Biznesi Call Center që nisi nga “hiçi” dhe u shit 10 milionë...

Biznesi Call Center që nisi nga “hiçi” dhe u shit 10 milionë euro

1119
0

call-center1

Një biznes që në 2008-n deklaronte një xhiro prej vetëm 142 mijë euro, u shit 6-7 vjet më vonë për 10 milionë euro…

Vetëm disa vite më parë pakkush kishte dëgjuar për call center, aktivitetin e qendrave telefonike. Por, që nga 2010, kur regjistroheshin 75 të tilla, numri i tyre është dhjetëfishuar, duke u kthyer në biznesin me rriten më të lartë në vend. Pagat e ulëta, të shoqëruara me njohuritë e mira italianë të të rinjve shqiptarë u kthyen në një magnet për zhvillimin e këtij biznesi, teksa ai, për vetë natyrën e tij nuk kërkon investime të mëdha fillestare.

Dhe sot, ata që patën nuhatjen, njohuritë dhe lidhjet e nevojshme për të hyrë në këtë treg po i shijojnë frutet. Agron Shehaj, themeluesi i Intercom Data Service, ndër operatorët më të mëdhenj në treg, ka shitur biznesin në fund të vitit 2014 për një shumë prej 10 milionë eurosh, sipas kontratës së shit-blerjes. Blerësi ishte kompania Sesante Holding, me seli në Londër.

Shehaj, dikur një emigrant në Itali, e hapi biznesin në vitin 2005, kur ky sektor sapo po hidhte hapat e para. Në vitin 2008, sipas bilancit, xhiro e kompanisë u pesëfishua në 20.2 milionë lekë (rreth 142 mijë euro). Rritja e shpejtë vazhdoi në vite, teksa në 2015-n, qarkullimi vjetor i kompanisë është rreth 2.7 miliardë lekë (gati 20 milionë euro) dhe fitimet ishin rreth 553 milionë lekë (4 milionë euro), sipas bilancit dorëzuar në QKR.

Fillesat e biznesit

Kur vendosi të kthehej në Shqipëri për të ngritur biznesin e tij, nuk e priste asgjë. Çdo gjë duhet ta niste nga zero. Madje Italia i dukej sikur ishte shtëpia e “vërtetë” e tij.

“Dy vitet e para kanë qenë jashtëzakonisht të vështirë. Më dukej vetja i huaj në çdo gjë që bëja. Madje edhe kur iu thashë miqve dhe bashkëpunëtorëve të mi se çfarë kisha vendosur të bëja, më panë me skepticizëm. I kisha të gjithë kundër”, ka pohuar ai në një intervistë të mëparshme për Monitor. Por, krahu i lirë i punës dhe aftësia e të rinjve shqiptarë për të komunikuar në gjuhë të huaj, kryesisht italisht, garantonin në pamje të parë një biznes frytdhënës. Kur i hyri kësaj rruge nuk kishte bërë ndonjë plan të mirëfilltë biznesi që të garantonte qëndrueshmëri dhe zhvillim me dekada.

“Duhej shumë guxim dhe nga ana tjetër ishte edhe ai mentaliteti që të shoqëronte se, nëse dështoje, do të tregoheshe me gisht. Ndaj mblodha forcat dhe binda veten se nuk kishte rrugë tjetër, duhet t’ia dilja mbanë patjetër”, ka pohuar Shehaj, që sot, pavarësisht se i ka shitur aksionet, vijon të jetë administrator i IDS, kompanisë që numëron rreth 3 mijë të rinj të punësuar.

Numri i call center u dyfishua në 2015-n, 25 mijë të punësuar

Numri i call center në vitin 2015 arriti në 847, sipas të dhënave të INSTAT, nga 414 që ishin në fund të vitit 2014.

Në krahasim me vitin 2010, kur sapo kishte filluar hapja e këtyre bizneseve në Shqipëri dhe kishte vetëm 75 të tilla, numri i kompanive është mëse 10- fishuar.

Sipas të dhënave nga tatimet, numri i të punësuarve në këtë sektor ka arritur në 25 mijë. Rreth 30% e tyre janë të punësuar në tre call center më të mëdha në vend, Intercom Data Service (IDS), Albacall dhe Albania Marketing Service (Teleperformance).

Call center u bënë “shpëtimtari” i punësimit vitet e fundit, sidomos tek të rinjtë, që pavarësisht se kishin vërshuar në universitete shtetërore e private, nuk arrinin të gjenin punë në zanatin e tyre (ose ndonjëherë edhe nuk u leverdiste) dhe zgjodhën të punojnë në qendrat e thirrjeve telefonike. Pagat mesatare në këtë sektor luhaten nga 30 mijë në 70 mijë lekë në muaj, edhe më lart për menaxherët.

Pavarësisht rritjes, sektori po shfaq problemet e para. Konkurrenca po shtohet, pasi ky është një biznes që ka kosto minimale, që mund të hapet edhe me 10 mijë euro. Sipërmarrjet e vogla, sidomos ato me pronarë shqiptarë përballen me largime të kontraktorëve ose mospagesa nga ana e tyre. Ka raste që investitorë italianë vijnë dhe hapin dy tre call center dhe i mbyllin brenda një kohe të shkurtër, duke lënë punonjësit pa paguar./Monitor