DARKA E PAHARRUAR/ Nga Memisha Gjonzeneli , dekoruar me medaljen “Naim Frashëri...

DARKA E PAHARRUAR/ Nga Memisha Gjonzeneli , dekoruar me medaljen “Naim Frashëri i Artë”

406
0

Kisha dhjetë ditë që isha kthyer në Çikago, pasi ndenja plot 45 ditë në Vlorën time të dashur. Tani po rri shtrirë në kolltuk, për të ndjekur ndeshjen e futbollit Barcelona-Real. Kjo ndeshje është bërë në kohën e kaluar, po unë e ndjek herë pas here, se e kam për zëmër. Ndërkohë u ndez drita te porta dhe u dha një sinjal: kishte ardhur posta. U ngrita, fika sinjalin dhe zbrita poshtë. Hapa kutin, mora disa zarfe dhe po ngjitesha lart. Shikoj i gëzuar: një zarf me pulla shqiptare. I hodha mbi tavolinë të tjerat dhe mbajta vetëm zarfin që kishte ardhur nga Shqipëria. E hapa. Brenda ishte një letër. E shpalosa letrën me kuriozitet dhe ja çfarë shkruhej në të:

“ I dashuri dhe i pa harruari kushëriri im Memisha! Të lutem shumë të më falësh për sa më poshtë: Para m shumë se 25 vitesh, ti kishe ardhur në Vlorë. Atje, ti bëre diçka që nuk e ka bërë njeri deri më sot. Një raste i rrallë ky e që patjetër duhet përmendur e trumbetuar. Ti organizove një darkë të madhe për të gjithë kushërinjtë e parë dhe miqtë e t’u më të afërt. Në ftesë shkruaje se jeni të mirëpritur si çift, në ndonjë rast të veçantë, mund të vijë dhe një i tretë, po jo më shumë. Darkën e bëre në Jonufër, te lokali i Fatmir Çeloaliaj, nipit tënd. Na ftoje të kalonim një darkë të këndshme përkujtimore me njeri tjetrin, për të shua mallin dhe për të shtuar dashurinë. Një tjetër kusht ishte se nuk pranohen dhurata dhe të gjitha shpenzimet i mbuloja ti, me burimet personale”.

E mbylla letrën për një çast dhe u futa në kujtime… Ishte hera e dytë që veja për pushime verore në Shqipëri. Njerëzit ende nuk ishin çliruar nga mentalitetet e kaluara dhe shiheshin si kundërshtarë të përjetshëm. Kur kaloja rrugës shumë nga kushërinjtë kthenin kokën anash dhe bënin sikur nuk më shikonin. Kjo më vriste e më dëshpëronte shumë. Nuk kishim pasur kurrë ndonjë konflikt serioz. Mandej edhe komshinjtë ishin shumë mirënjohës e dashamirës. “Skelarët” nuk hoqën kurrë dorë nga ne. U faleminderit! Ne, nga babai, ishim fis i madh, gjithashtu edhe nga nëna po, si i gjithë populli shqiptar, të vendosur në kahe të ndryshme politike, shumë pak na flisnin, se ndruheshin nga presionet e diktatet komuniste, “mos ndoteshin prej armiqve”

Kur u nisa nga Çikagua, me vete kisha marrë 2000 dollarë. Edhe këto i pata mbledhur me sakrifica të mëdha. Kur emigrova isha më shumë se 50 vjeç, çka ishte vështirë për të kursyer dhe këto para i ruaja si ujët e paktë. Po më duket se ndodhi një mrekulli, se vet Zoti ma pruri në mendje që të organizoja ketë darkë. Një javë mu desh të beja ftesa dhe t’i shpërndaja dorazi, me postë, por edhe me gojë. I porositja për kushtet, zgjodha lokalin, që për fat, e kishte nipi im Fatmiri, e rregulluam edhe çmimin, pra gjithçka ishte gati. Caktova një ditë të shtune, në orën 7 të darkës. Më kishin pushtuar shumë emocione. Lloj, lloj mendime, më shkonin në mendje. Më dukej se çdo gjë do më vente dëm e kot, me mendimin se nuk do ma kenë ngenë mua dhe se mund te jenë në punët e preokupimet e tyre. Po një zë më thoshte se do vijnë, nuk do mungojnë, se jemi gjak e soj me tradita fisnikërie të hershme, jemi të gjithë si motra dhe vëllezër. Të marrim erën e njeri tjetrit, se s’kemi folur nga afër prej shumë kohësh dhe nuk jemi parë sy më sy, e nuk jemi qafuar prej vitesh. Patjetër do të vijnë!

