DW artikull përmbledhës: Ditë zie kombëtare në Shqipëri e Kosovë

DW artikull përmbledhës: Ditë zie kombëtare në Shqipëri e Kosovë

364
0

Do të jenë ditë që nuk do të harrohen lehtë në Shqipëri.

Tragjedia e tërmetit solli 24 viktima. Momente të vështira janë shënuar sidomos në Durrës dhe Thumanë, zonat më të prekura nga tërmeti i fuqishëm prej 6,4 ballësh që goditi Shqipërinë të martën në mëngjes. (26.11.2019). Operacionet e shpëtimit vazhdojnë me intensitet punën për të nxjerrë nga rrënojat të mbijetuarit. Burime zyrtare bëjnë me dije, se janë paraqitur për t’u mjekuar nga plagët prej tërmetit mbi 650 qytetarë. Numri i të shpëtuarve nga rrënojat arriti në 45 vetë të martën në mbrëmje. Ende nuk ka shifra të sakta për dëmet materiale, por ato janë tejet të mëdha.

Solidaritet nga Gjermania, vendet e BE dhe ato fqinje

Kancelarja Merkel ka vënë në lëvizje mekanizmin e ndihmës në emergjencë. Për aktivizimin e mekanizmave të ndihmës emergjente kanë shprehur gadishmërinë edhe Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zaev, Kryeministri i Bullgarisë, Borisov, bën me dije kryeministri Rama në median sociale.

Nga Italia, Franca, Greqia dhe Turqia kanë ardhur avionë për të ofruar ndihmë emergjente. Përfaqësuesja e Lartë e BE, Federica Mogherini në një deklaratë zyrtare thekson që  BE është gati të ofrojë asistencë përmes aktivizimit të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile Europiane. “Qendra e Koordinimit të Emergjencave Europiane është në kontakt  të vazhdueshëm me Emergjencat Civile Shqiptare”. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka dërguar skuadrat speciale të Forcave të Sigurisë drejt zonave të krizës emergjente për nxjerrjen e njerëzve që janë ende nën rrënoja.

Të martën në Durrës, Tiranë dhe Lezhë Ministria e Arsimit anuloi mësimin. Ekipet e Shtabeve të Emergjencës në Bashkitë e Tiranë dhe Durrësit po i vijnë në ndihmë të prekurve nga tërmeti. Janë vënë në dispozicion Rezervat e Shtetit dhe janë hapur qendrat sociale për këdo që ka nevojë në zonat më të prekura në Durrës dhe Thumanë./ DW