Kokalari

Marsel Mersini në qarkun e Vlorës

 

Skeda/ Kush është Bilal Kola?

Bilal Kola është me origjinë nga njën familje patriotike Matjane. Është lindur dhe rritur në një kamp internimi  në rrethin e Lushnjes. Ka një formim të shkëlqyer perendimor akademik dhe professional. Ka qenë gjithmonë pranë njerëzve të vuajtur duke ofruar ndihmë profesionale, qytetare dhe intitucionale. Që prej janar 2017 drejton subjektin Aleanca Popullore për Drejtësi.

Formimi akademik

Universiteti Ndërkombëtar-Montgomery USA, Kampusi i Vienës

Doktor Shkencash

IATA Institute of Studies

Diplomë pasuniversitare në të Drejtën e Aviacionit

National Committee on Acreditation-Kanada

Kryer me sukses kursin e Akreditimit si Avokat në Kanada

London Metropolitan University-Angli

Master në të Drejtën Ndërkombëtare Tregtare

South Bank University-Londër-Angli

Diplomuar në Honorime në Drejtësi

 

Eksperienca profesionale

Instituti I Integrimit ish të Përndjekurit Politikë

Drejttor i Përgjithshëm

Gjatë kësaj kohe Bilal Kola ka kontribuar me përkushtim në dhënien e kësteve të dëmshpërblimit si dhe rehabilitimin moral të shtresës që përfaqëson në ngritjen e disa memorialeve në të gjithë vendin.

 

K&Law Firm

Në vitin 2009-2014,  Bilali ka drejtuar studion e tij ligjore dhe në shumë raste ka ofruar konsulencë falas shtresës që përfaqëson.

Tirana International Airport-Drejtor i Përgjithshëm Juridik

Gjatë kësaj kohe Bilali ka drejtuar departamentin ligjor në një nga kompanitë më të suksesshme në Shqiëpri. Balili ka eksperiencë profesionale pune në Angli dhe Kanada. Balili ka dhënë leksione si Lektor i Jashtëm në disa universitete shqiptare si dhe në Universitetin Ndërkombëtar Montgomery USA, Kampusi i Vienës.