Dhuna në stadiume, Rama: Monitorim me kamera, ndërhyjmë në Kodin Penal

Dhuna në stadiume, Rama: Monitorim me kamera, ndërhyjmë në Kodin Penal

465
0

Kryeministri Edi Rama ka qenë i pranishëm në një tryezë të përbashkët me Federatën Shqiptare të Futbollit, për t’i dhënë zgjidhje krizës së sigurisë në stadiume, që ka sjellë pezullimin e kampionatit. Rama ka thënë se impiantet sportive ofrojnë kushte të ulëta sigurie, ndaj duhet minimalisht të instalohen kamerat.

“Policia dhe Federata të bashkëpunojnë. Një nga burimet e konfliktit, lidhet me cilësinë e impianteve sportive. Ka mjaft impiante që është e vështirë të hyjnë në parametrat normale të sigurisë, policia e hedh topin te Federtata, Federata nuk ka si të mos e hedhë topin te policia. Duhet të monitorojmë me kamera të gjitha stadiumet. Jetojmë në epokën e teknologjisë, pa kosto të larta, klubet të detyrohen të pajisin impiantet me kamera duke i dhënë mundësi policisë të identifikojë të gjithë keqbërësit në stadium dhe duke i bërë të pakthyeshme kërkesat e prokurorisë në gjykata. Siç kemi dëshmuar, kostot i kemi përballuar bashkarisht me federatën”, është shprehur Edi Rama.

Ai ka paralajmëruar edhe ndryshime në Kodin Penal. “Ne do të ndërhyjmë në Kodin Penal, kapërcimi i vijave të bardha dhe hyrja në fushë, do të dënohet me tre vjet burg. Jo gjobë deri në tre vjet burg, por minimalisht tre vjet burg. Kush kalon vijën e bardhë dhe hyn në tapetin e gjelbër, është kërcënim për këdo. Burgim dhe përjashtim përjetë nga stadiumi i atyre që kalojnë vijat e bardha, do të jetë hapi i parë që do të bëjmë me parlamentin”, ka thënë kryeministri, duke marrë shembull modelin anglez.