Ora, 7 fillonte hyrja. Unë, për seriozitetin e rastit, i veshur me kostum të zi, me këmishë të bardhë dhe kollare, dola para, që t’i prisja. Nuk do ta harroj kurrë ato çaste, kur njerëzit filluan të vinin të gjithë, të veshur bukur si për një festë të madhe. Unë i qafoja të gjithë përzemërsisht, shumë i emocionuar. Gjithë jetës kam vuajtur, po asnjëherë nuk kam lotuar. Ky ishte rasti më oportun për të qarë, po nga gëzimi. Të gjithë pjesëmarrësit më uronin dhe më përqafonin. Ajo ka qenë dita e jetës time, që unë kam marrë më shumë puthje dhe qafime. Të gjithëve u thosha me bindje e ëmbëlsi: zini vende, ku të doni, sonte jemi njësoj të gjithë. Aty kishte larmi personalitetesh: thjesht bujq e punëtorë, po dhe profesorë, ushtarakë, inxhinier, etj. Të gjithë atë nate ishim njësoj. U bëmë afro 100 vetë. Derën e lash të hapur, që cilido të futej lirshëm dhe vet shkova brenda. Në qendër, kishim vendosur një tavolinë me katër karrige dhe mbi të, një vazo të madhe, me lule të freskëta. Disa nga gratë kishin prurë tava me ëmbëlsirë, torta, apo bakllava. Unë i kaloja dhuratat modeste dorë përdorë, që ti shikonin të gjithë, të relaksoheshin dhe të bindeshin se sonte, patjetër duhet të jetë ditë gëzimi e hareje për këdo dhe që duhet t’i linim prapa krahëve qefmbetjet dhe mërite e vjetra..

Kur hyra brenda, për çudi, u ngritën të gjithë në këmbë. Unë u hutova paksa, po në çast e mora veten dhe nisa të shkoja e ti takoja te tavolinat e secilit, duke buzëqeshur, përqafuar e falënderuar. Isha i lumtur edhe pse jo, i emocionuar tej mase. I urova mirëseardhjen dhe i falënderova me gjithë zemër, që u bënë pjesë e kësaj darke solidariteti e dashurie.

Në një çast më lindi një ide kujtimi e malli për shumë farefisni që mungonin, ndaj me zë të dridhur u thash pjesëmarrësve: “Dhe tani, do ju lutem të gjithëve të mbajmë një minutë zi, për të gjithë të dashurit tanë që kemi humbur para kohe dhe që janë gjithashtu shkak, pse jemi mbledhur sonte këtu”.

Mbasi mbaroj ky çast emocioni, mora gotën e rakisë në dorë dhe urova shëndet dhe gëzime në çdo familje për vëllezërit, motrat dhe kushërinjtë për të cilët e organizova ketë darkë të bukur, me qëllim që ta njohim më mirë njeri tjetrin dhe ta duam më shumë njeri tjetrin aq sa jemi në këtë jetë, duke u lutur dhe njëherë me shpirt, që t’i lemë mënjanë qefmbetjet dhe mëritë, për një trashëgimi të denjë e të merituar.

Pastaj, ju drejtova me respekt dhe ju luta më të vjetërit, të na gëzonte e të hapte ceremoninë e darkës. Ai e quajti veten të nderuar dhe me gotën e rakisë në dorë, na uroj: “te kalojmë një darkë të gëzuar dhe të na bëhet mirë, shëndet e bereqet, pastaj tha edhe njëherë, gëzuar të gjithëve tej e tej dhe e ktheu gotën me fund.

Nja 10 minuta më pas u bë qetësi e madhe, pastaj dikush u ngrit dhe me gotën e rakisë në dorë përshëndeti me mirësi e shëndete të gjithë pjesëmarrësit dhe në veçanti organizatorin. Mbas pak filloj kënga labe. Kaq u desh dhe kumboi gjallërisht zhurma dhe lëvizja. Unë, që po e ndiqja me merak situatën, pas kësaj, u qetësova plotësisht dhe falënderova Zotin. Plot njerëz vinin te unë, toknin gotën e rakisë, më falënderonin dhe me pyesni: sa fëmije kisha, si ishin dhe kështu me radhë, për njohje më të afërt.

Darka vazhdoi deri në ora 11 të natës. Gjithçka kaloi shkëlqyer me rregull e harmoni, pa teprime. Së fundi dola te dera për të takuar secilin, t’u uroja, t’i falënderoja dhe t’u shprehja mbarësi në familje dhe kudo në punë e në jetë. Ndjeva dhe vet një kënaqësi të veçantë dhe përqafimet dhe falënderimet nuk kishin mbarim. Mu bë zemra mal kur iknin të gjithë të gëzuar dhe unë ndihesha i kënaqur dhe entuziast më shumë se ata, sepse çdo gjë që bëra, ja kisha arritur më së miri qëllimit të paramenduar.

Kaluan vite. Pas kësaj pritje të gjerë miqsh, sa herë që shkoja në Vlorë dhe takohesha me kushërinj, ata tashmë afroheshin, qëndronin, qafoheshim dhe ndaheshim të gëzuar, duke kujtuar këtë darkë të paharruar, që la gjurma pozitive të pashlyera.

