De Biazi: Duke qenë se jemi aq të dobët sa nuk fituam...

De Biazi: Duke qenë se jemi aq të dobët sa nuk fituam dot me Luksemburgun, nesër humbim

370
0

Trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Xhani De Biazi, nuk e mendon fundin e kontratës me Federatën Shqiptare të Futbollit. Diçka të tillë ai e tha në konferencën e sotme për shtyp para ndeshjes ndaj Izraelit, teksa gjithashtu i bëri thirrje lojtarëve që në këtë takim të shfaqin karakterin e skuadrës që është parë në dy vitet e fundit. Tekniku italian gjeti dhe hapësirë për t’iu përgjigjur me tallje njërës pyetje duke thënë se nesër Shqipëria do të humbë sepse është aq e dobët sa nuk mundi dot as Luksemburgun.

Si mund të fitohet ndeshja ndaj Izraelit?

“Çdo ndeshje mund të fitohet në varësi të mënyrës si e përgatit, si e ndërton planin e lojës, sa shumë e dëshiron fitoren në krahasim me kundërshtarin, sa arrin t’i shfrytëzosh mundësitë që të krijohen, mentaliteti me të cilin futesh në fushë. Janë disa gjëra që të bëjnë të shkosh te fitorja. Ndeshjet në fillim janë gjithnjë të hapura dhe mundësitë se si mund të përfundojnë janë të shumta.”

Për ndryshimin e shpeshtë të skemës

“Mendoj se rëndësia më e madhe nuk janë numrat apo skemat, por është fakti se si e interpretojnë lojtarët sistemin e lojës dhe sa impenjohen për të dhënë maksimumin ndaj kundërshtarit që kanë përballë. Do doja që nesër të marr një përgjigje nga skuadra siç e kam marrë në këto dy vitet e fundit, teksa kemi vendosur në vështirësi kundërshtarë të mëdhenj.”

A e mendon fundin e kontratës?

“Jo.”

5 humbje radhazi, duke përfshirë Luksemburgun dhe Bosnjën, pse mendoni se do të fitojmë nesër?

“Nuk thashë që do fitojmë, thashë që do të luajmë për të fituar, ashtu siç luajtëm ndaj Luksemburgut. Por meqenëse jemi aq të dobët sa nuk fituam dot ndaj Luksemburgut, atëherë me siguri që nesër do të humbim. A je i kënaqur?”

Objektivi për vendin e 3-të vihet në rrezik nëse nuk fitohet nesër

“Ka ndodhur më shumë se një herë që Shqipëria është renditur e 4-ta, e 5-ta apo e 6-a. Të vdekurit numërohen në fund të betejës dhe jo gjatë saj.”

Atmosfera në skuadër duket e rënduar duke parë përgjigjet

“Ka rëndësi atmosfera që do të jetë nesër në fushë dhe jo ajo që transmetoj unë sot në konferencë.”

Për çfarë shërbeu ndeshja ndaj Luksemburgut?

“Ishte një ndeshje që vinte në fund të sezonit, kishim mungesa, dy lojtarë na u bashkuan në Turqi. Kishim plot raste në pjesën e parë për ta mbyllur ndeshjen por kemi gabuar të pagabueshmen ndërsa në pjesën e dytë bëmë gabime individuale.

Ndeshja duket e keqe sepse humbëm, ndryshe do të ishte një ndeshje normale, një rezultat si i shumë skuadrave të tjera. Është periudhë e veçantë sepse jemi në fund të sezoni, ka lojtarë që kanë luajtur 50 ndeshje, ka dhe nga ata që kanë luajtur 3, 4 apo 5.

Unë prisja më shumë nga ata që kanë luajtur më pak, por fakti që kanë luajtur më pak do të thotë se me shumë mundësi ka pasur një arsye. Ishte një mundësi për të rënë në sy edhe për ata që nuk kanë bërë mrekulli në kampionat. Mundësitë të shfaqen rrallëherë në jetë dhe duhet të dish t’i shfrytëzosh.”

A i qëndron mendimit të mëparshëm për Zahavin?

“Kam thënë që u tregua shumë dinak.”