Busti është rrëzuar, trashëgimia e tij, jo!/ Nga Edlira Gjoni

Busti është rrëzuar, trashëgimia e tij, jo!/ Nga Edlira Gjoni

400
0

Busti është rrëzuar, trashëgimia e tij, jo! Po afrohemi te 30 vjetori i rrëzimit, e në krye të vendit qëndrojnë të njëjtat klane.  Fëmijë që kanë lindur në 20 Shkurt 1991 janë sot të diplomuar, të botuar, të dalë jashtë Shqipërisë, me karrierë e jetë në ngritje jashtë vendit ku rrëzohej busti teksa ata vinin në jetë. Çfarë tragjedie, Shqipëri! Një brez u lind, u rrit e iku se nuk gjen dot vend në vendin e tij.  E “elita” politike (edhe mediatike) merret me lojërat e radhës, teksa me rotacion drejton e patrazuar mish-mashin e krijuar me duart e veta në vendin prej nga përzënë sistematikisht shqiptarët.  Gati 30 vjet me bust të rrëzuar, e sektori privat nuk është ngritur dot në këmbë aq sa të tërheqë bashkëveprim me të huajt e të shndërrohet në punëdhënës. Në vend që të kishte lulëzuar zhvillimi ekonomik e sektori privat, kanë hedhur rrënjë korrupsioni galopant e konçesionet që ushqejnë parazitët oligarkë.  Në vend që ta bënte Shqipërinë tërheqëse për investitorët, politika e ka bërë vendin të pa jetueshëm edhe për shqiptarët.  E tragjeditë duket sikur nuk dinë të kenë fund.  Po të mos ishin paratë e emigrantëve kokë-ulur e kurriz-shtruar, që vunë familjet para jetës së tyre, asnjë shtëpi e shpresë e re nuk do ishte ndërtuar në vend. Njerëzit do ishin izoluar, tjetërsuar e bërë agresivë. Se veç parave të emigrantëve, asgjë nuk qarkullonte për njerëzit e thjeshtë në Shqipëri.  Tani që emigrantët janë në fazë të re e duan me të drejtë të përqëndrohen në familjet që po rrisin në vendet pritëse, nuk ka më parà si më parë në qarkullim. Nuk ka as të ardhura. As punë. As rrogë. As shpresë. Ndaj vendin e mori lumi i hashashit.  E sikur këto të mos kenë asnjë peshë, politika vijon të prodhojë babëzi korrupsioni e vendi zhytet edhe më keq në errësirën e papunësisë, qarkullimit të parave, investimeve e dritës jeshile për një të nesërme ndryshe.

Më e keqja, as alternativa politike nuk ka. Palët janë të klonuara e nuk ka dallim se cila Parti+LSI është në pushtet: Shqipëria thjesht nuk ecën para!

Po bëhen 30 vjet që busti u rrëzua, e asnjë sektor nuk është shndërruar dot në industri mjaftueshëm të fuqishme që të gjenerojë punësim: as informatika, as shëndetësia, as turizmi, as teksili, as financa, as ndërtimi, as transporti, as shërbimet. Të gjitha këto mbajnë mbi supe 84% të punësimit në disa prej vendeve që po në fillim të vitit 1991, njëlloj si Shqipëria, rrëzuan buste e sisteme. Por në dallim nga ne, bënë përpara në ekonomi.

Ah po, dhe asnjëri prej tyre nuk ka në elitën politike sot njerëz që ishin në politikë edhe 30 vjet më parë.

Busti iku. Trashëgimia e tij, jo!