BE, 94 mln euro për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë: Ja prioritetet...

BE, 94 mln euro për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë: Ja prioritetet kyçe

399
0

Në Tiranë u nënshkrua të premten mes BE dhe Shqipërisë, Marrëveshja e Financimit, IPA (Instrumenti i Para Anëtarësimit) 2018. Reforma në Drejtësi qëndron në zemër të partneritetit BE-Shqipëri.

Në një njoftim për shtyp të Delegacionit të BE në Shqipëri, citohet Ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca, të ketë thënë pas nënshkrimit të saj, se ajo “pasqyron prioritetet kyçe të BE në Shqipëri: reformën në drejtësi, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, që janë dhe do të mbeten në zemër të partneritetit të BE me Shqipërinë. Por mbrojtja e mjedisit dhe administrimi i ujërave gjithashtu do të mbështeten shumë nga programi i ri”.

BE-ja për Reformën në Drejtësi

Reforma në drejtësi merr pjesën e luanit nga Marrëveshja IPA , 2018, 42 milionë euro, rreth  45% e të shumës totale prej 94 milionësh, që do të përdoren për forcimin e pavarësisë, transparencës, përgjegjshmërisë dhe besimit të publikut në sistemin e drejtësisë shqiptare, në përputhje me standardet evropiane” thekson njoftimi.

Financimi do të përdoret gjithashtu edhe për të përmirësuar kornizën institucionale dhe efikasitetin operativ të sistemit gjyqësor, rritjen e efektivitetit të sistemit të drejtësisë penale dhe masave antikorrupsion.

Shteti ligjor dhe të drejtat themelore

Programi IPA 2018 do të ketë në fokus edhe forcimin e shtetit ligjor dhe respektimin e të drejtave themelore të njeriut.. Synimi është krijimi i një sistemi efikas të zbatimit të ligjit, që është në gjendje të prodhojë “një historik të besueshëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe të mbështesë krijimin e një sistemi gjyqësor të përgjegjshëm, të pavarur dhe efikas, të harmonizuar me legjislacionin e BE-së” , bën me dije njoftimi i Delegacionit të BE në Tiranë.

BE për njëë mjedis më të pastër

24.1 milionë Euro do të mbështesin trajtimin e ujërave të zeza dhe përmirësimin e cilësisë së ujit duke kontribuar në zhvillimin ekonomik, shoqëror, mjedisor dhe territorial dhe të turizmit. Mbështetja financiare për mjedisin më të pastër do të kontribuojë edhe në përafrimin progresiv me acquis të Bashkimit Evropian. Marrëveshja IPA 2018 do të financojë edhe zhvillimin ekonomik në nivel vendor , me përparësi turizmin dhe trashëgiminë kulturore të Shqipërisë. Marrveshjet mes BE dhe Shqipërisë për fondet IPA nisën për herë të parë në vitinm 2007. DW