Dhe ja sot kur kanë kaluar më shumë se 25 vite dhe unë ndodhem para një letre interesante e gjurmëlënëse, që ka lidhje me dobinë e kësaj darke, letër që, si pjesë e këtij tregimi për darkën e hershëme, ja vlen të citohet, pa e ndryshuar:

“Unë, që po të shkruaj këtë letër, jam Hëna, çupa e Beqirit, që, nëse të kujtohet, sapo mora vesh për darkën, erdha pa ftesë. Erdha së bashku me djalin tim 5vjeçar. Hyra brenda në sallën e madhe dhe u ula në një tavolinë. Në tavolinë ishte dhe një kushërira ime, që kishim vite pa u parë. U ulëm të gëzuara. Erdhi dhe ushqimi, që ishte i shkëlqyer. Unë po kënaqesha. Kishte vite, që nuk më begeniste njeri. Aty nga mezi i darkës, më ikën djali nga krahu dhe vjen te tavolina qendrore, ku rrije ti. Ndërkohë dikush afër teje ktheu krahët dhe gati e injoroi tim bir. Ti, sa e pe, e more në duar vogëlushin, e përqafove dhe e pyete si e kishte emrin. ai të tha Viktor. Po sa emër i bukur, i the ti. Ma ka vënë mami, të tha djali me mburrje. Po, vazhdoi ai, unë kam edhe një daje, që mami atë e mban gjithnjë në gojë dhe më thotë të bëhesh i mirë, si daja. Po unë atë as që e njoh, se ai nuk vjen në shtëpinë tonë.

Në tavolinë, me ty, ishte dhe vëllai im, Etemi. (pikërisht ai ishte daja i tim biri). Ti kishe shumë afërsi me të, se e kishe ngjitur, flisnit dhe qeshnit, po kur more djalin tim në krah, ai, i ktheu kurrizin dhe nuk po fliste më. Unë, kur vura re edhe shqetësimin e tij, u ngrita dhe erdha shpejt te ju dhe ta mora djalin nga krahu. Ti, fute dorën ne xhep ti jepje diçka. Unë nuk të lash, po veç mora djalin dhe ika. Ti i mërzitur, i the Etemit:

-Ç’pate që u shtëmënge dhe e mbylle gojën? Ai t’u përgjigj:

-Po pse, nuk e njohe atë gruan që të rrëmbeu djalin?

-Jo, i the ti.

-Po ajo është Hëna, ime motër, si nuk e mban mend?

-Më fal, i the, nuk me kujtohet. Po pse nuk i fole e nuk e përshëndete motrën tënde, more Etem?

-Ajo ka ikur nga shtëpia, se donte një djalë. Ne i thamë mos e merr, po ajo nuk na dëgjoi dhe iku me të. Mbas tri vitesh, ai e la. Ne na ka ndaluar babai të flasim me të, tha Etemi.

-Ç’far flet, more, i the ti. Si mund ta lesh motrën vetëm tani që ajo ka më shumë nevojë për ju dhe sidomos për ty?

Ai nuk u ndie më, po u ngrit të ikte. Ti i e kape për dore dhe i the:

-Etem rregulloje sa më shpejtë këtë punë se është turp i botës!

Mbas tre ditëve ai erdhi te unë. Gëzimi im ishte i pakufishëm. Mbas dy ditëve erdhi dhe nëna me motrën. Atëherë e ndjeva ç’ishte lumturia. Unë fluturoja nga gëzimi për ditë me radhë, duke kompensuar edhe faktin që babai, deri sa vdiq, nuk më fali.

Tani unë jam e lumtur. Djali mbaroj shkollën për arkitekt këtu në Angli. Unë punoj infermiere, po këtu, në profesionin ku kam mbaruar shkollën. Kështu bashkë me djalin jetojmë në Angli. Nëna vjen shpesh nga Shqipëria, ku duhet të kujdeset edhe për nipa e mbesa. Po për Viktorin ajo nuk duron dot, sado që ai është bërë burrë, se ajo e quan ende të vogël. Po dhe ai lë kokën për të. Ai i blen gjithnjë dhurata asaj.

Kështu, kushëriri im i shtrenjtë, je ti që më dhurove gjithë këtë lumturi. Është merita jote, që më ribashkove me familjen. Kjo mund të ndodhte edhe ndryshe, po ja që tani ka një emër dhe ai është emri yt, sa i nderuar po dhe aq i dashur.

Memo! I lexoj me mall të gjitha tregimet e tua të mrekullueshme edhe komentet, që janë njeri më i mirë se tjetri. Shoqëria dhe farefisnia do kenë gjithnjë nevojë për ty. Ne, të përqafojmë me mall dhe po deshe ose, po pate rrugën, ktheu kur të mundesh edhe nga ne. Ne gjithmonë do të të duam shumë, si shpëtimtarin tonë! HENA…”

 

Çikago, 5 Tetor 2019