Deputetët britanikë votojnë sërish propozimin për zgjedhje të parakohshme

Deputetët britanikë votojnë sërish propozimin për zgjedhje të parakohshme

435
0

Qeveria britanike do t’iu kërkojë të hënën deputetëve që të pajtohen për mbajtje të zgjedhjeve të parakohshme, çka mund të jetë një nga vendimet e fundit të parlamentit para se të pezullohet puna e tij.

Kryeministri britanik ka kërkuar fillimisht zgjedhje të parakohshme pasi deputetët, duke përfshirë disa ligjvënës të zemëruar konservatorë, kanë votuar në të mirë të projektligjit që i kërkon Johnsonit zgjatje të afatit për Brexit, nëse nuk arrihet një marrëveshje para 19 tetorit.

Ky projektligj, që pritet të miratohet të hënën, është kritikuar nga qeveria, e cila ka konsideruar se ai dobëson pozitën e qeverisë britanike në negociatat me Brukselin.

Kritikët në anën tjetër kanë thënë se largimi i Britanisë nga BE-ja pa marrëveshje mund të ketë pasoja të jashtëzakonshme për këtë shtet.

Ndërkohë vendimi për largim të Britanisë nga blloku evropian ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.