Çfarë po ndodh tek ‘Astiri’, banorët: Shtëpitë do t’i mbrojmë me jetë

Çfarë po ndodh tek ‘Astiri’, banorët: Shtëpitë do t’i mbrojmë me jetë

316
0

Protesta e banorëve të zonës së “Astirit” që kundërshtojnë shembjen e mbi 300 objekteve që parashikohet të prishen për t’i hapur rrugë ndërtimit të një autostrade urbane nga Sheshi Shqiponja deri te Pallati me Shigjeta, ka hyrë sot në ditën e 31-të. Për 31 ditë në përpjekje për të mbrojtur shtëpitë nga fadromat, protestuesit kanë vendosur t’u ngjajnë qytetarëve francezë, duke veshur jelekët portokalli. Ata i kanë bërë thirrje kryeministrit Edi Rama, që të tërhiqet nga projekti që ju prish banesat e tyre, ose t’i dëmshpërblejë qytetarët me 100 për qind të vlerës së tregut. Me thirrjet; ‘jug e veri, jemi një’ dhe ‘turp, turp’, banorët kanë bllokuar edhe sot rrugën kryesore. “Jemi me të drejtën e fëmijëve tanë. Të gjithë kemi të drejtat tona dhe të gjithë paguajmë taksat. Duam të drejtën tonë dhe të bëjë çfarë të dojë. Nuk jemi kundër projektit, por duam djersën tonë”- u shpreh një qytetar. ‘O Edvin o legen, prite popullin se po vjen’,- ka qenë një nga thirrjet e banorëve drejtuar kryeministrit Rama. Ata gjithashtu kanë përsëritur thirrjet: “Nuk jemi shpellarë, por jemi qytetarë”, të cilat ia drejtonin kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ministrit të Infrastrukturës Damian Gjiknuri dhe kryeministrit Edi Rama. Disa nga banorët u shprehen se toka nuk është zaptuar dhe për çfarë arsye qeveria nuk erdhi për t’na shpjeguar se jemi në një truallë të huaj. Ata deklaruan se nga kjo protestë nuk do të tërhiqen, derisa qeveria të vendosë dëmshpërblim të plotë. Protestës së banorëve i është bashkuar që nga fillimi opozita, por edhe shoqëria civile. Duke folur për mediat, Fatos Lubonja tha se nuk është vetëm një protestë e banorëve të kësaj zone, por e të gjithë shqiptarëve. “Unë kam ardhur si qytetar dhe u bëj thirrje të gjithë qytetarëve në Tiranë e kudo në Shqipëri, se kjo është një çështje e rëndësishme. Kurajoja e protestuesve është nxitje për rezistencë edhe nga e keqja që e ka kapur vendin”, tha Lubonja gjatë një komunikimi me mediat.

 

Më pas në shenjë simbolike banorët i kanë veshur Lubonjës jelekun portokalli, një formë kjo simbolike e protestës duke marrë shkas nga protesta në Francë kundër rritjes së çmimit të naftës.

 

Ndërkaq, deputeti i Partisë Demokratike Klevis Balliu tha se opozita do të mbështesë protestën e banorëve, sa kohë kauza e tyre mbrohet edhe nga Kushtetuta.

 

“Kudo ku ka protesta, do mbështesim çdo protestues që mbështet një kauzë legjitime. Shpreh falenderimin më të thellë për zotin Lubonja dhe për të gjithë ata intelektualë, artistë e gazetarë që janë solidarizuar me protestën”,-tha Balliu.

 

Sipas tij, Erion Veliaj kreu sot një pabesi ndaj banorëve të Laprakës, sepse i premtuan mosshembjen, meqenëse e kishin apeluar, dhe e shembi të nesërmen.

 

Ai tha se u kuptua se s’mund të kemi besë ndaj kësaj qeverie e kësaj bashkie.