Detajet bëjnë diferencën; Gabimet që s’duhet të bëni kur shtroni tavolinën e...

Detajet bëjnë diferencën; Gabimet që s’duhet të bëni kur shtroni tavolinën e darkës së Vitit të Ri

387
0

 

Për shtrimin e tavolinës në mbrëmjen e ndërrimit të viteve, “Living.al” rekomandon thjeshtësi, finesë dhe kombinim me natyrën, për një tavolinë që të hap oreksin pa e pare ende ç’do të serviret në të. Zgjidhni një mbulesë të thjeshtë, jo shumë të ngarkuar, për t’ju dhënë  mundësinë të luani me aksesorët apo pjatat.

 

Më poshtë do të lexoni disa nga rregullat e arta dhe gabimet që duhet të shmangni kur shtroni tavolinën me raste festash.

 

Kujdes në renditjen e aksesoreve! Pjata kryesore mbajtëse duhet të jetë e diametrit 30-32 cm ku më pas do të vendosen të gjitha pjatat e tjera që do të serviren. Thika me tehun e drejtuar nga pjata duhet të vendoset në të djathtë, e ndjekur më pas nga luga. Në drejtim të majës së thikës do të vendosen gotat dhe në të majtë piruni. Zakonisht piruni i ëmbëlsirës dhe luga e vogël vendosen sipër pjatës.

 

Nga e kuqja tradicionale deri tek e argjendta; Living ju propozon 10 ide për shtrimin e tavolinës

Pecetat… a dini se janë ato që tërheqin vëmendjen të parat dhe japin mirëseardhjen në tavoline? Prandaj ju themi: “Luani me fantazinë tuaj”. Nëse keni unaza pecetash mund të formoni me to lule ose figura të tjera shumë tërheqëse, ose mund t’i lidhni me fije kashte dhe të vendosni lule natyrale mbi to, ose t’i palosni në formë xhepi dhe setin e lugëve ta vendosni aty, ose… ka shumë mënyra, po këtë po jua lëmë juve ta krijoni sipas dëshirës.

 

 

E pra, jo vetëm ushqimi është i rëndësishëm, por edhe mënyra sesi do të shtrohet tavolina dhe aq më tepër aksesorët që përdoren në të janë shumë të rëndësishëm.

 

Kujdesuni që pirunët të jenë afër pjatës, në të majtë të saj. Më pas, vendosni thikën në të djathtë të pjatës, të ndjekur nga luga që përdoret për sallatën dhe përpara pjatës vendosni lugën e supës.

Gotat me fron duhen vendosur në cepin e djathtë të pjatës dhe renditen si më poshtë:

Gota e verës së kuqe vendoset përpara majës së thikës, ndërsa përballë saj, në të majtë, vendoset gota e ujit dhe në fund, gota e verës së bardhë vendoset në të djathtë të gotës së ujit. Por vendosja e gotave varet edhe nga lloji i tryezës që shtroni, ashtu sikurse varet edhe vendosja e pecetave në tavolinë. Mund të zgjidhni t’i vendosni ato në të majtë të pirunëve, por mund t’i vendosni edhe përpara pjatës që keni vendosur në tavolinë. Nëse do të vendosni pjata buke apo gjalpi, atëherë pozicionojini ato në të majtë të pjatës, para pirunëve. Gjithashtu, vendosini thikat e bukës dhe gjalpit në mes të pjatave të tyre përkatëse. Përpara pjatës së ushqimit mund të vendosni gjithashtu edhe pirunë apo lugë për ëmbëlsirën.

 

Nëse vendosni të keni muzikë në sfond, atëherë përzgjidheni atë me shumë kujdes, të jetë e qetë e me zë të ulët dhe jo stresuese për të ftuarit.