Detaje tronditëse/ Në dyqanin ku u qëllua çifti Buci dhe fëmija i...

Detaje tronditëse/ Në dyqanin ku u qëllua çifti Buci dhe fëmija i tyre 6 vjeç

401
0

Një ngjarje tejet e rëndë u shënua mbrëmjen e djeshme në rrugën “OSBE” të Kamzës. Ishte ora 21:07 kur çifti Buci bëhej gati të mbyllte dyqanin e vogël ushqimor kur persona të armatosur dhe të maskuar hynë për ti grabitur. Mësohet se Agim Buci ka bërë rezistencë duke mos pranuar tu dorëzojë paratë grabitësve, ku njëri prej tyre e ka qëlluar në mënyrë të pamëshirshme në kraharor me plumba pistolete. 52 vjecari humbi jetën porsa mbërriti në spitalin e Traumës. Nga plumbat në dyqanin e tyre, mbeti e plagosur bashkëshortja, 44 vjece, Merita Buçi. Mjekët thanë se ajo është jashtë rrezikut për jeten. Sakaq, sot mësohet se në dyqan bashkë me çiftin ka qenë edhe fëmija i tyre i mitur, 6 vjec. Ai fatmirësisht ka shpëtuar pa dëmtime pasi është fshehur poshtë banakut. Grabitësit që kryen krimin e rëndë ende nuk janë zbuluar nga policia. Kjo e fundit tha se ka vendosur shpërblim prej 500 mijë lekësh të reja për informatorët e policisë. Dyshohet se kanë qenë dy persona që hynë për të grabitur, duke përfituar nga errësira, pasi rruga është e pandriçuar ata kanë arritur të largohen nga vendi i ngjarjes para se të mbërrinte policia. Viktima Agim Buci është qëlluar me një plumb në gjoks, ndërsa e shoqja në këmbë. Më pas, autorët kanë marrë paratë që ndodheshin në kasë, që dyshohet të kenë qenë rreth 20-30 mijë lekë të reja. Agim dhe Merita Buci, janë prindër të 4 fëmijëve, 3 vajzave dhe një djali të vetëm, i cili, fatkeqësisht, u bë dëshmitar i ngjarjes tragjike. Ata ishin larguar prej 17 vitesh nga Mati dhe kishin ndërtuar shtëpinë në Kamzë. Ngjitur me shtëpinë kishin dhe dyqanin e vogël ushqimor me të cilin ushqehej familja prej 6 anëtarësh që sot kanë mbetur pa kryefamiljarin. Dyqani kishte kamera sigurie, çka mund të ndihmojë policinë në zbardhjen e shpejte të ngjarjes dhe arrestimin e grabitësve-vrasës. Nga pamjet filmike, thanë burimet e policisë, dukeshin dy autorët e veshur me xhupa të zinj dhe me kapuça në kokë, për të mbuluar fytyrën. Pasi kanë qëlluar dy herë në drejtim të çiftit, ata kanë marrë paratë dhe kanë dalë në rrugë, duke ecur për disa metra në këmbë. Më pas, kanë hipur në një automjet tip “BMË” dhe janë larguar me shpejtësi.

 

Dëshmitarët

 

Një prej dëshmitarëve rrëfen se Agim Buci ishte brenda banakut pa shenja jete. “Bashkë me një shokun tim e kemi ngritur dhe e kemi nxjerrë jashtë për ta transportuar menjëherë për në spital. E kemi hipur në një autoveturë autoshkolle, ndërsa bashkëshortja, me aq sa pamë, kishte plumb në këmbë”, rrëfen një prej tyre.

 

Banorët e zonës rrëfejnë gjithashtu se rruga “OSBE” prej më shumë se 5 vjetësh është pa ndriçim, megjithëse shtyllat janë të vendosura. Sipas tyre, si pasojë e mungesës së ndriçimit të rrugë, numri i grabitjeve nëpër banesa është rritur.