E fundit/ KQZ merr vendimin, Agim Kajmakun shkarkohet nga detyra si kryebashkiak...

E fundit/ KQZ merr vendimin, Agim Kajmakun shkarkohet nga detyra si kryebashkiak i Vorës

356
0

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është mbledhur këtë të premte, për të diskutuar mbi “fatin” e kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku. Pas diskutimeve në mbledhje, ku vetë Kajmaku nuk ishte i pranishëm, por përfaqësohej nga avokati i tij, KQZ është tërhequr për vendim.

Nga ana e tij, avokati kërkoi nga KQZ konfirmimin e Agim Kajmakut në detyrën dhe lejimin e tij për ta ushtruar detyrën e kryebashkiakut të Vorës.

Kryebashkiaku Kajmaku u akuzua nga Partia Demokratike se ishte arrestuar në Greqi, nën emrin Jorgo Toto, për veprën penale të falsifikimit të parave, por që nuk e kishte paraqitur në formularin e Dekriminalizimit.

Akuzat e PD u konfirmuan edhe nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila pasi bëri verifikimin e shenjave të gishtërinjve të Kajmakut dhe shenjat e gishtërinjve të shtetasit Jorgo Toto, të arrestuar në Greqi, rezultoi se ishte i njëjti person.

Fillimisht, Agim Kajmaku i mohoi akuzat e opozitës, duke thënë se nuk ishte arrestuar asnjëherë, por pas konfirmimit nga Prokuroria, ai publikoi vendimin e Gjykatës së Janinës, që e shpallte atë të pafajshëm, duke thënë se nuk e ka ditur për dënimin në vendin fqinj.