Edhe tani që po shkruaj më dridhet dora, më rëmnqethet trupi, më pikëllohet shpirti e më qan zemra për shokun e njeriun e mirë Beshir Cala. Gati dy metro burrë, me trup të drejtë si selvi, me ball të gjerë, syzhbirues, fytyrë rrezatuese, flokëdendur, krehur lart, zbukuruar me flokët e borës të moshës, me gojën e ëmbël e me fjalën e zgjedhur që aq bukur i tingëllonte nga zëri i qartë prej aktori.I ngrohtë, i dashur, i këndshëm në bisedë, dëgjues i vëmëndshëm, intelektual e zhbirues për të të lexuar çfarë kishe në mendje. M’u dha rasti ta njohë në Tiranë. Jo rrallë patëm ndejtur e biseduar së bashku. Qemë mirëkuptuar dhe patëm lidhur një shoqëri të mirë, nder e respekt reciprok. Ishte i vemendshëm dhe kishte dëshirë të ndihmonte dhe ai, në mbarëvajtjen e jetës dhe funksionimit të Shoqatës “Bashkimi i Përgjithshëm i Pensionistëve të Shqipërisë”. Veçanërisht ishte i apasionuar pas edukimit e çlodhjes së kulturuar të të moshuarve. Gëzohej shumë kur merrte vesh për organizimin e promovimeve të librave dhe festimin e jubileve të lindjes të anëtarëve të shoqatës sonë. Njëkohësisht na sygjeronte plot gjëra për organizimin e mirë dhe të bukur të veprimtarive me të moshuarit. Atëherë nuk dija shumë hollësi rreth jetës dhe veprimtarisë së Beshir Calës, por gradualisht nëpërmjet shokut dhe bashkëpunëtorit tim të ngushtë Enver Hasës, mësova shumë detaje nga jeta dhe veprimtaria e tij. Bir i dy prindërve të thjeshtë, por korrekt, punëtorë, me intelekt të lindur, alegër e bujarë. Djalë i Selman Calës nga fshati Lugje i Zall-Dardhës së Dibrës dhe i Hajrijes, bijë e familjes Rada nga Shkodra. Babaij tij rrit jetim së bashku me vëllezërit nën kujdesin e xhaxhait të tij, i cili u interesua mrekullisht për të. Pas lirimit të ushtrisë Selmani u vesh xhandar dhe shërbeu kryesisht në Tiranë. Në prill të viti 1928, me rastin e martesës së Mbretit Zog, pati fatin të mori pjesë së bashku me bashkëshorten në 15 çiftet e ballos. Në Tiranë, te Xhamllëku, bleu një copë tokë dhe ndërtoi një shtëpi njëkatëshe. Këtu banuan së bashku me Hajrien, dhe tre fëmijë në këtë shtëpi i lindën. Në vitin 1954 për nevoja ekonomike detyrohet ta shesi shtëpinë e Tiranës dhe të vendoset me banim në Lugjej të Dibrës ku lindi dhe një djalë. Naimin. Së bashku me bashkëshorten Hajrie lindën, rritën, shkolluan dhe edukuan katër djem: Skënderin, Beshirin, Petritin dhe Naimin, secili më i mirë e më i zot se tjetri. Selmani e mbylli jetën më 31 maj 1986 dhe nëna Hajrie më 1990.
Bëshir Cala lindi në verën e vitit 1943, në Tiranë. Mësimet e para i mori në shkollën “Hasan Prishtina”, sot “Kongresi i Lushnjës” Tiranë. Pastaj mbaroi shkolllën Pedagogjike Peshkopi me rezultate të mira. Nisi punën plot pasion si mësues dhe shërbeu kryesisht në shkollën 8-vjeçare Zall-Dardhë.
Më 2 tetor 1966 Beshiri martohet me Zemrite Hysni Hasa nga Vila e Kukësit. Ajo pati një jetë të brishtë. Pa mbushur 6 muaj i aksidentohet i
Jati dhe vdes në hapjen e tunelit në malin e Dajtit vetë i 12-ti. Aktualisht Dëshmor i Atdheut. Nëna martohet pasi ishte e re.
Për Zemriten interesohet së shumti nëna Shembja, nusja e xhaxhait, Sul Hasës, një grua fisnike e plot dinjitet që fati e ndëshkoi rëndë duke i vdekur i shoqi në moshë të re e duke e lënë të rrisë dy palë jetima, të vetët dhe të kunatit.
Kujdes të veçantë treguan për rritjen, edukimin dhe martesën e Zemrites edhe kushrinjtë, Enveri e Feta Hasa, të cilët gjatë gjithë kohës e kanë trajtuar si motër e jo si kushërinë e parë. Edhe për martesën e saj u interesuan derisa e martuan me Beshir Calën, një nga djemtë e mirë dhe me reputacion të zonës.
Zemritja me Beshirin kaluan 51 vite me respekt, mirëkuptim e harmoni, si rrallë kush. Së bashku lindën, rritën dhe edukuan dy djem: Luanin dhe Sajmirin. Fati i ndëshkoi shumë. Sajmiri vdes në moshën 24 vjeçare., duke shkaktuar tek dy prindët shumë dhimbje saqë ato, prej asaj kohe e përjetuan shumë keq dhe nuk u lumturuan ma.
