Dita e “Frymëmarrjes për të ardhmen”, Kryeministri Rama dhe kryebashkiaku Veliaj në...

Dita e “Frymëmarrjes për të ardhmen”, Kryeministri Rama dhe kryebashkiaku Veliaj në mbjelljen e 1 mijë pemë të reja në Parkun e Farkës

342
0

Në ditën e “Frymëmarrjes për të ardhmen”, Shqipëria ashtu si dhe disa vende të rajonit i janë bashkuar nismës së mbjelljes së 1 mijë fidanëve në Parkun e Madh të Liqenit të Farkës, donacion nga vendi mik, Turqia. Në këtë ceremoni ku merrnin pjesë edhe Kryeministri Edi Rama, Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit, Bledi Çuçi, ambasadori turk, Murat Ahmet Yoruk,  kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj theksoi se mbjellja e këtyre pemëve të reja është paja më e mirë që i lihet gjeneratës së ardhshme. “Ne vijmë nga një eksperiencë që kryeministri ka përmendur shpesh, eksperienca e viteve ’90, ku i shpallëm luftë natyrës, ku premë çdo pemë, ku ndotëm lumenj, duke filluar nga Lana në Tiranë, apo tek lumenjtë e mëdhenj të Shqipërisë, ku ndërtuam pa kriter. Besoj se jemi sot në një fazë ku edhe prej pandemisë kemi reflektuar për të bërë një paqe me natyrën. Dhe ndaj gjithë kjo eksperiencë e mbjelljes së pemëve, që filloi me Edi Ramën kryetar Bashkie ne vitet 2000-2011, mori një pauze 4-vjeçare, pastaj rikuperoi prapë, dhe fakti që sot po i rikthejmë Tiranës një pajë e cila në bashkëpunim me komunitetet e zonës, në bashkëpunim me njësitë administrative, duke shfrytëzuar asetet që kemi siç janë këto liqene dhe këto lumenj, do jenë ndoshta një pajë dhe për gjeneratat e ardhshme”, deklaroi Veliaj.

Kryeministri u shpreh se kjo nismë që tashmë është kthyer në një traditë dhe në vendin tonë, ka hyrë edhe në librin guiness të rekordeve. “Ky është edicioni i dytë i një festivali ndërkombëtar, organizuar nën kujdesin e Erdogan, në edicionin e parë në shumë vende të botës në të njëjtën orë janë mbjellë 1 milion pemë. Ka hyrë edhe në librin guiness të rekordeve. Sot në Tiranë jemi së bashku në të njëjtën orë me një numër të konsiderueshëm të vendeve të tjera për të mbjellë në liqenin e Farkës 1 mijë pemë në një proces ku Tirana ka qenë në vijën e parë me një ndërprerje të vogël. Jam shumë krenar që sot ne shohim frytet e prekshme të moratoriumit të vendosur disa vite më parë që ka ndaluar prerjen e pyjeve përveçse për nevojat e popullsisë në zona të caktuara. Ka ndaluar dhe gjuetinë. Kemi një ripërtëritje të vazhdueshme dhe të faunës “, tha Rama.

Ambasadori turk Murat Ahmet Yoruk bëri të ditur se kësaj nisme i janë bashkuar tashmë rreth 30 shtete. “Dua tu falenderoj për pranimin e ftesës tonë e cila i është kushtuar një vëmendje të veçantë programit që vazhdon të jetë nën vëzhgimin e Erdogan. Ky projekt është një projekt që është filluar nëpërmjet iniciativës kryesore të Erdogan vitin e kaluar dhe tashmë siç po  e shikojmë në këtë manifestim e cila përhapet dalëngadalë në të gjitha vendet  e rajonit. Po zbatohet në 30 shtete të botës”, deklaroi ambasadori turk në vendin tonë”, tha ambasadori.

Parku i Farkës nga një tokë djerrë dhe vendgrumbullim plehrash deri 5 vite më parë, është transformuar nga Bashkia e Tiranës në një destinacion të preferuar të kryeqytetasve për të kaluar orët e lira.