Deklarata për bombardimet e NATO-s, Haradinaj shkarkon nga detyra zv.ministren serbe në...

Deklarata për bombardimet e NATO-s, Haradinaj shkarkon nga detyra zv.ministren serbe në Kosovë

514
0

Kryeministri Ramush Haradinaj shkarkon nga detyra zv.ministren serbe të Drejtësisë Vesna Mikic, në qeverinë e Kosovës. Ditën e djeshme në 20 vjetorin e bombardimeve të NATO-s në Serbi, zv.ministrja publikoi një shkrim, ku theksonte se ky ishte një genocid mbi serbët. “Në ditën e sotme, para 20 vitesh ndaj një shteti sovran që një dekadë më herët luftoi kundër terrorizmit shqiptar në kuadër të kufijve të saj, është bërë qëllimisht gjenocid i planifikuar nga NATO”, – shkruan ajo në postimin e saj. Një ditë pas deklaratës së zvëndësministres serbe të Drejtësisë, Vesna Mikic se NATO kishte kryer gjenocid ndaj serbëve, kryeministri Haradinaj ka marrë vendimin për  ta shkarkuar nga detyra zv.ministren Mikic, duke pohuar se këto deklarata nga ajo janë të papranueshme dhe janë gjuhë e urrejtjes.

 

“Në Qeverinë dhe institucionet e Republikës së Kosovës, nuk kanë vend individët, pavarësisht përkatësisë etnike, që denigrojnë vlerat e përbashkëta euro-atlantike. Aq më tepër kur shteti i Kosovës është krijuar pikërisht në bazë të këtyre vlerave. Deklarata e zëvendësministres në Ministrinë e Drejtësisë, Vesna Mikiq, se bombardimet e NATO-s ishin gjenocid ndaj shtetit dhe popullit serb, janë të papranueshme dhe përkojnë me gjuhën e urrejtjes, që sanksionohen me Kushtetutë dhe ligj. Prandaj, sot kam liruar nga detyra zëvendësministren Mikiq.”– shkruan në postimin e tij Haradinaj.