Shërbimi ushtarak për Beshir Calën rezultoi si ugurë i mirë që i ndryshoi
gjithë rrjedhën e jetës. Fillimisht mbaroi një kurs specializimi dhe u emrua me shërbim në Shtëpinë e Oficerave Durrës. Më vonë Beshiri vazhdoi Akademinë e Arteve dhe e përfundoi shkëlqyeshëm për aktor.
Me mbarimin e arsimit të lartë emrohet Shefi i Shtëpisë së Oficerave në Gjirokastër, ku shërbeu për 8 vjet rresht me përkushtim e dovacion.
Për nevoja pune transferohet në Tiranë dhe emrohet me detyrë Shef i
Estradës dhe Ansamblit të Ushtrisë, detyrë të cilën e kreu më së miri.
Në vitin 1992, falë kujdesit dhe vlerësimit të ish-Ministrit të Mbrojtjes aso kohe, Safet Zhulalit iu dha grada Kolonel dhe u emrua Drejtor i Qendrës Kulturore të Ushtrisë, detyrë të cilën e kreu me përgjegjësi dhe profesionalizëm.
Në vitin 1998, edhe pse punoi me përkushtim e profesionalizëm, lirohet nga detyra dhe del në lirim për arsye politike. Kjo shprehet qartë edhe në urdhërin e ish –Ministrit të Mbrojtjes z. Sabit Brojka, i cili ndër të tjera theksonte: “Edhe pse njoh aftësitë tuaja profesionale dhe përkushtimin tënd në këta vite, kam urdhër partie të lësh detyrën, edhe pse kurrë s’ke qenë partiak”.
Pas lirimit nga ushtria filloi një jetë sakrificash të pamenduara! Edhe pensioni iu lidh vetëm pas dy vitesh. Me gjithë këtë, Beshir Cala nuk mallkoi njeri, ruajti figurën dhe ekujlibrat e duhur, vazhdimisht shpalosi vlera njerëzore, intelektuale, profesionale, civilizuese dhe demokratike.
Ishte aktiv në shoqëri. Ndihmonte me këshilla e sygjerime për mbarëvajtjen e punëve kolegët dhe në komunitet dhe veçanërisht për forcimin e funskisonimin e Shoqatës “Bashkimi i Përgjithshëm i Pensionistave të Shqipërisë”.
Viti 2016 rezultoi fatkeq pqr Beshirin. Shëndeti i tij erdhi duke u përkeqësuar. Iu nënshtrua analizave dhe mjekimeve. Nga dita në ditë u ndje keq dhe nuk u përmirësua. Iu nënshtrua edhe një operacioni, që nuk dha rezultat. Nga qershori i vitit 2016-6 prill 2017 Beshiri pati dhimbje dhe kriza të mëdha. Metastazat konceroze në vend që t’u zhdukshin hodhën shtat duke pushtuar gjithë organet e brendëshme dhe trupin e tij.
Me gjithë krizat dhe dhimbjet e forta, ai nuk u dorëzua, diti të japë kurajo e trazmetojë shpresa tek bashkëshortja, fëmijët, nipat e mbesat dhe të afërmit. Edhe pse digjej në ethe e plagë dhuroj buzëqeshje, humor, dashuri e ëmbëlsi.
E vërteta iu gjetën pranë vëllezërit, motrat, djali i tij Luani, reja Valbona, nipat: Kevi e Sajmiri dhe Rozola, miku i tij Enver Hasa, që aq shumë e donte, e respektonte dhe bëri për të. Nuk mund të anashkalohet as dashuria e ndimesa e mbesës Rozola, e cila çdo ditë me dorën e saj të butë e të vogël i bante masazh gjyshit. Dhe gjysh Beshiri harrohej në çast nga dhimbjet dhe dukej sikur shërohej nga përkëdheljet e duarve të vogla të Rozolës.
Veçanërisht bashkëshortja Zemrite Cala, i qëndroi në këmbë orë e minut, pa vënë gjumë në sy për 9 muaj rresht. Ajo nuk ndjeu lodhje dhe bëri gjithçka për shpëtimin e jetës së Beshirit, mandej u kthye edhe në një infermiere klasi për të. Rrallë takohen shërbim e sakrifia të tilla për një njeri e bashkëshort si ato të Zemrike Calës (Hasës).
Është një kontribut e shërbim mbresëlënës dhe model për të gjithë shoqërinë tonë e në veçanti për gjeneratat e reja. I lumtë. Qoftë e lumtur me çfarë ka për zemër!
Kujdesi qe i të gjithëve, me mjekët më të mirë, me ilaçet më efektive dhe shërbime të vazhdueshme. Me gjithë shërbimin e veçantë e të vazhdueshëm , më 6 prill 2017, ora 13. 58 zemra e Beshir Calës pushoi së rrahuri. Ceremonia e lamtumirës qe e madhe. Iu bënë të gjitha ceeremonitë dhe nderet.
Beshiri u përcollë për në banesën e përjetëshme duke lënë pas emrin e një njeriu të mirë, e shokut dhe mikut të rrallë, familjarit të rregullt, kuadrit të përkushtuar, të një artisti e organizatori të zotë, të një intelektuali me vlera dhe të një pensionisti dinjitoz.
Ngushllime familjes! I paharruar kujtimi i tij!