Presidenti Ilir Meta deklaroi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese pas marrëveshjes së detit në vitin 2009, është vija e kuqe e detyrueshme për t’u zbatuar në negociatat me Greqinë për detin. “Kushtetuta dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese mbi këtë çështje, janë jo vetëm për Presidentin e Republikës, por për të gjitha institucionet shqiptare të përfshira në këtë proces, vija e kuqe e detyrueshme për zbatim”, tha Meta. Ai tha se “u detyrova sot jashtë dëshirës sime të bëj publike përgjigjen për Ministrinë e Jashtme, me qëllim qartësimin e opinionit publik për këtë çështje mjaft të rëndësishme, më e debatuara e dekadës së fundit.” Meta theksoi mbështetjen dhe angazhimin për një zgjidhje të drejtë dhe përfundimtare të kësaj çështjeje, “prandaj duhet transparencë e plotë nga të gjitha institucionet.” “Me këtë rast, dua të nënvizoj se sjellja dhe kontributi i Presidentit do të jetë i bazuar vetëm në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese për hapësirat detare mes Shqipërisë dhe Greqisë.”