Debati në kryesinë e PS, Bushati kundër Ramës: Të inkriminuarit u kthyen...

Debati në kryesinë e PS, Bushati kundër Ramës: Të inkriminuarit u kthyen në tryezat e vendimmarrjes. Kemi para nesh pikën e derdhjes për……

303
0

Anëtari i kryesisë së PS-së, ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, kërkoi trajtimin në mënyrë agresive të përfshirjes në politikë të personave që kanë pasur probleme me drejtësinë.

 

Bushati i ka drejtuar një letër kryesisë së Partisë Socialiste, përmes së cilës i informonte anëtarët e saj me përgjegjësitë e secilit në penetrimin e personave me të kaluar kriminale në politikë, administratë apo drejtues të pushtetit vendor.

 

Në mënyrë të përsëritur në letrën e tij, ishdrejtuesi politik i Qarkut të Shkodrës citon se PS duhet të jetë një parti progresiste dhe e intelektit, duke lënë të kuptohet se kandidimi i shumë njerëzve, në të gjitha nivelet që kanë pasur probleme me drejtësinë, e kanë larguar këtë parti nga kjo traditë. Mësohet se kreu socialist i është përgjigjur kritikave të Bushatit jo në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke përmendur faktin se mosdeklarimi i një dënimi të mëparshëm është çështje krejtësisht personale, ndërsa partia nuk ka mekanizmat e duhura ligjore t’i paraprijë ndalimit të këtyre personave.

 

Pas mbledhjes së kryesisë, ish-drejtuesi politik i Qarkut Shkodër, Ditmir Bushati, foli para gazetarëve duke dhënë në mënyrë të përmbledhur shqetësimet që kishte ngritur përmes letrës së tij.

 

Sipas Bushatit, rasti i Shkodrës tregon se është mbushur kupa për një fenomen të përsëritur siç është ai i futjes në politikë të njerëzve me të kaluar të dyshimtë dhe se këtë fenomen, PS duhet ta luftojë në mënyrë agresive. Bushati ishte kritik edhe me shkarkimet masive të drejtorëve në Shkodër, duke thënë se ata nuk kanë asnjë lidhje me rastin ‘Pjetri’.

 

DITMIR BUSHATI

 

Ne kemi pasur një diskutim në PS, ku çështje ka qenë edhe situata në Shkodër e krijuar pas 30 qershorit. Unë i kam drejtuar një letër kryesisë së Partisë Socialiste për shqetësimet që kam ngritur për situatën atje.

 

E vërteta është që me delegimin tim në 2016-n, disa fenomene i kam trajtuar brenda familjes sime politike. Mendoj se me rastin e fundit në Shkodër, kemi para nesh pikën e derdhjes për një fenomen që duhet ta trajtojmë në mënyrë agresive të mundshme.

 

Sepse 30 vjet pas rënies së komunizmit, besoj se ka shumë mundësi që Partia Socialiste dhe gjithë aktorët e tjerë politikë t’u ofrojnë qytetarëve të këtij vendi njerëzit më të mirë. Natyrisht, kjo nuk është një çështje që mund të trajtohet vetëm në mënyrë ligjore dhe as të zhvendosjes së vëmendjes me shkarkime në masë të njerëzve që nuk kanë asnjë lidhje dhe asnjë fajësi për situatën e krijuar.

 

Kjo është një çështje që shkon përtej mureve të një organizate politike, pasi në fund të ditës jemi politikanë, sepse ne nuk jemi as prokurorë dhe as gjyqtarë, nuk mund të japim ne vendime për të shkuarën e një personi të caktuar apo disa personave të caktuar, por ne kemi përgjegjësinë për të hapur një debat për të trajtuar rrënjët e këtij fenomeni dhe jo për të menaxhuar pasojat. Rrënjët e këtij fenomeni mendoj se kanë nevojë për një reformë politike brenda familjeve politike, që të sjellin një kulturë të re politike, një sistem të ri llogaridhënës ku PS është dhe duhet të jetë partia e intelektit, progresit dhe pse jo partia e komuniteteve.

 

Nëse përgjegjësia e secilit është përgjegjësi individuale dhe ligjore, ne na takon të njohim realitetin, përgjegjësinë politike dhe të themi na falni për rastin në fjalë dhe komuniteteve të caktuara dhe të propozojmë reforma politike që ndërtojnë sisteme imunitare për një realitet tjetër politik.

 

Jam krejt i bindur edhe nga kontaktet që kam pasur. Jemi një familje e madhe politike. Askush nuk ka pse të ndihet i ligështuar për vendimmarrjen e gabuar që ne mund të kemi marrë në këtë drejtim. Ne kemi përgjegjësinë e madhe për ta trajtuar, shfarosur këtë fenomen.

 

Unë besoj fuqishëm se PS është partia e intelektit, e progresit dhe e komuniteteve dhe ato gabime që kemi bërë në të shkuarën, ku njerëz që kishin një të kaluar të dyshimtë u përjashtuan nga radhët tona, u përshëndetëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, fatkeqësisht u rikthyen në tryezat tona vendimmarrëse dhe sot na duhet, për fat të keq, që të administrojmë pasojat e këtyre gabimeve.