Mikel Alia eshte presioni qe u shpall ne kerkim nga policia, pasi akuzohet se shiti shokun e fëmijërisë për para, e nxori ne prite dhe me pas ai u gjet i ekzekutar.
Dyshimet për nxjerrje në pritë i ngriti bashkëshortja e viktimës, pak ditë pas ngjarjes. Nazli Zefi, u shpreh e bindur se vrasja ka ndodhur për shkak të gjakmarrjes dhe se dikush e ka prerë në besë burrin e saj.
E pikëlluar nga humbja e njeriut të saj më të dashur, 22-vjeçarja e cila po rrit e vetme djalin 5-muajsh, thotë se nuk arrin ta kuptojë se si shoku i ngushtë e ka shitur.
“Jam shumë e traumatizuar. Nuk mund ta imagjinoj se si ndodhin në Shqipëri të tilla gjëra. Më mungojnë fjalët. E ka prerë në besë për para”, shprehet Nazli Zefi. Ajo tregon se bashkëshorti kishte frikë nga gjakmarrja dhe për këtë arsye ruhej.
“Burri im kishte boll frikë për gjakmarrje, çdo natë binte të flinte me mendime dhe me lot në sy. Ama, me e dërgu burrin tim deri atje në kanal ku nuk ka asnjë njeri dhe me ma humb, kjo nuk është gjakmarrje. Ai që ka bo gjakshkelurin, nuk është burrë. Kunati im, Ndue Zefi, e ka vrarë Martin Ndrecën para njerëzve dhe është dorëzu në Polici duke pranu vrasjen. Kur ka ndodhur konflikti mes Ndue Zefit dhe Martin Ndrecës, Martini e ka marrë burrin tim në telefon, sepse kanë qenë shokë. Por ne ishim në gjumë dhe asnjëri nuk e ka dëgju telefonin. Kur burri mori vesh çfarë kishte bërë i vëllai, u tërbua. Nuk iu besonte se kjo mund të ndodhte mes shokëve.
Çdo natë më thoshte: ‘Është gjynah që Nduja ndodhet në burg dhe s’mundet me pa fëmijët e vet, por ma gjynah se Martini nuk ka. Martini s’mundet më kurrë me i marrë fëmijët e tij në krahë, s’ka më keq’. Atë dhimbje që ka pas familja e Martinit atëherë, atë dhimbje kemi ne tani, sidomos unë me djalin 5-muajsh”, thotë e pikëlluar shtetasja turke. Përveç fenomenit të gjakmarrjes që Nazli nuk arrin ta kuptojë, se si çdo vit merr jetë të pafajshme, tani ajo duhet të përpiqet të kuptojë deri ku arrin pabesia e njeriut, për më tepër e shokut. Ajo kërkon vetëm dy gjëra: “Të vihet drejtësi për burrin tim dhe t’i jepet fund gjakmarrjes duke vrarë njerëz të pafajshëm”./PANORAMA.al