CONAD nuk e ‘ul hundën’, në vend të korrigjohet, sulmon sërish Ilir...

CONAD nuk e ‘ul hundën’, në vend të korrigjohet, sulmon sërish Ilir Cikon që denoncoi produktet e skaduara

304
0

Conad Albania dhe ekonomisti Ilir Ciko janë tashmë në gjyq.

Ciko denoncoi produktet e skaduara të kompanisë e cila në vend të merrte masa të menjëhershme për ankesën e klientit, vendosi ta padisë këtë të fundit për dëmtim imazhi.

Ndoshta kësaj kompanie i është cënuar imazhi por kjo është qesharake përballë cënimit të jetës së qytetarëve si pasojë e produkteve të skaduara, pa kurrfarë kontrolli që konsumojnë çdo ditë qytetarët shqiptarë.

Conad Albania, nuk e merr fare seriozisht denoncimin e Cikos që është pasuar me dhjetëra denoncime të tjera nga qytetarët në rrjetet sociale por e ‘mbyll’ këtë histori duke e cilësuar si shpifje.

“Fakti që këto shpifje gjejnë jehonë në mediat sociale, nuk do të thotë se ato janë të drejta. Përkundrazi, këto janë një arsye më shumë që ne të kërkojmë drejtësi për dëmtimin e imazhit tonë. Conad Albania është gati të marrë përsipër të gjitha përgjegjësitë dhe kostot, në çdo rast kur klientët shprehin me të drejtë pakënaqësi me produktet tona. Për këtë arsye, ju kujtojmë të gjithë klientëve, që për çdo problem që mund të konstatojnë në dyqanet tona, të njoftojnë menjëherë personelin.

Por ne nuk pranojmë kurrësesi të marrin përsipër kostot e shpifjeve, aq më shumë kur ato bëhen me qëllim që të dëmtojnë imazhin tonë. Sepse nuk mund të pranojmë që të hidhet baltë mbi punën e qindra njerëzve që punojnë ditë e natë, duke sjellë në Shqipëri një standart të BE-së, sa i takon cilësisë së produkteve ushqimore, por edhe shërbimit dhe marrëdhënies korrekte me klientin.

Ne bëjmë gjithçka për të qenë transparentë me klientin.

Por, ne do të bëjmë gjithçka edhe për ta mbrojtur punën tonë dhe për të mos lejuar përhapjen e panikut mes klientëve, përmes alarmeve të padrejta e të rreme, apo më keq, të sponsorizuara për arsye të ndryshme”, shkruan Conad ndër të tjera në reagimin e tij.

Kujtojmë se Ilir Ciko nuk pranoi propozimin e gjykatës për “pajtim” me kompaninë dhe përgënjeshtrimin e denoncimit. Ciko thotë se është në të drejtën e tij si konsumator që të kërkojë llogari për produktet që blen e konsumon.